Qytetarët që kanë arritur moshën ligjore për pensionim, por nuk kanë stazh të mjaftueshëm, mund të kenë mundësi të plotësojnë deri në dy vite, përkatësisht 24 muaj stazh, në mënyrë që të përmbushin kushtin minimal prej 15 vitesh stazh për pensionin e pleqërisë.
Sipas zgjidhjes së propozuar, kjo mundësi do të vlejë për personat që nuk kanë më statusin e të siguruarit, kanë të paktën 13 vite stazh pensional dhe kanë arritur moshën e nevojshme për pensionim – 62 vjeç për gratë dhe 64 vjeç për burrat.
Kjo do të thotë se një person me 13 vite stazh do të mund të plotësojë edhe 24 muaj, ndërsa një person me 14 vite stazh do të kishte nevojë për vetëm 12 muaj. Nëse mungojnë vetëm disa muaj deri në 15 vite, do të paguhej vetëm periudha që mungon.
Sa do të kushtojë?
Sipas përllogaritjes orientuese të publikuar, kontributet do të llogariteshin mbi një bazë prej 50 për qind të pagës mesatare të realizuar gjatë vitit paraprak.
Nëse masa zbatohet në vitin 2026, për llogaritjen do të merrej paga mesatare e vitit 2025. Bazuar në shifrat e paraqitura në përllogaritjen e propozuar, një muaj stazh i blerë do të kushtonte rreth 6.400 denarë.
Kështu, në mënyrë orientuese:
- 12 muaj stazh – rreth 76.800 denarë, ose afërsisht 1.200 euro.
- 24 muaj stazh – rreth 153.600 denarë, ose afërsisht 2.500 euro.
Megjithatë, këto shuma janë vetëm orientuese dhe jo përfundimtare. Zgjidhja ende ndodhet në procedurë qeveritare, ndërsa mënyra e saktë e llogaritjes, kushtet, procedura për paraqitjen e kërkesës dhe mënyra e pagesës duhet të përcaktohen më tej.
Masa është paraparë konkretisht për qytetarët që janë pranë përmbushjes së kushtit minimal prej 15 vitesh stazh, dhe jo për blerje të pakufizuar të viteve të stazhit për pension.
