Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në vitin 2025, në shtatë lëndë, kundër 39 personave fizikë dhe 20 personave juridikë, ka parashtruar kërkesa për ngrirjen e aseteve me vlerë totale prej 27 milionë eurosh, që krahasuar me vitin 2024, kur arriti 5,7 milionë euro që është pesë herë më e lartë, raporton MIA. Procedurat për këto raste, siç u potencua gjatë shqyrtimit të Raportit Vjetor mbi punën e PTHP NKOK para Këshillit të prokurorëve publikë, janë në vazhdim.
Duke dhënë detaje mbi raportin, shefi i PTHP NKOK, Islam Abazi, deklaroi se këtë vit kanë pasur më shumë akuza penale në fushën e krimit ekonomik dhe korrupsionit të nivelit të lartë dhe për këtë arsye vlera e aseteve të ngrira është pesë herë më e madhe, krahasuar me vitin e kaluar kur prokuroria ishte më e fokusuar në grupet e krimit të organizuar të cilët kryenin vrasje dhe trafikim droge.
“Në departamentin e specializuar u vu re një ndryshim në strukturën e personave të raportuar, kështu që në vitin 2025 u rrit numri i personave të raportuar në cilësinë e doganierëve dhe pjesëtarëve të policisë së burgjeve, ndërsa për herë të parë raportuam edhe persona juridikë. Sa i përket llojit të veprave penale, në vitin 2025 kemi një numër në rritje të rasteve të paraqitura për veprën penale mashtrim doganor, zbulim të sekreteve zyrtare dhe falsifikim të dokumenteve, natyrisht, si dhe vepra korruptive, pranim të ryshfetit dhe keqpërdorim të autoritetit zyrtar”, deklaroi Abazi.
Në seancën e sotme, Këshilli i prokurorëve publikë shqyrtoi dhe miratoi unanimisht Raportin Vjetor për punën e PTHP NKOK për vitin 2025.
