BallinaLajmeVijat shënuese në Tetovë për kalimet për këmbësorë zbehen nga tenderët pa...

Vijat shënuese në Tetovë për kalimet për këmbësorë zbehen nga tenderët pa standarde. Bojë pa cilësi, rrugë pa siguri…

www.telegrami.mk

Kalimet për këmbësorë të zbehura dhe pothuajse të padukshme në mbarë vendin nuk janë rastësi. Ato janë pasojë e mënyrës se si komunat i zhvillojnë procedurat e prokurimit për shënjimin e tyre, sipas analizës së tenderëve të realizuar nga Qendra për Komunikime Qytetare (QKQ).

Analiza tregon se pjesa më e madhe e komunave nuk kanë zhvilluar fare procedura prokurimi për të ashtuquajturën sinjalistikë horizontale në rrugë gjatë tre viteve të fundit. Ndërsa në shumë raste kur këto prokurime janë realizuar, nuk janë vendosur kritere të qarta për cilësinë dhe qëndrueshmërinë e bojës me të cilën shënohen kalimet për këmbësorë.

“Hulumtimi zbulon se për më shumë se gjysmën e njësive të vetëqeverisjes lokale, konkretisht për 46 nga gjithsej 81 komuna, në sistemin elektronik nuk figuron asnjë tender për sinjalistikë horizontale në periudhën 2023–2025. Kjo do të thotë se, sipas sistemit, për tre vite radhazi nuk kanë shpallur tenderë për shënjimin e kalimeve për këmbësorë, shtigjeve të biçikletave dhe shenjave të tjera rrugore. Në këto komuna pa asnjë tender për shënjimin e rrugëve jetojnë rreth 560 mijë banorë.

Kjo praktikë nuk kufizohet vetëm në komunat e vogla rurale. Mes tyre bëjnë pjesë edhe komunat e dendura të Shkupit si Aerodromi, Çairi, Buteli dhe Saraji, ku trafiku i dendur e bën sinjalistikën horizontale të lidhur drejtpërdrejt me sigurinë e këmbësorëve dhe të pjesëmarrësve të tjerë në komunikacion”, thuhet në analizën e Qendrës për Komunikime Qytetare.

Megjithatë, ekzistenca e një tenderi nuk garanton vetvetiu sinjalistikë të rregullt në terren. Në shumë komuna që kanë blerë rregullisht bojë ose kanë angazhuar kompani për shënjimin e rrugëve, në terren vërehen vija të zbehura ose pothuajse të padukshme. Analiza e dokumentacionit të tenderëve zbulon se vetëm një pjesë e komunave përcaktojnë standarde dhe karakteristika konkrete për bojën, ndërsa në një numër të madh komunash specifikimi teknik reduktohet vetëm në dy fjalë: “bojë për rrugë”, pa asnjë kriter të matshëm për cilësinë.

“Komuna më të vogla si Berova, Resnja dhe Kriva Pallanka kanë zhvilluar tender çdo vit gjatë periudhës së analizuar, në dallim nga komuna me popullsi dhe trafik dukshëm më të madh, të cilat kanë bërë shënjime vetëm një ose dy herë në të njëjtën periudhë trevjeçare.

Analiza e çmimeve njësi zbulon dallime deri në katërfish. Boja është blerë me çmime nga 132 deri në 296 denarë për kilogram, ndërsa çmimet për shërbimin e shënjimit me bojë të bardhë dhe perlit qelqi lëvizin nga 281 deri në 802 denarë për metër katror”, tregon analiza.

Përveç dallimeve në shpeshtësinë e shënjimit, komunat nuk kanë një qasje të unifikuar as gjatë zhvillimit të prokurimeve publike për sinjalistikën horizontale. Në disa komuna punët kryhen nga ndërmarrja publike lokale me mekanizmin e vet, duke blerë vetëm bojën dhe materialet harxhuese. Në komuna të tjera, përmes një tenderi kërkohet shërbim i plotë nga kompani private – si shënjimi ashtu edhe furnizimi me bojë. Ndërsa në disa të tjera, furnizimi me bojë dhe shërbimi i shënjimit zhvillohen në procedura të ndara. Kjo mungesë standardizimi e pamundëson krahasimin mes komunave dhe e vështirëson mbikëqyrjen.

Dallimet e mëdha në çmime, të cilat nuk mund të shpjegohen me karakteristikat teknike dhe standardet e kërkuara për bojën, pjesërisht mund të shpjegohen me sasitë e blera. Ndërmarrja Publike “Rrugët dhe Rrugicat” e Shkupit ka blerë 30.000 kilogramë bojë, prandaj sasitë e mëdha kanë ndikuar në uljen e çmimit.

Megjithatë, nga shtatë institucionet e përfshira në këtë renditje, vetëm tre kanë specifikuar sasitë: përveç ndërmarrjes së Shkupit, edhe Ndërmarrja Publike për Ndërtimin dhe Mirëmbajtjen e Hapësirave Publike për Parkim dhe Transport Lokal në Komunën e Manastirit, si dhe NP “Pllavaja” nga Radovishi. Ndërmarrja e Manastirit ka blerë 15.000 kilogramë bojë të bardhë, ndërsa “Pllavaja” 600 kilogramë. Institucionet e tjera nuk kanë specifikuar sasitë, gjë që përbën shkelje të procedurave, pasi nuk u mundëson kompanive të përcaktojnë çmime reale.

Duke qenë se çdo komunë ose ndërmarrje publike që ka blerë bojë ka furnizuar edhe perlit dhe hollues, është përllogaritur edhe një çmim i përbashkët për këto tre produkte. Rezultatet tregojnë ndryshime të vogla, por vendi i parë dhe i fundit mbeten të pandryshuar. Shpenzimet më të ulëta i ka NP “Rrugët dhe Rrugicat” e Shkupit me 358 denarë për një kilogram bojë të bardhë, një kilogram perlit dhe një litër hollues, ndërsa shpenzimet më të larta i ka NP “Shtipion” nga Shtipi me 583 denarë.

Nga 18 komuna dhe ndërmarrje publike që kanë zhvilluar tenderë për shërbimin e shënjimit të kalimeve për këmbësorë dhe shenjave të tjera rrugore, në plot 11 komuna (Berovë, Kriva Pallankë, Dellçevë, Gazi Babë, Kisella Vodë, Prilep, Sopishtë, Tetovë, Dibër, Resnjë dhe Gjorçe Petrov) nuk është dhënë asnjë përshkrim për bojën që duhet të përdoret. Në shumicën e rasteve përdoret vetëm termi “bojë për rrugë”. Kjo do të thotë se zbatuesi mund të përdorë çfarëdo lloj boje dhe formalisht ta përmbushë kontratën, pa mbajtur përgjegjësi për sa do të zgjasin vijat në rrugë.

Për të siguruar krahasueshmërinë e të dhënave, komunat që kanë përdorur kompani private për shënjimin e rrugëve janë ndarë në dy grupe. Grupi i parë përfshin komunat që kanë kërkuar vetëm përdorimin e bojës, ndërsa grupi i dytë ato që kanë kërkuar bojë dhe perlit.

Tek shënjimi me bojë dhe perlit qelqi, çmimet variojnë nga 281 deri në 802 denarë për metër katror. Kjo paraqet një dallim pothuajse katërfish mes Komunës së Petrovecit dhe Komunës së Gostivarit. Në çmimin e Komunës së Petrovecit përfshihet edhe pastrimi i rrugëve para shënjimit, pasi kjo detyrë paguhet veçmas.

Tek shënjimi vetëm me bojë, çmimet lëvizin nga 152 deri në 378 denarë për metër katror. Në fund të listës është Berova, ndërsa në krye Komuna e Ilindenit. Edhe pse diferenca mes çmimit më të ulët dhe atij më të lartë është 149%, çmimi më i lartë është rreth dy herë e gjysmë më i lartë.

Komuna e Ilindenit, e cila ka çmimin më të lartë prej 378 denarësh për metër katror për shënjimin e kalimeve për këmbësorë, kërkon që operatorët ekonomikë detyrimisht të paraqesin certifikatë cilësie (atest) për bojën e rrugëve që ofrojnë, por nuk i referohet ndonjë standardi konkret që garanton cilësinë e bojës.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments