SËRISH PËR PROTESTËN
Nga Dritan Goxhaj
14 qershor 2026
Protesta nuk po kërkon një utopi, e as një botë perfekte që nuk ekziston.
Protestuesit kanë dalë me kërkesën – Qeveria të dorëhiqet tani.
E gjithë klasa politike 36-vjeçare të largohet. Që nënkupton se edhe Parlamenti duhet të shpërndahet.
Dhe këto kërkesa, edhe pse kjo e fundit nuk është artikuluar qartësisht por nënkuptohet, nuk janë të negociueshme
Pse nuk janë të negociueshme?
Sepse për 36 vjet kemi negociuar.
Çdo herë që protestuam, ata na thanë: “Uluni, bisedojmë, do të japim ca, do të marrim ca.” Dhe ne u ulëm. Ata na mashtruan me ndonjë copëz. Dhe ne shkuam të lumtur në shtëpi. Dhe sistemi vazhdoi.
Negociatat me sistemin që duhet të shkërmoqet nuk janë zgjidhje. Janë anestezi.
Edhe kësaj rradhe do të ofrojnë dorëheqjen e vetëm Kryeministrit por jo të qeverisë.
Do të ofrojnë një hetim të ri. Ose
Do të ofrojnë një “qeveri teknike” me të njëjtat lidhje.
Dhe ne do të ndihemi sikur kemi fituar diçka.
Por në realitet, do të kemi humbur përsëri.
Prandaj themi: Jo më negociata.
Largohuni tani. Të gjithë.
Do ketë nga ata që mund të thonë: “Po kjo është hakmarrje. Po t’i dëboni të gjithë, ku është drejtësia?”
Hakmarrja do të thotë: “Ju na bëtë keq, tani do t’ju bëjmë keq.”
Protestuesit në sheshe e nëpër rrugë nuk thonë këtë.
Protestuesit po thonë : Ju ndërtuat një sistem që është i pamundur të jetojmë brenda tij. Për hir të fëmijëve tanë, ai sistem duhet të shkrihet. Dhe ju, që e ndërtuat, nuk mund të jeni as ata që do të ndërtojnë të riun, e as ata që do të miratojnë të riun.
Kjo nuk është ndëshkim e as hakmarrje.
Është thjesht ndarje.
Imagjinojeni si një zjarrfikës që vjen e të nxjerr nga shtëpia jo sepse të urren. Të nxjerr sepse shtëpia po digjet, dhe ti nuk mund të qëndrosh brenda ndërsa ai e shuan zjarrin.
Protestuesit janë zjarrfikësit e shtëpisë sonë të përbashkët – Shqipëri- që po digjet që 36 vjet.
Prandaj kjo nuk është hakmarrje.
Është mbijetesë.
Çfarë është ky sistem që duam ta shkërmoqim — dhe pse nuk mund të reformohet?
Për 36 vjet na thanë: “Ky është kapitalizmi. Kështu funksionon tregu.”
Gënjeshtër.
Tregu i vërtetë ka rregulla: konkurrencë e ndershme, ligj i njëjtë për të gjithë, mundësi për të nisur nga e njëjta vijë.
Ajo që ndodhi në Shqipëri nuk është treg. Është një zinxhir i mbyllur:
Politikani jep leje – Oligarku ndërton – Krimi mbron – Pastaj të tre e ndajnë bashkë atë çka na grabitën neve.
Dhe nëse ti, si qytetar i thjeshtë, përpiqesh të hapësh një dyqan, një biznes, një shkollë, a të ndërtosh një shtëpi — zbulon se konkurron jo me tregun, por me të lidhurit.
Me ata që njohin një deputet, një kryetar partie, një sekser gjykate, me ata që kanë një kushëri në ministri, një shok në prokurori, një partner në polici.
Kjo nuk është më ekonomi tregu. Kjo është pengmarrje kolektive e popullit dhe e shtetit.
Dhe për 36 vjet, çdo qeveri — majtas, djathtas, “teknike”, “reformuese” — e ka forcuar këtë zinxhir, nuk e ka prerë, nuk e ka këputur, e ka trashëguar dhe e ka rritur.
Pse nuk mund të reformohet?
Sepse zinxhiri nuk varet nga një hallkë. Mund të ikë sot kryeministri, të vijë një tjetër — po i njëjti oligark, i njëjti krim, i njëjti prokuror e i njëjti gjykatës i lidhur vazhdojnë.
Reforma do të thotë të ndryshosh disa hallka, por të lësh zinxhirin në vend.
Nuk duhet reformë. Duhet shkërmoqje.
Por kjo shkërmoqje nuk bëhet me peticione që i drejtohen institucioneve që i ngritën ata që duam t’i shporrim.
Nuk mbledhim firma për të kërkuar drejtësi.
Sepse prokuroria dhe gjykatat janë krijuar nga i njëjti sistem.
Prokurorët janë emëruar nga politika. Gjyqtarët janë zgjedhur nga parlamenti i vjetër. Ata nuk janë të pavarur. Ata janë pjesë e zinxhirit.
T’i drejtosh atyre një peticion është si t’i kërkosh vjedhësit të hetojë veten.
Ai mund të hajë një dosje, të marrë një ryshfet, ose thjesht ta lërë të kalojë koha derisa të harrohet.
Ne nuk kemi kohë për këtë, boll pritëm 36 vjet që “institucionet të bëjnë punën e tyre”. Nuk e kanë bërë e nuk do ta bëjnë – Sepse janë të njëjtët.
Prandaj themi: Asnjë peticion. Asnjë listë me firma. Asnjë kërkesë drejtuar institucioneve të tyre. Kërkesa e vetme që për shkaqe gjuhësore e quajmë Kërkesë, në të vërtetë është një – Ultimatum që i drejtohet atyre që kanë pushtetin: Largohuni.
Dikush mund të thotë: “Mirë, por pasi largohen ata, kush do të na udhëheqë? Ne duhet të kemi partitë tona!”
Jo.
Partitë, nga natyra e tyre, krijojnë liderë. Liderët krijojnë hierarki. Hierarkitë krijojnë klientelizëm. Dhe klientelizmi na kthen atje ku nisëm.
Ata që krijojnë parti nga protesta dhe në kulmin e protestës nuk janë liderë të rinj.
Janë thjeshtë të infiltruar të sistemit të vjetër për të mos lejuar protestën të shkërmoqë sistemin. Sepse ata po përpiqen të bëjnë atë që sistemi i vjetër bëri më së miri: të kapin energjinë popullore dhe ta kthejnë në një mjet për karrierën e tyre.
Ne nuk kemi nevojë për parti të reja. Kemi nevojë për një sistem të ri ku partitë nuk janë më zotërit e popullit, por shërbëtorët e tij — dhe ku populli vendos drejtpërdrejt për çështjet e mëdha përmes referendumeve.
Prandaj: Nëse dikush nga ju po mendon të themelojë një parti, një lëvizje, një grupacion të ri — mos e bëni në emër të kësaj proteste.
Sepse kur presioni bëhet i madh, sistemi thotë: “Le të ulemi në tryezë. Le të diskutojmë. Le të gjejmë një zgjidhje të negociuar.” – për këtë i duhen partitë
Dhe pastaj, ata japin një copëz — një dorëheqje të këtij, një postim të atij, një premtim të ri — dhe protesta qetësohet. Dhe sistemi vazhdon. Vetëm me fytyra paksa të ndryshme.
Kjo quhet rotacion. Dhe rotacioni nuk është ndryshim. Është mashtrim i ri me metoda të vjetra e fytyra të reja.
Ndaj nuk duhet të negociojmë me sistemin që duam ta shkërmoqim. Nuk duhet të ulemi në tryezë me ata që na kanë grabitur për 36 vjet. Nuk kërkojmë “koncesione” nga dora e tyre.
Ndaj lëshojmë ultimatum për dorëheqje të plotë dhe shpërbërje të plotë. Jo pas 6 muajsh. Jo “tranzicion të drejtuar nga ju”. Jo “garanci nga ju për ne”.
Le të jemi të qartë. Ka tre grupe që duan të përfitojnë nga devijimi i protestës:
- Politikanët e rinj në hije
Ata duan të krijojnë parti të reja me veshje të reja, por të njëjtën logjikë të vjetër. Ata kërkojnë të bëhen “zëri i protestës”, të ndajnë turmën, të mbledhin emra për listat e tyre. - Oligarkët dhe krimi
Ata duan t’i mbajnë gjërat të qeta. Nuk u intereson kush është në pushtet, për sa kohë që biznesi i tyre vazhdon. Ata financojnë grupacione “të moderuara” që kërkojnë “bisedime” dhe jo shkërmoqje. - Agjentët e sistemit të vjetër
Ata janë dërguar nga sistemi për të shuar protestën. Nxisin peticione, lista, kërkesa drejtuar institucioneve që ata kontrollojnë. Dhe kur protestuesit të lodhen, do i hedhin ato letra në kosh.
Të tre duan të njëjtën gjë: që protesta të mos e prekë thelbin. Që sistemi të vazhdojë, me disa rregullime kozmetike.
Këtë herë sërish dikush thotë: “Po të largohen të gjithë, kush e merr pushtetin?
Do të ketë kaos.
Ka një përgjigje për këtë dhe nuk është utopi. Është një mekanizëm që funksionon.
Protestuesit duhet të propozojnë një Asamble Kombëtare Tranzicioni.
Por si funksionon:
Hapi 1: Propozimi i emrave
Çdo qytetar propozon emra njerëzish që nuk kanë qenë pjesë e sistemit 36-vjeçar, me kritere të qarta përcaktuese ku mund të jenë: të mos kenë qënë kryetar partish e kryetar degësh partie. Të mos kenë mbajtur detyra të larta në institucionet e qeverisjes qëndrore dhe vendore (Ministra; Zv/ministra; Sekretar të përgjithëshëm e drejtor drejtorish, kryetar bashkie e anwtar kwshillash bashkiak e qarku, deputet) dhe që kanë kontribuar në fushën e tyre për shtetin e për Atdheun (mësues, mjekë, punëtorë, artistë, bujq, etj).
Hapi 2: Shorti, jo zgjedhjet
Nga kjo listë, me short të pastër (para publikut e para kamerave, me vëzhgues vendor e ndërkombëtarë) zgjidhen 101 persona.
Pse short dhe jo zgjedhje?
Sepse zgjedhjet krijojnë fushatë, fushata krijon para, paraja krijon lidhje, lidhja krijon korrupsion.
Shorti është i pastër. Shorti nuk mund të manipulohet. Shorti nuk krijon liderë.
Hapi 3: Mandati i shkurtër dhe i kufizuar
Kjo Asamble qëndron për 12 muaj. Pastaj shpërndahet. Me kusht që çdo anëtar i kësaj Asambleje nuk mund të kandidojë në zgjedhjet që organizon. Askush nuk mund të qëndrojë më shumë se 12 muaj.
Detyrat e Asamblesë:
Të emërojë po me zgjedhje me short nga profesionistë të fushës një Qeveri Tranzicioni 12 mujore
Të hartojë një Kushtetutë të Re.
T’ia paraqesë popullit në referendum.
Nëse miratohet, të organizojë zgjedhjet e para të lira sipas kësaj Kushtetute.
Pastaj të shpërndahet.
Qeveria e Tranzicionit të ketë për detyrë vetëm të manaxhojë Shqipërinë për këto 12 muaj, e të kujdeset për dritat, ujin, taksat, doganat, policinë, ushtrinë, arsimin e shëndetësinë. Pa kopetenca për të realizuar tendera e nënshkruar kontrata, thjesht një qeveri manaxhuese deri në zgjedhjet e ardhëshme, dhe ku anëtarët e saj të mos lejohen të marrin pjesë në zgjedhjet që ajo do organizojë.
Dhe kjo
Kjo nuk është utopi. Është një urë. Dhe urat, kur të kalosh në anën tjetër, lihen pas.
Vetëm kështu thyhet e shkërmoqet sistemi, e ndërtohet një Demokraci.
Vetëm kështu i tregojmë brezave që do lëmë pas e atyre që do na lënë pas, se nuk protestojmë për pushtet, por protestojmë për të bërë shtet.
Protestojmë për të bërë Shqipëri
