Mbi 13 milionë euro të ardhura kanë realizuar vitin e kaluar personat privatë që japin me qira akomodime për qëndrim afatshkurtër, tregojnë përllogaritjet e Administratës së të Ardhurave Publike (UJP). Bëhet fjalë për dhënien ose ridhënien me qira të banesave, shtëpive dhe dhomave nga persona fizikë për qëndrim të shkurtër, pavarësisht nëse ato ofrohen përmes platformave si “Booking”, “Airbnb”, “TripAdvisor” apo në mënyra të tjera.
Sipas të dhënave që Televizioni Telma i ka marrë nga UJP, për vitin 2025 janë dorëzuar gati 7.000 deklarime nga persona fizikë, ndërsa tatimi i përgjithshëm e kalon 1 milion euro.
“Kur dhënia me qira e pasurive të paluajtshme bëhet nga persona juridikë, të ardhurat që realizohen në këtë bazë përbëjnë pjesë të të ardhurave të tyre të përgjithshme gjatë vitit dhe deklarohen në bilancin vjetor për vitin përkatës”, theksojnë nga UJP.
Dhënia me qira e një banese, shtëpie ose dhome për qëndrim afatshkurtër konsiderohet si aktivitet hotelier dhe rregullohet me ligjet përkatëse të këtij sektori.
Personat që japin me qira janë të detyruar jo vetëm t’i deklarojnë të ardhurat dhe të paguajnë tatim, por kanë edhe obligime të tjera ligjore.
Së pari, pronari ose mbajtësi i së drejtës së përdorimit të pronës duhet të paraqesë kërkesë për regjistrim në regjistër në Qytetin e Shkupit ose te kryetari i komunës ku ndodhet objekti. Për të marrë lejen duhet të plotësohen kushtet minimale teknike dhe kushtet e kategorizimit, ndërsa kategoria e fituar duhet të vendoset në vend të dukshëm në hyrje të objektit.
Nga Ministria e Ekonomisë sqarojnë se nëse një person fizik jep me qira banesë, shtëpi ose dhomë përmes një agjencie, është i obliguar të lëshojë faturë fiskale për shërbimin, ndërsa nëse e bën përmes platformave online, për çdo pagesë në llogari bankare duhet të paguajë 10% tatim personal mbi të ardhurat.
“Sipas Ligjit për taksën e qëndrimit të përkohshëm, personi fizik mban dy libra (për mysafirë vendas dhe të huaj) dhe duhet të paguajë 40 denarë për person për çdo natë qëndrimi”, thuhet nga Ministria e Ekonomisë.
Gjobat për ushtrimin e këtij aktiviteti pa vendim për kategorizim variojnë nga 100 deri në 250 euro.
Me qëllim rritjen e kontrollit në sektor dhe uljen e punës së paligjshme, BE së fundmi ka vendosur rregulla të reja për platformat digjitale të qiradhënies afatshkurtër.
Çdo shtet anëtar do të duhet të krijojë një sistem unik digjital regjistrimi për hostët, ndërsa platformat do të jenë të obliguara të dërgojnë rregullisht të dhëna tek institucionet për numrin e netëve të qëndrimit, mysafirët dhe aktivitetin e hostëve.
