Gazetari Klevin Muka është lënduar gjatë raportimit nga protesta e sotme në Tiranë, pasi është lagur nga uji i lëshuar prej një autoboti të policisë.
Në një reagim Shoqata e Gazetarëve Profesionistë të Shqipërisë deklaroi se Muka ka pësuar acarim të fortë të lëkurës, me shenja që ngjajnë me djegie të shkallës së parë.Pas incidentit, SHGPSH-APJA ka kërkuar nga Policia e Shtetit transparencë të plotë mbi përbërjen e lëndës së përdorur në autobotë, si edhe të gazit lotsjellës. Shoqata thotë se përdorimi i këtyre mjeteve po raportohet se ka shkaktuar simptoma lëndimi jo vetëm te punonjësit e medias, por edhe te protestuesit.
Deklarata e plotë:
Policia e Shtetit të bëjë transparencë mbi përbërjen e lëndëve që hedh në protestë
Shoqata e Gazetarëve Profesionistë të Shqipërisë (SHGPSH-APJA) shpreh solidaritetin me gazetarin Klevin Muka i TV News 24, i cili pësoi acarim të dukshëm të lëkurës në trup, me tipare të një djegieje të shkallës së parë, pasi u lag nga uji i lëshuar prej autobotit të Policisë, teksa po raportonte mbi protestën e ditës së sotme në Tiranë.Është skandaloze që gazetarët të lëndohen teksa informojnë publikun. Kjo është një situatë që vazhdon të përsëritet. Kërkojmë nga Policia e Shtetit një shpjegim zyrtar dhe transparencë të plotë mbi përbërjen e lëndës së hedhur nga autoboti, si dhe të gazit lotsjellës, përdorimi i të cilave, po raportohet se po shkakton simptoma lëndimi tek punonjësit e medias dhe protestuesit.
I urojmë kolegut Klevin Muka shërim të shpejtë dhe shprehim mbështetjen për të gjithë gazetarët që prej 12 ditësh raportojnë në kushte të vështira, duke u ekspozuar në mënyrë të përsëritur ndaj gazit lotsjellës dhe mjeteve të tjera të përdorura nga policia. Transparenca e Policisë së Shteti është detyrim, jo zgjedhje. Cenimi i sigurisë së medias cenon të drejtën e publikut për t’u informuar.
