Analisti Lutfi Dervishi ka reaguar pas deklaratës së Albert Nushit, shefit të Sektorit të Drejtimit në Departamentin e Sigurisë Publike, lidhur me angazhimin e forcave speciale RENEA gjatë protestës studentore para Kryeministrisë.
Nushi deklaroi se forcat speciale dolën në terren pas një telefonate në sallën operative, ku pretendohej se mes protestuesve kishte persona të armatosur.
Dervishi ka vënë në pikëpyetje mënyrën se si u mor vendimi për angazhimin e RENEA-s, duke theksuar se një telefonatë mund të ngrejë alarmin, por nuk mund të zëvendësojë përgjegjësinë për vendimmarrjen.
“Një telefonatë mund të japë alarmin, por nuk mund të zëvendësojë përgjegjësinë për vendimin e marrë”, përfundon Dervishi.
Ai ngre edhe pyetjet se kush e bëri telefonatën, çfarë informacioni u dha, nëse pretendimi u verifikua dhe kush urdhëroi daljen në terren të forcave speciale.
“RENEA nuk është grup i gatshëm për menaxhimin e protestave. Dalja e saj në terren duhet të ketë një arsye konkrete, një vlerësim të rrezikut dhe një zinxhir të identifikueshëm vendimmarrjeje”, shkruan Dervishi.
Postimi i plotë:
RENEA me një telefonatë?!
Sipas deklarimit të zyrtarit të Policisë, RENEA është nxjerrë në terren pas një telefonate në sallën operative se mes protestuesve kishte persona të armatosur.
Por kush telefonoi? Në ç’orë? Çfarë informacioni dha? Kush e verifikoi dhe kush urdhëroi angazhimin e forcave speciale?
RENEA nuk është grup i gatshëm për menaxhimin e protestave. Dalja e saj në terren duhet të ketë një arsye konkrete, një vlerësim të rrezikut dhe një zinxhir të identifikueshëm vendimmarrjeje.
Nëse nesër hetohet kjo ngjarje, a do të gjenden telefonata, regjistrimi i njoftimit në sallën operative, urdhri dhe dokumentacioni që justifikon ndërhyrjen?
Një telefonatë mund të japë alarmin, por nuk mund të zëvendësojë përgjegjësinë për vendimin e marrë.

