www.telegrami.mk
analizë
Kërkesa e studentëve shqiptarë që provimi i jurisprudencës të mbahet edhe në gjuhën shqipe nuk është temë e re. Për vite me radhë, partitë shqiptare kanë premtuar zgjidhje, por realiteti ka mbetur i njëjtë. Pas 22 viteve të BDI-së pa rezultat konkret, qytetarët prisnin ndryshim nga VLEN-i. Mirëpo, edhe pas afro tre vitesh në pushtet, Bilall Kasami dhe Izet Mexhiti po japin vetëm premtime të paqarta dhe pa afate konkrete. Vetëm pasi studentët paralajmëruan protesta, dy bashkëkryetarët e VLEN-it reaguan me statuse të shkurtra në Facebook duke premtuar “lajme të mira së shpejti”.
22 vite BDI premtoi barazi e dinjitet për gjuhën shqipe, por provimi i jurisprudencës ende nuk mbahet në shqip. Sot, pas tre vitesh në pushtet, edhe VLEN po ecën në të njëjtën rrugë të premtimeve pa afate e pa përgjegjësi.
Studentët shqiptarë u shëtitën derë më derë me pritje, fotografi e “pranime”, por pa rezultat konkret. Vetëm tani, kur studentët dolën në rrugë dhe protesta u bë realitet, Bilall Kasami dhe Izet Mexhiti u kujtuan të shkruajnë në Facebook: “Së shpejti me lajme të mira”.
Po pse “së shpejti”? Pse jo sot? Pse nuk jepet datë konkrete? Pse nuk sillet vendimi menjëherë, nëse vërtet ekziston vullneti politik?
Kur studentët kërkonin të drejtat e tyre në institucione, heshtja ishte përgjigjja. Tani, kur tema është nxehur dhe zemërimi po rritet, po shohim statusa të shkurtra e marketing politik. Shqiptarët nuk kanë më nevojë për fjali boshe, por për vendime konkrete.
Nëse edhe kjo kauzë përdoret vetëm për propagandë para kamerave e protestave, atëherë dallimi mes 22 viteve të BDI-së dhe viteve të VLEN-it do të mbetet vetëm në emër, jo në rezultat.
Studentët shqiptarë nuk kanë më nevojë për fotografi, statuse dhe fjali boshe politike. Ata kërkojnë vendime konkrete, afate dhe respektim të të drejtave të garantuara. Nëse edhe kjo çështje mbetet vetëm premtim i momentit për të qetësuar protestat, atëherë qytetarët do ta kuptojnë se ndryshimi mes BDI-së dhe VLEN-it është vetëm në emër, por jo në mënyrën e qeverisjes dhe të mashtrimit me kauzat shqiptare…www.telegrami.mk
=================================================================
Mesut Shabani Tetovë

