- Tifozët Kuqezi të Kombëtares Shqiptare dhe tifo-grupi “Plisat” nga Prishtina kanë konfirmuar zyrtarisht mbështetjen e tyre për protestën e studentëve shqiptarë që do të mbahet më 18 maj në Shkup, në mbrojtje të së drejtës për përdorimin e gjuhës shqipe në provimin e Jurisprudencës.
- Përmes thirrjeve publike në rrjetet sociale, të dy grupet kanë ftuar qytetarët shqiptarë që t’u bashkohen studentëve në protestën e paralajmëruar për të hënën, në ora 16:30, para Urës së Gurit në Shkup.
- Në reagimin e tyre, “Plisat” kanë theksuar se sa herë që preken interesat kombëtare, ata do të jenë gjithmonë të pranishëm, duke nënvizuar se gjuha shqipe është “e pacenueshme dhe e paprekshme” dhe do të vazhdojë të përdoret kudo ku jetojnë shqiptarët.
- Ata kanë bërë të ditur se do të jenë në “Shkupin shqiptar”, përkrah studentëve nga Ilirida, duke e cilësuar këtë protestë si një kauzë kombëtare për drejtësi, dinjitet dhe mbrojtje të identitetit shqiptar.
- Mbështetja e Tifozëve Kuqezi dhe e “Plisave” vjen vetëm pak ditë para protestës së organizuar nga studentët shqiptarë, të cilët kërkojnë respektimin e të drejtës ligjore për t’iu nënshtruar provimit të Jurisprudencës edhe në gjuhën shqipe, në përputhje me Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve.
- Protesta tashmë ka marrë mbështetje të gjerë nga organizata studentore, profesorë universitarë, figura publike, diaspora shqiptaro-amerikane, si dhe grupe të ndryshme qytetare e tifozësh shqiptarë nga mbarë rajoni.
