BallinaLajmeKauza e shqipes bashkon shqiptarët! Mbështetje e fuqishme për studentët

Kauza e shqipes bashkon shqiptarët! Mbështetje e fuqishme për studentët

Ajo që nisi si një kërkesë administrative, sot është shndërruar në një lëvizje më të gjerë qytetare, e cila kërkon respektimin e përdorimit të gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare në të gjitha institucionet e Maqedonisë së Veriut, tha njëri prej iniciatorëve të protestës, Mevlan Ademi

Shkup, 15 maj – Lëvizja studentore shqiptare në Maqedoninë e Veriut po merr përmasa kombëtare dhe ndërkombëtare, ndërsa numëron orët e fundit para protestës së dytë madhështore që do të mbahet të hënën, më 18 maj, në orën 16:30, pranë Urës së Gurit në Shkup. Me moton “Bashkohuni me studentët – të gjithë një zëri”, studentët e tre fakulteteve juridike – Universitetit të Tetovës, Universitetit të Evropës Juglindore dhe Universitetit “Nënë Tereza” kërkojnë diçka që, sipas tyre, është më elementare se çdo kërkesë politike: të drejtën për ta dhënë provimin e jurisprudencës në gjuhën në të cilën kanë studiuar, në shqip. Bazat ligjore janë të qarta. Neni 2 i Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve përcakton se institucionet e qeverisjes shtetërore duhet të mundësojnë përdorim të gjuhëve të tjera zyrtare të cilat fliten nga më së paku 20% e qytetarëve, që është gjuha shqipe. Po ashtu, neni 5 i këtij ligji thotë se institucionet janë të obliguara të mundësojnë përdorim të gjuhës shqipe në të gjitha procedurat para gjykatave dhe organeve të tjera shtetërore.

Megjithatë, sipas organizatorëve, kjo e drejtë po injorohet sistematikisht. Njëri prej iniciatorëve të protestës, Mevlan Ademi, shprehet se ajo që nisi si një kërkesë administrative, sot është shndërruar në një lëvizje më të gjerë qytetare, e cila kërkon respektimin e përdorimit të gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare në të gjitha institucionet e Maqedonisë së Veriut. “Besoj se të gjithë duhet të jemi të bashkuar, jo vetëm profesorët, por çdo shtresë e shoqërisë, për shkak se kjo të gjithëve na tangon. Nga një problematikë tematike u shndërrua në një debat të hapur për përdorimin e gjuhës shqipe në formë zyrtare në institucionet e Maqedonisë së Veriut”, theksoi Ademi. Ai hedh poshtë akuzat se protesta po keqpërdoret nga opozita shqiptare.

“Grupi jonë para dy viteve kur e kemi nis, kemi pritur gjatë kohë për të arritur, për të marrë një epilog, çështja jonë, por nuk morri. Tani na tregoni, çfarë duhet të bëjmë. Pritëm dy vite, pritëm katër muaj nga peticioni, po presim një muaj e gjysmë nga protesta e parë. Çfarë duhet të bëjmë ne, edhe sa duhet të presim që të zgjidhet kjo çështja jonë. Askush neve nuk na jep një afat kohor se për dy javë apo për dy muaj do e keni të zgjidhur problemin. Ne kemi qenë të gatshëm edhe të presim”, theksoi studenti Ademi. Ndërkohë, studentja Hava Nasufi shpreh dëshirën që kauza të kuptohet edhe nga kolegët e tyre maqedonas. “Do të kisha dashur shumë që edhe studentët maqedonas të na përkrahnin disi… të kuptojnë se si është që të studiosh në gjuhën tënde, të shkosh në ligjërata çdo ditë në gjuhën shqipe, të mësosh në gjuhën shqipe, dhe në fund të japësh provimin në gjuhën maqedonase”, tha studentja Nasufi.

MBËSHTETJE E FUQISHME NGA POLITIKA SHQIPTARE

Protesta e studentëve po merr mbështetje të jashtëzakonshme nga figura të rëndësishme politike në Shqipëri, Kosovë dhe diasporë. Pandeli Majko, ish-kryeministër i Shqipërisë dhe ish-deputet i Partisë Socialiste, e ka quajtur këtë lëvizje një betejë për të ardhmen. Me një mesazh të fuqishëm, ai u bën thirrje të gjithëve të bashkohen me protestën:

“Në Maqedoninë e Veriut ka nisur një lëvizje studentore, e djemve dhe vajzave të shqiptarisë! Studentët shqiptarë kërkojnë të drejtën më të vjetër në botë, atë të gjuhës amëtare! Të studiosh shqip dhe të japësh provimin në maqedonisht, fyen inteligjencën më naive! Shteti që ndroi emrin dhe flamurin, ka vendosur ‘të pyesë’ se çfarë të bëjë me fëmijët e shqiptarëve! Askush në Maqedoninë e Veriut nuk mund ta kthejë për shqiptarët, në të kaluarën e errët të Jugosllavisë së dikurshme! Protestoni sot! Ajo refuzon luftën nesër!”, ka shkruar Majko.

Jorida Tabaku, deputete e Partisë Demokratike në Kuvendin e Shqipërisë, e ka cilësuar mbrojtjen e gjuhës amtare si një të drejtë themelore dhe të panegociueshme. “Ka momente në histori kur një popull nuk kërkon privilegje. Nuk kërkon favore. Kërkon vetëm të drejtën për të qenë vetvetja. Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut kanë të drejta që nuk mund të zhbëhen, nuk mund të relativizohen dhe nuk mund t’u hiqen nga askush. Sepse gjuha nuk është vetëm komunikim. Është kujtesë. Është identitet. Është historia që një popull ua lë brezave. Prandaj mbrojtja e gjuhës amtare nuk është vetëm një çështje politike”, është shprehur Tabaku.

Deputeti i PS-së, Piro Vengu, ndërkohë në një takim me studentët shqiptarë n[ë Strugë është shprehur i qartë në mbështetjen e tij. “Kjo është beteja e drejtë që studentët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut po bëjnë me dinjitet, guxim dhe qytetari, duke u kthyer në një frymëzim për gjithë. Mohimi apo neglizhimi i gjuhës shqipe nuk është thjesht padrejtësi, por rrezik për të ardhmen profesionale, sociale dhe njerëzore të qindra mijëra të rinjve që duan të ndërtojnë jetën në vendin e tyre. Sot, këta studentë nuk po kërkojnë privilegje etnike, por një normalitet evropian”, ka thënë Vengu.

Nga Prishtina, Enver Hoxhaj, ish-ministër i Punëve të Jashtme të Kosovës dhe aktualisht deputet, ka shprehur mbështetje pa rezerva. “Në mbështetje të studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut dhe të drejtës së tyre për gjuhën shqipe. Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut janë faktor shtet-formues dhe zëri i studentëve duhet të dëgjohet, ndërsa e drejta në përdorimin e gjuhës shqipe të jetësohet”. Hoxhaj ka shkuar edhe më tej në një reagim të mëparshëm, duke e cilësuar pengimin e përdorimit të gjuhës shqipe në provimin shtetëror si “diskriminim të hapur institucional dhe sfidim të drejtpërdrejtë të rendit kushtetues të shtetit”, duke shtuar se trajtimi i shqiptarëve si qytetarë të rendit të dytë në sistemin e drejtësisë është politikisht i papranueshëm dhe i dëmshëm për perspektivën demokratike të vendit. Edhe ministri për Evropën dhe punët e jashtme i Shqipërisë, Ferit Hoxha, është shprehur i qartë: “Përdorimi i gjuhës shqipe në RMV është një e drejtë kushtetuese dhe kjo e drejtë nuk duhet të vihet në diskutim”.

Mbështetja ka tejkaluar kufijtë. Në Shkodër, dhjetëra qytetarë, të rinj dhe aktivistë marshuan në mbështetje të studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, duke kërkuar të drejtën për të dhënë provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe.

“NËSE MENDUAT SE U NDALËM – GABUAT!”

Pas protestës së parë madhështore të 6 prillit, ku mijëra studentë shqiptarë marshuan nga Ura e Gurit deri te Ministria e Drejtësisë, me thirrjet “Gjuha shqipe nuk negociohet” dhe “Respektoni Kushtetutën”, studentët kanë vendosur që zëri i tyre të mos shuhet. “Nëse menduat se e ndalëm, gabuat! Të parën e shpërfillët, e dyta po vjen!”, ky është mesazhi që po shpërndahet në qytete të ndryshme të vendit. Sipas studentëve, pas protestës së parë, institucionet kanë dhënë vetëm premtime politike, por asnjë hap konkret nuk është ndërmarrë.

Edhe pse reagoi Avokati i Popullit, i cili dërgoi shkresë zyrtare në Qeveri, dhe u paralajmërua formimi i një grupi pune për tejkalimin e problemit, zgjidhja konkrete mbetet larg. Kryeministri Hristijan Mickoski ka deklaruar se “shumë shpejt do të dalim me një propozim-zgjidhje, i cili do të jetë në përputhje me rekomandimet e Komisionit të Venecias dhe standardet ndërkombëtare”, por studentët nuk pajtohen me këtë qasje. Ata insistojnë se ligji ekzistues u jep tashmë të drejtën për të dhënë provimin në gjuhën shqipe nuk u nevojiten interpretime të reja, vetëm zbatim. (koha.mk)

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments