-0.2 C
Tetovo
E mërkurë, 18 Shkurt, 2026
BallinaLajmePse Arabia e nisi Ramazanin sot, kurse Maqedonia nesër? Shpjegim!

Pse Arabia e nisi Ramazanin sot, kurse Maqedonia nesër? Shpjegim!

Fillimi i muajit të Ramazanit këtë vit ka sjellë sërish një diferencë njëditore mes vendeve islame. Arabia Saudite ka shpallur fillimin e Ramazanit më 18 shkurt 2026, sepse sipas komisioneve të saj fetare, hëna e re, hilali. është konfirmuar i dukshëm mbrëmjen e 17 shkurtit në rajonin e Gadishullit Arabik. Në këtë vend zbatohet parimi klasik i shikimit të drejtpërdrejtë të hënës dhe pranimi i dëshmive nga zona ku dukshmëria realizohet më herët për shkak të pozicionit më lindor dhe kushteve atmosferike më të favorshme.

Sipas hadithit të transmetuar nga Buhariu dhe Muslimi: “Agjëroni kur ta shihni atë (hëna) dhe përfundoni kur ta shihni atë (hëna) nëse ju mbulohet, plotësoni tridhjetë ditët”, ndaj autoritetet saudite e konsiderojnë të vlefshëm fillimin sapo vërtetohet shikimi në horizontin e tyre.

Ndërkohë shumë besimtarë në Shqipëri shtrojnë pyetjen, pse ne fillojmë më 19 shkurt kur Arabia Saudite më 18? Përgjigjja gjendet në një praktikë të hershme juridike islame të quajtur “ikhtilaf al-matali” (ndryshimi i horizonteve). Transmetohet se Ibn Abbasi nuk e ndoqi fillimin e Ramazanit të Shamit edhe pse ishte parë atje hëna, duke thënë se Profeti Muhammed i kishte urdhëruar të agjëronin sipas shikimit të vendit të tyre. Kjo do të thotë se çdo rajon ndjek dukshmërinë reale lokale, sepse hëna mund të jetë e shfaqur në Lindjen e Mesme por ende e padukshme në Europë për shkak të këndit të ulët mbi horizont.

Prandaj në vitin 2026 në Ballkan hëna nuk arriti kriteret minimale të dukshmërisë mbrëmjen e 17 shkurtit dhe muaji Sha’ban plotësohet në 30 ditë, duke e bërë 19 shkurtin ditën e parë të agjërimit. Diferenca nuk është gabim, por zbatim i të njëjtit parim profetik në horizonte të ndryshme gjeografike, vendet ku hëna shihet më herët e fillojnë më herët, ndërsa vendet ku nuk shihet e fillojnë një ditë më pas. Në thelb, të dyja palët veprojnë sipas të njëjtit burim fetar, por në kohë të ndryshme për shkak të realitetit astronomik.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments