4.9 C
Tetovo
E diel, 15 Shkurt, 2026
BallinaLajmeReshjet dëmtuan trasenë e qarkores së Tetovës dhe përmbytën arat (Video)

Reshjet dëmtuan trasenë e qarkores së Tetovës dhe përmbytën arat (Video)

Reshjet e dendura të shiut kanë dëmtuar trasenë e qarkores/rrugës Tetovë-Trebosh-Xhepçisht e cila më pas duhet të lidhet me rrugën rajonale Tetovë-Jazhincë. Janë vërshuar gjithashtu edhe fushat, përmbytje ka edhe në fshatin Trebosh, shkruan Portalb.mk.

Banorët e zonës shprehen të revoltuar, pasi thonë se ndërtimi i qarkores filloi pa u konsultuar ata dhe se fillimisht duhej të zgjidhej çështja e ujërave atmosferik dhe e lumit.

Si pasojë e reshjeve dhe përmbytjeve ka pasur dëme në fshatin Trebosh dhe Pallaticë.

“Nuk janë marrë masa…njëherë duhet të rregullohet se ku do të shkojë uji atmosferik, pa mos u ndërtuar lumi i fshatit Poroj teposhtë, kanë filluar ta ndërtojnë andej. Njëherë ndërtoje terrenin, pastaj puno, që tre herë që mbushen këto arat lartë”, tha banori.

Kryetari i Bashkësisë Lokale në Xhepçisht tha se fillimisht duhej të rregullohej çështja e ujërave dhe më pas të fillonin punimet e rrugës.

“Fillimisht të rregullojnë një gjë të shohin uji nga do shkojë, çdo gjë e kanë bërë pa mos na pyetur. Kur niset një projekt duhet fillimisht të bëhen disa programe…Për 5 kilometra gjithë atë dëm janë duke na bërë në fushë. Nuk duam para të na japin, le të na zgjidhin problemin e ujit”, tha ai

Një banor tjetër theksoi se fillimisht duhej të shiheshin kushtet natyrore dhe se rruga u fillua pa mos u parë të njëjtat.

“Fajtor është faktori njeri, unë ua kam tërhequr vërejtjen, që tre vite ara më rin nën ujë. Fillimisht duhet të rregullohet shtrati i lumit, të vihet në vend të vet lumi dhe pastaj të fillohet projekti të bëhet. Ka pasur një kanal teposhtë, këta e mbyllën krejt dhe e bënë këtë marrëzi”, tha banori.

Ai shtoi se si rezultat i përmbytjeve kanë dëme të mëdha.

Në teren doli edhe kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami i cili tha se makineritë e komunës dhe operatorëve privatë me të cilët ka bashkëpunim komuna kanë dalë në terren dhe janë duke pastruar pikat kritike.

“Si rezultat i punimeve për qarkoren rrugën që del në rrugën rajonale Tetovë-Jazhincë janë bllokuar disa rrjedha të ujit edhe ka pasur edhe vërshime të tokave. Ajo që duhet potencuar që me punimet që do realizohen dhe sigurisht me pjesën tjetër të kanaleve rrjedhëse të këtyre lumenjve në të ardhmen besojmë që këto probleme nuk do paraqiten”, tha Kasami.

Punimet për ndërtimin e qarkores së Tetovës filluan në shkurt 2024, e njëjta fillimisht ishte planifikuar të përfundonte në maj 2025, më pas u zgjat afati për në tetor 2025, por nuk përfundoi në asnjërin afat.

Nga Ndërmarrja e Rrugëve Shtetërore në nëntor 2025 për Portalb.mk thanë se afati i përfundimit është zgjatur për në maj 2026.

Qarkorja planifikohet të ndërtohet nga fshati Trebosh dhe të del në fshatin Neproshten në rrugën rajonale Tetovë – Jazhincë, e njëjta lidhet edhe me autostradën Tetovë-Shkup. 

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments