Në Çair, një nga plagët më të mëdha urbane ka qenë ndërtimi i paligjshëm i objekteve kolektive mbi tokë shtetërore, në koordinim me drejtues komunalë. Skema ka qenë e qartë: objektet ndërtohen pa leje, më pas paraqiten si të ndërtuara para vitit 2011, duke përdorur numra arkivi të rremë, për t’u futur në procesin e legalizimit dhe për të shmangur pagesën e miliona eurove në taksa dhe detyrime ndaj shtetit.Pas ndërhyrjes së Prokurorisë dhe hetimeve që nisën mbi këtë fenomen, z. Mexhiti premtoi publikisht se ndërtimet e paligjshme në Çair do të ndaleshin një herë e përgjithmonë. Ky ishte një nga zotimet e tij kryesore elektorale.
Sot, vetëm tre muaj pas zgjedhjeve, realiteti është krejt i kundërt. Në Çair janë duke u ndërtuar të paktën gjashtë objekte banesore të reja, ndërsa dy prej tyre po ndërtohen mbi ndërtime tashmë të paligjshme. Kjo dëshmon se premtimi për ndalimin e kaosit urban ishte vetëm një mashtrim politik.
Këto ndërtime nuk janë vetëm shkelje ligjore, por janë goditje direkte ndaj rendit urban, sigurisë së qytetarëve dhe barazisë para ligjit. Çdo objekt i ngritur në këtë mënyrë është një sinjal se ligji vlen për qytetarët e zakonshëm, por jo për ndërtuesit e lidhur me pushtetin lokal.Ne kërkojmë ndalim të menjëhershëm të të gjitha punimeve në këto objekte. Kërkojmë që Inspektorati Shtetëror i Ndërtimit, Prokuroria dhe Ministria e Transportit dhe Lidhjeve të veprojnë pa vonesë. Kërkojmë hetim të plotë për mënyrën se si janë lëshuar dokumentet dhe kush i ka firmosur ato.
Çairi nuk mund të jetë pronë private e askujt. Qytetarët meritojnë ligj, rregull dhe siguri, jo ndërtime të paligjshme dhe marrëveshje në errësirë.
