Nëntë komunat e rajonit të Pollogut kanë harxhuar mbi 16.9 milionë denarë apo më shumë se 275 mijë euro për mirëmbajtjen dimërore të rrugëve gjatë sezonit 2025/26. Kjo shumë është pa TVSH pasi e njëjta nuk figuronte në disa kontrata, çka e bën koston më të lartë. Portalb.mk i hulumtoi kontratat e nënshkruara midis komunave dhe operatorëve privatë.
Komuna e Tetovës ka harxhuar më së shumti para, e ndjekur nga Gostivari dhe Mavrovë Rostsha. Disa komuna e bëjnë vet mirëmbajtjen e rrugëve gjatë dimrit. Një komunë nuk dha asnjë informatë, me javë injoroi pyetjet gazetareske.
Pjesa më e madhe e kompanive të angazhuara për pastrimin e rrugëve nga bora janë klientë të rregullt të komunave përkatëse, ata kryesisht merren me rregullim të rrugëve, por kryejnë edhe shërbime tjera si transport gjatë zgjedhjeve apo ndërtime tjera.
Tetovë
Komuna e Tetovës në fillim të vitit ka nënshkruar dy kontrata për mirëmbajtjen dimërore të rrugëve.
Më 2 janar 2026 nënshkroi kontratë me Eko Peu për prokurimin e kripës dhe rërës në vlerë prej 3.288.135 pa TVSH (mbi 53 mijë euro).
Pak ditë më vonë, më 20 janar 2026 nënshkroi përsëri kontratë me Eko Peu për mirëmbajtjen dimërore të infrastrukturës në territorin e komunës. Kjo kontratë është në vlerë prej 4.200.000 denarë pa TVSH (mbi 68 mijë euro).
Këto dy kontrata në total janë 7.488.135 denarë pa TVSH (mbi 121 mijë euro).
‘Eko Peu’ është fituese e rregullt e tenderëve në Komunën e Tetovës. Vetëm në vitin 2025 komuna i ka dhënë 14 tenderë kësaj kompanie, për ndërtim, sanim dhe mirëmbajtje të rrugëve.

Portalb.mk në të kaluarën ka shkruar për rrjetin e bizneseve të kësaj familjeje.
Gostivar
Komuna e Gostivarit më 6 janar 2026 nënshkroi kontratë me ‘Magum Trans’ në vlerë prej 4.270.000 denarë pa TVSH (mbi 69 mijë euro).
Kjo kompani e fitoi tenderin për mirëmbajtjen e rrugëve nga Komuna e Gostivarit edhe në vitin 2023 dhe 2024.

Mavrovë Rostushë
Komuna Mavrovë Rostushë ka nënshkruar dy kontrata. Më 11 dhjetor 2025 ka nënshkruar kontratë me Ballkan Tours në vlerë prej 742.000 denarë pa TVSH. Ndërsa më 9 janar 2026 u nënshkrua përsëri marrëveshje me ‘Ballkan Tours’ në vlerë prej 2.250.000 denarë pa TVSH. Të dy marrëveshjet kapin vlerën 2.992.000 denarë (mbi 48 mijë euro).
Кomuna Mavrovë Rostushë ka nënshkruar dy herë kontratë me këtë kompani gjatë vitit 2025 për transport gjatë zgjedhjeve, ndërsa kontratë ka nënshkruar dhe në vitin 2024 për mirëmbajtjen dimërore të rrugëve.

Vrapçisht
Komuna e Vrapçishtit më 13.11.2025 ka nënshkruar kontratë me ‘Arbi Trans 2000’ në vlerë 1.200.000,00 denarë pa TVSH (mbi 19 mijë euro).
Kjo kompani në 2025 ka fituar edhe tetë tenderë tjerë nga Komuna e Vrapçishtit, për rikonstruim të rrugëve, ndërtim të rezervarëve të ujit dhe rikonstruim të tubave.

Zhelinë
Komuna e Zhelinës më 31.12.2025 ka nënshkruar kontratë me ‘Kaloshi Kom’ në vlerë prej 600.000 denarë pa TVSH (mbi 9 mijë euro).
Jegunovcë
As komuna e Jegunovcës nuk ka publikuar thirrje publike për mirëmbajtjen e rrugëve, kjo sepse siç sqaruan nga kjo komunë për Portalb.mk, mirëmbajtjen dimërore të rrugëve lokale e kryen Ndërmarrja Publike Komunale “Jegunovcë”, me mekanizimin e vet, dhe në bazë të programit të miratuar paraprakisht nga Këshilli i Komunës.
“Për arsyet e lartpërmendura, Komuna e Jegunovcës dhe NPK Jegunovcë nuk kanë publikuar thirrje publike për prokurim publik”, thanë nga Komuna e Jegunovcës.
Nga Komuna e Jegunovcës sqaruan se NPK Jegunovcë ka planifikuar 300.000 denarë (mbi 4 mijë euro) për mirëmbajtjen dimërore të rrugëve dhe rrugicave lokale.
Bërvenicë
Komuna e Bërvenicës në vitin 2025 dhe 2026 nuk ka shpallur tender për mirëmbajtjen dimërore të rrugëve. Nga kjo komunë për Portalb.mk bënë të ditur se nuk pa pasur thirrje, sepse mjetet për mirëmbajtjen dimërore janë siguruar përmes një kontrate që është lidhur brenda pragut financiar të lejuar me ligj.
Më 26.11.2025 u nënshkrua kontratë në vlerë prej 60.000 denarë pa TVSH me KI-EM për kripë industriale.
Kontratë e njëjtë u nënshkrua edhe më 13.01.2026.
Pra, për dy vite janë paraparë 120.000 denarë (afër 2 mijë euro) pa TVSH për kripë industriale për mirëmbajtje dimërore dhe rëra nga procedura e prokurimit publik për furnizim dhe transport të rërës-tampon
“Mirëmbajtjen dimërore të rrugëve e kryen vetë Komuna e Bërvenicës përmes resurseve të veta dhe kapaciteteve organizative, pa angazhuar realizues të jashtëm, për këtë arsye nuk është lidhur kontratë e veçantë për këtë qëllim”, thanë nga Komuna e Bërvenicës.
Në ndërkohë, më 23 qershor 2025 Komuna e Bërvenicës ka nënshkruar kontratë me ‘Durak Trans’ në vlerë 2.000.000 denarë për furnizimin dhe transportin e rërës-tampon për nevojat e komunës. Kontratë të ngjashme me këtë operator komuna ka nënshkruar edhe në vitin 2024 dhe 2023.
Bogovinë
Komuna e Bogovinës posedon mjete themelore (kamion i specializuar) vetanake me të cilat bën mirëmbajtjen e rrugëve gjatë stinës se dimrit. Megjithatë, nuk na siguruan të dhëna se sa u kushton kjo mirëmbajtje.
“Ky aktivitet realizohet përmes Ndërmarrjes Publike Komunale ‘Sharri’ në përputhje me planin vjetor për mirëmbajtje, i cili miratohet nga Këshilli Komunal. Programa vjetore për mirëmbajtje të rrugëve që i kalon për realizim ndërmarrjes publike përfshin jo vetëm mirëmbajtjen dimërore, por edhe aktivitete tjera lidhur me mirëmbajtjen e rrugëve”, thanë nga Komuna e Bogovinës.
Tearcë
Në vitin 2025 Komuna e Tearcës hapi tender për mirëmbajtjen dimërore të rrugëve, por i njëjti u anulua.

Në ndërkohë kjo komunë më 16 janar 2026 ka hapur tender të ri për këtë qëllim i cili ishte i hapur deri më 23 janar 2026.

Edhe pse Portalb.mk disa herë kërkoi informacion nga Komuna e Tearcës, e njëjta i injoroi pyetjet gazetareske.
Kontrata e fundit e nënshkruar për mirëmbajtjen dimërore të rrugëve nga Komuna e Tearcës u nënshkrua më 31.12.2024 me Urban Plan Konstruktion në vlerë prej 1.200.000 denarë pa TVSH.
Të gjitha harxhimet në një vend
Sipas të dhënave të siguruara nga Portalb.mk, komunat e Pollogut kanë harxhuar në total 16.970.135 denarë apo 275.472 euro, pa TVSH pasi e njëjta nuk figuronte në disa kontrata, çka e bën koston më të lartë. Nëse shtohet TVSH-ja, shuma mund të ritet dukshëm. Ndërsa për komunat Tearcë dhe Bogovinë nuk ka të dhëna financiare.

Përfituesit më të mëdhenj të tenderëve
- Eko Peu (Tetovë): Kjo kompani është përfituesja më e madhe, me dy kontrata që kapin vlerën totale prej 7,488,135 denarë (pa TVSH) për kripë, rërë dhe mirëmbajtje. Gjatë vitit 2025, kjo kompani ka fituar gjithsej 14 tenderë nga Komuna e Tetovës për ndërtim dhe sanim rrugësh. Është raportuar gjithashtu se kjo kompani i përket familjes Bajrami.
- Magum Trans (Gostivar): Ka fituar tenderin me vlerë 4,270,000 denarë. Kjo kompani është fituese e rregullt në Gostivar, duke marrë tenderët e mirëmbajtjes dimërore edhe në vitet 2023 dhe 2024.
- Ballkan Tours (Mavrovë Rostushë): Ka siguruar dy kontrata me vlerë totale prej 2,992,000 denarë. Përveç pastrimit të borës, kjo kompani është angazhuar nga komuna edhe për shërbime të transportit gjatë zgjedhjeve.
- Arbi Trans 2000 (Vrapçisht): Përveç kontratës prej 1,200,000 denarë për dimrin, kjo kompani ka fituar edhe 8 tenderë të tjerë brenda vitit 2025, duke përfshirë projekte të mëdha për ujësjellës dhe rikonstruime rrugësh që arrijnë vlera miliona denarësh.
Kujtojmë që sezonin dimëror të kaluar 2024/25, sipas hulumtimit që realizoi Portalb.mk, komunat e Pollogut harxhuan rreth 340 mijë euro për mirëmbajtjen e rrugëve.
