Gjatë javës së tretë të vitit 2026, nga 12 deri më 18 janar, në Maqedoninë e Veriut janë raportuar gjithsej 2.062 raste të të sëmurëve nga gripi dhe sëmundje të ngjashme me gripin, njoftoi Instituti i Shëndetit Publik (ISHP). Edhe pse numri i rasteve të raportuara është 11,2 përqind më i ulët krahasuar me javën paraprake, autoritetet shëndetësore paralajmërojnë se intensiteti i virusit vazhdon të mbetet i lartë, transmeton Portalb.mk.
“Në krahasim me të njëjtën javë të sezonit të kaluar, kur ishin regjistruar 1.412 raste, numri i të sëmurëve këtë vit është rritur për 46 përqind. Në raport me kurbën tipike epidemike, e modeluar mbi bazën e të dhënave nga 15 sezonet e fundit, numri i rasteve është më i ulët për 6,9 përqind. Incidenca e raportuar vazhdon të jetë mbi pragun javor për aktivitet të mesëm, çka tregon për qarkullim të shtuar të virusit të gripit”, thuhet në informacionin e ISHP-së.
Numri më i madh i të sëmurëve është regjistruar te personat e moshës 15 deri në 64 vjeç, gjithsej 1.274 raste. Megjithatë, incidenca më e lartë, prej 289,1 rast për 100.000 banorë, është vërejtur te fëmijët e moshës 0 deri në 4 vjeç. Në këtë grupmoshë janë raportuar 279 raste, ndërsa te fëmijët nga 5 deri në 14 vjeç janë regjistruar 243 raste. Te personat mbi moshën 65 vjeç janë raportuar 266 raste.
Rastet e të sëmurëve janë evidentuar në 29 qendra të shëndetit publik në mbarë vendin. Numri më i madh i rasteve është regjistruar në Shkup me 556, pasuar nga Tetova me 146, Ohri me 142, Manastiri me 139 dhe Kumanova me 137 raste të raportuara. Në disa komuna më të vogla, numri i të sëmurëve është nën 30.
Aktivitet shumë i lartë i virusit të gripit është regjistruar në Dibër, Ohër, Sveti Nikollë dhe Kavadar, ndërsa aktivitet i lartë është vërejtur në Kratovë, Shtip dhe Vinicë. Në pjesën më të madhe të vendit është regjistruar aktivitet i mesëm deri sezonal, ndërsa në dy njësi është evidentuar aktivitet shumë i ulët i virusit.
Gjatë javës së tretë të vitit 2026 janë raportuar edhe dy raste vdekjeje të lidhura me gripin. Bëhet fjalë për një grua 75-vjeçare nga Shkupi dhe një burrë 69-vjeçar nga Kavadari. Të dy pacientët kanë qenë të hospitalizuar në Klinikën Universitare për Sëmundje Infektive në Shkup. Te ata është konfirmuar laboratorikisht prania e virusit Influenza A, kanë pasur sëmundje shoqëruese dhe nuk kanë qenë të vaksinuar kundër gripit sezonal.
Të dhënat nga mbikëqyrja virologjike tregojnë se gripi ka shtrirje gjeografike rajonale, ndërsa përqindja e mostrave pozitive është mbi 10 përqind tashmë gjashtë javë radhazi, çka tregon për përhapje të vazhdueshme dhe intensive të virusit.
Pavarësisht rënies së lehtë javore të numrit të të sëmurëve, institucionet kompetente paralajmërojnë se në vend vazhdon të jetë i pranishëm intensitet i lartë i gripit, veçanërisht i rrezikshëm për personat e moshuar, të sëmurët kronikë dhe qytetarët e pavaksinuar.
