Ligji për përfaqësim të drejtë dhe adekuat me disa finesa të vogla përmirësimi të propozuara nga Komisioni i Venecias është duke u përgatitur nga Qeveria para se të dorëzohet në Kuvend në vitin 2026. Por, në pyetje e deputetëve në të enjten e fundit të vitit u bë temë diskutimi mes pushtetit dhe opozitës. Deputetja e BDI-së Rina Ajdari i drejtoi pyetje Kryeministrit se përse e hoqi Balancuesin që në ditët e para të qeverisjes.“Përse balancuesi ishte ferrë në sy për të gjithë shumicën parlamentare dhe e keni hequr që nga fillimi i punës tuaj në ekzekutiv? Si mund të hiqet aq lehtë një element që ka garantuar përfaqësim të drejtë të punësimit të qytetarëve dhe mendoni të perceptoheni si i barabartë në sy të qytetarëve, duke propozuar ligje të tilla, ose duke mbështetur ligje të tilla? Se për fat të keq ka shumë kontradikta e paqartësi në këtë çështje kaq të ndjeshme për qytetarët por edhe shqetësuese njëkohësisht”, tha Rina Ajdari.
Kryeministri Hristijan Mickoski u përgjigj duke thënë se qytetarët duhet ta dinë të vërtetën se qeveria e BDI dhe LSDM rekomandoi heqjen e balancuesit, dhe për këtë BDI detyrohet për kërkim-falje, para së gjithash, qytetarëve shqiptarë. Mickoski tha se Ligji për përfaqësim të drejtë i hartuar nga kjo Qeveri po zbatohen sipas metodologjisë për anëtarësim në BE.
“Nuk është e vërtetë ajo që thatë për balancuesin! Përse? Sepse qeveria juaj, në të cilën ju ishit pjesë dhe zëvendëskryeministër i parë ishte Artan Grubi, ku BDI ishte partner i fuqishëm i koalicionit qeverisës, sollët vendim për tu fshirë balancuesi si mjet pasi që i ka skaduar koha. Dhe e dyta, Gjykata Kushtetuese ku sot ulen gjykatësit të zgjedhur nga shumica e kaluar parlamentare e BDI dhe LSDM sollët vendim, siç ju e komentoni dhe tregoni gjëra të pavërteta këtu në foltore që ky ishte vendim i kësaj qeverie, kjo nuk është e saktë”, deklaroi Hristijan Mickoski.
