9.8 C
Tetovo
E diel, 26 Tetor, 2025
BallinaLajmeBDI: Sindromin e Gazimestanit VLEN e manifestoi me ambasadorin rus dhe rusofilin...

BDI: Sindromin e Gazimestanit VLEN e manifestoi me ambasadorin rus dhe rusofilin Stoiljkoviq

Bashkimi Demokratik për Integrim ka reaguar ashpër ndaj pjesëmarrjes së përfaqësuesve të koalicionit VLEN në një ngjarje të organizuar nga Ambasada e Rusisë dhe shoqatat serbe në Maqedoninë e Veriut, duke e cilësuar këtë veprim si “manifestim të sindromit të Gazimestanit”.

Sipas reagimit të BDI-së, ambasadori rus Bazdnikin, bashkë me zëvendëskryeministrin për Marrëveshjen e Ohrit, Ivan Stoiljkoviq – i njohur për qëndrimet e tij rusofile – dhe me përfaqësues të shoqatave serbe në vend, kanë shënuar përvjetorin e “Betejës së Kumanovës” të vitit 1912. Kjo betejë, sipas BDI-së, simbolizon okupimin serb të Maqedonisë dhe vrasjen e mijëra shqiptarëve dhe maqedonasve.

“Jemi dëshmitarë të manifestimeve të shpeshta serbe në Maqedoni, si dhe të deklaratave të tipit ‘Serbia jugore’, ‘Serbia e vjetër’, ‘Banovina e jugut’, ndërkohë që autoritetet serbe i quajnë maqedonasit ‘maqedono-veriorë’, pa asnjë reagim nga institucionet tona”, thuhet në reagim.

BDI akuzon se koalicioni VLEN po i zëvendëson shqiptarët me serbë në pozitat drejtuese të qeverisjes, po sjell banka serbe në vend dhe po bashkëpunon ngushtë me figura politike si Dodik dhe Vuçiq, duke fyer Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe veteranët kosovarë.

“Si në maj të vitit 2024, në zgjedhjet presidenciale e parlamentare, ashtu edhe në tetor 2025, VLEN feston humbjen. Historia njeh vetëm një rast të tillë: betejën e Gazimestanit në Fushë Kosovë, ku serbët e mundur festojnë ende sot betejën me otomanët të vitit 1389. Ky fenomen i festimit të humbjes quhet ‘sindroma e Gazimestanit’, e njohur deri dje vetëm për serbët, por nga sot edhe për VLEN,” përfundon reagimi i BDI-së, duke shtuar se kjo është një dëshmi e qartë e “kapjes së tyre nga bota serbe, e konfirmuar edhe nga Parlamenti Europian”.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments