Djali i deputetes Merita Kollçi Koxhaxhiku nga VLEN, Premtim Koxhaxhiku, është punësuar gjithashtu në Navigacionin e RMV-së (M-NAV) si këshilltar i njërit prej tre drejtorëve, raporton SDK, transmeton Portalb.mk.
Premtim Koxhaxhiku do të këshillojë drejtorin e M-NAV, Fatmir Zimberi, i cili u emërua nga koalicioni qeverisës VMRO-VLEN. Deputetja Kollçi Koxhaxhiku e konfirmoi se djali i saj ishte pranuar në konkursin e fundit në M-NAV, se nuk është diçka për t’u fshehur dhe se ai kishte qenë i papunë për një kohë të gjatë.
Zimberi e intervistoi dhe e pranoi personalisht, por nuk ka dëshmitarë se ai ishte më i miri nga të gjithë aplikantët në konkurs, sepse si me të gjithë kandidatët e pranuar dhe të refuzuar, përfaqësuesi i sindikatës, u la jashtë derës dhe nuk iu lejua të vëzhgonte intervistën.
Në vazhdimin e dytë të shpalljes së parë, ku tashmë ishin pranuar nënkryetari i Unionit të Forcave të Reja (UFR) të VMRO-DPMNE-së, bashkëshorti i drejtoreshës nga VMRO–DPMNE në Regjistrin Qendror dhe bashkëshortja e një të dënuari për organizimin e sulmit mbi Kuvendin më 27 prill 2017, tani u pranuan vetëm ata që duhej të pranoheshin që atëherë, në qershor, por nuk kishin dokumentacion të plotë.
Këta janë kandidati për deputet nga VMRO-DPMNE në Shuto Orizarë, Erxhan Demiri, i cili nuk hyri në Parlament, pastaj Artan Shaqiri (i punësuar si sigurim i objektit, ndërkohë që M-NAV paguan agjenci private sigurie), më pas Igor Milloshevski, Aleksandar Nakovski dhe Selvije Mahmut.
Në arkivën e sektorit të burimeve njerëzore në M-NAV ekzistojnë dokumente që tregojnë se këta persona, të pranuar në konkursin e përsëritur, kishin konkurruar edhe herën e parë.
Ndryshe, në M-NAV viteve të fundit kanë dalë në pah shumë parregullsi dhe skandale.