Nëse vendet e Ballkanit Perëndimor nuk arrijnë të përmbushin reformat e premtuara deri në vitin 2027, fondet prej 6 miliardë eurosh të Planit për Rritje do të kthehen në buxhetin e Bashkimit Evropian. Këtë mesazh të drejtpërdrejtë dhe të pakompromis e dha komisionerja evropiane për zgjerim, Marta Kos, gjatë Samitit BE–Ballkani Perëndimor të mbajtur në Shkup më 30 qershor dhe 1 korrik, informon PressOnline.al.
“Nëse vendet nuk arrijnë të përthithin këto fonde deri në fund të vitit 2027, unë do të detyrohem t’i kthej paratë në buxhetin e BE-së. Preferojmë t’i japim fondet nëse ju realizoni reformat, sesa t’i kthejmë ato në Bruksel”, deklaroi Kos.
Reforma: 75% të realizuara, por çerekut tjetër i mungon vullneti politik
Sipas të dhënave të Komisionit Evropian, 75% e reformave në rajon janë zbatuar ose janë në proces, por çereku i mbetur po ngadalëson dinamikën. Komisionerja Kos u bëri thirrje liderëve të rajonit të përshpejtojnë proceset, duke përmendur se për herë të parë në një samit po flitet për rezultate konkrete.
Paratë dhe kushtet: pa reforma, s’ka fonde.Plani për Rritje parashikon 6 miliardë euro deri në vitin 2027, prej të cilave 2 miliardë janë grante, ndërsa 4 miliardë do të jepen si kredi të buta. Pagesat ndodhin në faza, dy herë në vit, vetëm nëse vendet përmbushin reformat për shtetin ligjor dhe qeverisje të mirë.
Maqedonisë së Veriut i janë ndarë 750 milionë euro, prej të cilave ka përfituar deri më tani 52.4 milionë euro. Shqipëria ka marrë 64.5 milionë, Serbia 110.7 dhe Mali i Zi 26.9 milionë.
“Fondi është historik, por nuk do të jetë i përhershëm. Fati i këtyre miliardave është në duart tuaja”, theksoi Kos, përcjell PressOnline.al.
Kushtetuta, identiteti dhe tensionet me Bullgarinë
Megjithatë, reformat ekonomike nuk janë i vetmi kriter. Për Maqedoninë e Veriut, sfida politike kryesore mbeten ndryshimet kushtetuese për përfshirjen e bullgarëve në preambulë. Komisionerja Kos kërkoi që vendi të përmbushë këtë obligim për të hapur Konferencën Ndërqeveritare.
“Nëse Maqedonia ndryshon Kushtetutën, menjëherë do të fillojë Konferenca Ndërqeveritare – pa kushte të tjera politike”, tha Kos.Por kryeministri Mickoski mbetet skeptik dhe kundër lëshimeve të reja:
“Nuk do të pranojmë shantazhe të maskuara si vlera evropiane. Më mirë të ndalemi sesa të na imponohet rruga”, deklaroi ai.
Në një debat simbolik, Kos foli për mënyrat se si identiteti ruhet përmes traditave – ushqimeve, gjuhës dhe veshjeve. Mickoski reagoi duke theksuar se për të, identiteti nuk është vetëm kuzhina maqedonase, por edhe heronjtë historikë dhe sakrificat kombëtare.
Ndryshe, Plani për Rritje është një mundësi unike për Ballkanin Perëndimor. Por siç paralajmëroi Kos: pa reforma, nuk ka as para e as integrim. Rajoni ka përpara një garë me kohën dhe një betejë me vullnetin politik.