16.5 C
Tetovo
E premte, 4 Korrik, 2025
BallinaLajme“Identiteti dhe gjuha po fshihen në mënyrë talebane”, Mickoski reagon ndaj ndryshimit...

“Identiteti dhe gjuha po fshihen në mënyrë talebane”, Mickoski reagon ndaj ndryshimit të raportit nga deputetët bullgarë

Na erdhi dita që në shekullin 21, në mënyrë talebane, të fshihet identiteti dhe gjuha maqedonase – ishte komenti i kryeministrit Hristijan Mickoski pasi eurodeputetët bullgarë kumtuan se është arritur marrëveshje me tre partitë më të mëdha evropiane që identiteti dhe gjuha maqedonase të mos përmenden fare në Raportin e deputetit Thomas Waitz për Maqedoninë, që pritet të miratohet javën e ardhshme në Parlamentit Evropian në Strasburg. Megjithatë, Mickoski shton se është një arritje fakti që identiteti dhe gjuha maqedonase kaluan në Komitetin për Punë të Jashtme.“Për ne është njësoj keq si të fshihet identiteti dhe gjuha maqedonase nga raporti, ashtu edhe sikur të shkruhej ‘moderne’ – është po aq keq. Por ajo që ka rëndësi është të theksohet se ajo hapësirë e vogël, kur kaloi në Komitetin për Punë të Jashtme, ku u përmendën gjuha dhe identiteti maqedonas, do të mbetet në memorien kolektive si hera e parë që u përmendën në kryeqytetin e Bashkimit Evropian – Bruksel”, tha Hristijan Mickoski, kryeministër.

Lajmin për ndryshimet në raport e publikoi eurodeputeti bullgar Andrej Kovaçev, i cili shkroi se Parlamenti Evropian është një hap larg nga fshirja e identitetit dhe gjuhës maqedonase nga raporti për Maqedoninë. Sipas tij, është arritur marrëveshje mes tre forcave më të mëdha politike në Parlamentin Evropian dhe pret që shumica ta pranojë amendamentin. Kovaçev tha se temat për identitetin dhe gjuhën nuk kanë vend në raport për një vend kandidat për anëtarësim në BE.

“Me kërkesë të grupit të Partisë Popullore Evropiane, tri partitë më të mëdha në Parlamentin Evropian – PPE, S&D (socialistët) dhe Renew Europe (liberalët), mbrëmë ranë dakord të fshihen të gjitha referencat për identitetin dhe gjuhën maqedonase nga draft-Raporti për përparimin e Maqedonisë së Veriut. Pres që ky amendament të mbështetet nga shumica në Parlamentin Evropian javën e ardhshme në seancën plenare”, shtoi Andrej Kovaçev, eurodeputet bullgar.

Raporti për përparimin e vendit pritet të vendoset në votim në seancën plenare të Parlamentit Evropian më së voni deri më 10 të këtij muaji. Më parë, ky raport ka kaluar në Komitetin për Punë të Jashtme – AFET.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments