Aleanca për Shqiptarët, dega e Arben Taravarit, kritikon deklaratat e fundit të zv/kryeministrit Arben Fetai lidhur me Ligjin për Përfaqësim të Drejtë, duke i konsideruar ato si një përpjekje tjetër për të justifikuar paaftësinë dhe dështimet e qeverisë aktuale në çështjet që lidhen me të drejtat e shqiptarëve.
“Të thuash se ‘propozimi ka qenë që në kohën e qeverisë së kaluar’, ndërkohë që sot ju mbani pushtetin ekzekutiv, nuk është vetëm shmangie nga përgjegjësia, por edhe një përpjekje për të relativizuar fajin tuaj politik. Kjo çështje nuk duhet të përdoret për llogari politike apo për të ndërtuar skenarë destabilizimi, siç tentoi ta paraqesë Fetai, por është një çështje drejtësie dhe barazie për shqiptarët në këtë shtet.
Dje akuzonit Arben Taravarin për vonesa, ndërsa sot përpiqeni të fshiheni pas së kaluarës. Por e vërteta është krejt ndryshe: Mickoski po shënon gola çdo ditë në portën tuaj, ndërsa ju ende mendoni se loja nuk ka nisur dhe se jeni jashtë fushës.
Dështimet tuaja të përditshme nuk mund të justifikohen me alibi të së kaluarës. Ju jeni në pushtet sot dhe mbani përgjegjësi për punësimet etnike, për vonesat sistematike dhe për injorimin e kërkesave legjitime të shqiptarëve.
Aleanca për Shqiptarët dhe Arben Taravari u tërhoqën nga kjo qeveri pikërisht për shkak të kësaj qasjeje përbuzëse ndaj shqiptarëve dhe për vonesat e pajustifikueshme në miratimin e ligjeve që u takojnë me të drejtë”, theksojnë nga ASH.
Nga Aleanca shtojnë se qytetarët nuk do të mashtrohen më me deklarata boshe. Tani është koha për veprime konkrete, përgjegjësi dhe ndëshkim të politikave që dëmtojnë shqiptarët në mënyrë sistematike.