Prindër të nxënësve të komunitetit maqedonas protestuan kundër hapjes së paraleles shqipe në sh.f. “Njegosh” të Idrizovës. Këtë video na dërgoi një prind i cili tha se i ka xhiruar fshehurazi.
Rizvan Seferi, njëri prej prindërve shprehet se asgjë nuk kërkojnë më tepër sesa ajo që u takon me ligj.
“Unë u ndala dhe e pyeta këshilltarin e Komunës së Gazi Babës i cili quhet Filip. Më tha, çfarë kërkon ti këtu?! A ke ardhur për të provokuar?! Unë e pyeta për çfarë keni dalë? Tha kemi dalë kundër paraleles të gjuhës shqipe, ju, tha, e keni transportin dhe ju mos u përzieni në këtë shkollë, vazhdoni me transportin, komuna ua paguan transportin dhe vazhdoni.”-thotë Rizvan Seferi, Prind.
E këshilli i prindërve të nxënësve shqiptar sot u takuan me ministrin e arsimit Jetn Shaqiri. Ai i ka informuar se Inspektorati arsimor është duke bërë raport për të parë nëse shkolla ka kushte për të hapur paralelen në gjuhën shqipe. E nëse nuk gjendet zgjidhje Shaqiri u shpreh se kryetarit të Komunës do t’i merren kompetencat.
“Kryetari i komunës aktuale e ka dorëzuar një shkresë deri te MASH, deri tek Ministria e Transportit për të gjetur lokacionin për të marrë gjithë dokumentet dhe për të filluar ndërtimin e një shkolle të re. Do të shohim të gjitha mundësitë ligjore jo vetëm për shkollën e Njegoshit, për të gjithë shkollat tjera në komunë, sepse për mua sistemi duhet të jetë i barabartë, nuk duhet të diferfencohet një shkollë nga shkollat tjera, nëqoftëse vendosim për t’i marrë kompetencat do t’i marrim të gjitha brenda sistemit arsimor nëse nuk e realizojnë atë të cilën e kanë obligim ligjor dhe kushtetues.”- deklaroi Jeton Shaqiri, Ministër i Arsimit dhe Shkencës.
Nxënësit shqiptar tashmë disa vite kërkojnë hapjen e paraleles shqipe në këtë shkollë, ose ndërtimin e një shkolle në fshatin e tyre, por deri tani shteti asgjë nuk ka bërë në këtë drejtim.