Ministria e Drejtësisë bashku me Ministrinë për Punë dhe Politikë Sociale dhe atë të Brendshmen kanë hartuar një draft ligj për personat e paregjistruar, që jetojnë në Maqedoninë e Veriut, por nuk janë të evidentuar në asnjë bazë të dhënave të shtetit. Ndonëse gjatë hartimit të këtij ligji ishte edhe shpallja në Regjistrin e vetëm elektronik kombëtar, të njohur si ENER, autoritete thonë se nuk janë paraqitur të gjithë banorët “fantomë”, ku sipas përllogaritjeve të tyre arrijnë shifrën e rreth 600 personave.Por, deputeti Samka Ibraimovski thotë se ky numër është shumë më i lartë.
Unë mendoj se ka shumë, ka mbi 1.500 persona ‘fantomë’ edhe pse në shpalljet e publikuara elektronike janë paraqitur një numër shumë i vogël për shkak se kjo kategori e njerëzve janë analfabetë, nuk janë në gjendje të lexojnë gazetat apo të informohen përmes televizioneve dhe nuk kanë pasur mundësi të paraqiten në kërkesat përkatëse- deklaroi Samka Ibraimovski,
Sipas deputetit Ibraimovski ky draft-ligj është në procedurë parlamentare dhe pas periudhës së pushimeve do të vazhdohet me realizimin e tij. Ministri pa resor i angazhuar për çështjen e romëve, Muzafer Bajram tha se regjistrimi duhet të bëhet me të drejta të barabarta për të gjithë.
Ligji për personat ‘fantom’ është vendosur në ‘ENER’ dhe ka shumë kritika lidhur me këtë ligj, por mendoj se nga diku duhet të fillohet. E di se dikush thotë që ky ligj është diskriminues pasi që këta persona të regjistruar nuk do të marrin letërnjoftim si të gjithë shtetasit e tjerë të RMV-së, por një dokument të posaçëm të identifikimit. Por, duhet të përmbahemi nga komentet dhe të shohim se si do zhvillohet procesi- tha Muzafer Bajram.
Nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale thonë se me këtë ligj, personave të paregjistruar deri më tani, do të u jepet mundësi që të gëzojnë të drejtat e garantuara me ligj, deri në marrjen e shtetësive. Personat e pa evidentuar, nuk kanë të drejtë të regjistrohen në shkolla, as të punësohen, e as të gëzojnë sigurim shëndetësorë e aq më pak të marrin ndihmë sociale. Madje shumica prej tyre, janë të komunitet romë, të cilët sot përkujtuan ditën e persekutimit të tyre për shkak të ngjyrës së lëkurës dhe gjenocidit gjatë Luftës së II-të Botërore.
Adnan Qaili