Në tri javët e fundit (nga 15 janari deri më 6 shkurt), zyrtarët shtetërorë kanë treguar sjellje nënçmuese, joprofesionale dhe arrogante ndaj gazetarëve gjatë konferencave për shtyp në Maqedoninë e Veriut.
Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) në 3-4 vitet e fundit ka vërejtur raste të komunikimit jo të duhur nga zyrtarët shtetëror me gazetarët në vend por këto janë incidente të izoluara. Megjithatë, një komunikim i tillë ka ndodhur pesë herë gjatë tre javëve të fundit. SHGM ka reaguar për të gjitha pesë rastet – Trendi i vazhdueshëm i sjelljeve të pahijshme të zyrtarëve shtetërorë ndaj gazetarëve; Ali Ahmeti nuk guxon të etiketojë mediat; Etiketimi jo i duhur i mediave nga kryeministri Kovaçevski; SHGM-ja reagon ndaj qëndrimit të zyrtarëve të MASH-it ndaj gazetares Qerimi dhe zyrtarët shtetërorë sulmojnë sërish gazetarët – kjo sjellje duhet të ndalet!
“Kjo sjellje ndaj gazetarëve dhe punonjësve të medias nga ata që duhet të jenë shembull i komunikimit pozitiv jo vetëm që do të ketë ndikim negativ te publiku në vendin tonë por padyshim që do të ketë vlerësim negativ në raportet e Komisionit Evropian si dhe organizata tjera relevante. Prandaj, kjo praktikë duhet të ndalojë dhe të gjitha palët e që krijojnë diskursin publik duhet të tregojnë respekt dhe qëndrim profesional ndaj gazetarëve dhe mediave”, tha Mlladen Çadikovski- kryetar i SHGM-së.
Federata Evropiane e Gazetarëve (EFJ) dënoi gjithashtu sjelljen e papërshtatshme të zyrtarëve publikë dhe i rikujton ata në detyrimet morale të funksioneve publike.
Rrjeti SafeJournalists i cili përfaqëson më shumë se 8,200 profesionistë të medias në Ballkanin Perëndimor, dënon sjelljen e atyre në pozita të pushtetit dhe autoritative si dhe u bën thirrje zyrtarëve shtetërorë të mos i gjykojnë dhe të respektojnë gazetarët sepse ata janë duke kryer detyrën tyre dhe parashtrojnë pyetje me interes për publikun. Autoritetet zgjidhen nga qytetarët dhe si të tillë janë përgjegjës ndaj tyre dhe ndaj gazetarëve që informojnë qytetarët për ngjarjet në vend. Gjithashtu, ato duhet të kultivojnë kulturë tolerance dhe të tregojnë gatishmëri për të bashkëpunuar.
Rrjeti SafeJournalists do ti informojë të gjitha palët relevante kombëtare dhe ndërkombëtare për këto raste.
Çdo sulm ndaj gazetarëve është sulm ndaj interesit publik, demokracisë dhe të drejtave të të gjithë qytetarëve.
Beograd – Podgoricë – Prishtinë – Sarajevë – Shkup – Zagreb, 09/02/2023
Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës
Shoqata e Gazetarëve të Bosnjë dhe Hercegovinës
Shoqata e Gazetarëve të Kroacisë
Shoqata e Pavarur e Gazetarëve të Serbisë.
Unioni i Mediave të Malit të Zi