ë punësuarit në administratën shtetërore do të kenë rritje lineare të pagave prej mbi 2.000 denarë nga marsi i këtij viti. Përveç paralajmërimit të rritjes së pagës minimale për 2,500 den, Ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi tha se kjo rritje shtesë është paraparë në Buxhetin e vitit 2023. Nëse dikush kundërshton rritjen e pagave, shoti ai, do të bënte një gabim të madh dhe nëse do të merret një zgjidhje ligjore, të gjitha partitë politike ndoshta do ta mbështesin në Kuvend. Bekteshi tha se do të bëjnë gjithçka për rritjen e pagave, duke pasur parasysh inflacionin që ka goditur gjithë qytetarët.
“Kemi krijuar një zgjidhje ligjore në fushën e përcaktimit të pagës minimale. Jo me vendim administrativ të caktuar qeveritar apo të ndonjë ministrie. Metodologjia është plotësisht e harmonizuar me sindikatat dhe institucionet, ku sipas të gjitha të dhënave nga viti paraprak, sipas gjitha gjasave paga minimale në muajin mars duhet të jetë rreth 20.500 denarë si në sektorin privat ashtu edhe në atë publik në shtet dhe ato mjete janë të parapara në të gjitha institucionet në Buxhetin për vitin 2023. Në mënyrë plotësuese për të pasur barazi, pagat në administratën shtetërore duhet të rriten në mënyrë lineare për rreth 2000 denarë”, deklaroi Kreshnik Bekteshi, Ministër i Ekonomisë.
Sipas pohimeve të zyrtarëve bëhet fjalë për rritje të pagave për rreth 20 mijë administratorë. Sipas kësaj rritje lineare, targeti prej 2,000 denarëve buxhetit të shtetit nga marsi do ti kushtonte rreth 40 milion denarë në muaj. Ndërkaq nga Ministria e Financave thonë se kjo rritje lineare është paraparë në kornizën ligjore të draft Ligjit për nëpunësit administrativ.
“Në këto 3-4 vitet e fundit kishte disa rritje të pagave në sektorë të ndryshme sikurse në gjykata dhe prokurori për 15%, në sektorin e arsimit 15% rritje pagash, duke përfshirë edhe arsimin e lartë 7,5%. Për tri vite me radhë kishte rritje të pagave nëpër inspektoratet e ndryshme me nga 10%. Në shëndetësi kishte po ashtu rritje të pagave si dhe më MPB, ARM dhe Qendrën për menaxhim me kriza dhe të tjera”, njoftojnë nga Ministria e Financave.
Ndërkohë për sistemin e pagave në sektorin publik pritet që Qeveria të propozoj rritjen e vlerës së koeficientit të pagave, që pas miratimit në Kuvend pagat sërish të rriten për 130 mijë të punësuar në gjithë sektorin publik, ku përfshihen nëpunësit shtetëror e publik policia, ushtria, arsimi, shëndetësia etj.
Autoritetet thonë se ky kalkulim sistematik erdhi nga grupet e punës së formuar nga Ministria e Financave, Ministria e Punës dhe Politikës Sociale si dhe Ministria e Administratës dhe Shoqërisë Informative. /Alsat.mk