9.8 C
Tetovo
E premte, 22 Nëntor, 2024
BallinaLajmeBotaRepublikani Kevin McCarthy merr drejtimin e Dhomës së Përfaqësuesve

Republikani Kevin McCarthy merr drejtimin e Dhomës së Përfaqësuesve

Pas një përpjekje pesë ditore dhe 15 raunde votimesh, republikani Kevin McCarthy u zgjodh sot herët në mëngjes kryetar i Dhomës së Përfaqësuesve. Ligjvënësi nga Kalifornia tejkaloi bllokadën e krijuar nga partia e tij përgjatë një jave kaotike, që vuri në provë aftësitë e shumicës së re republikane për të qeverisur. Presidenti Biden përshëndeti zgjedhjen e zotit McCarthy duke shtuar se udhëheqësit, duhet të vënë nevojat e popullit mbi gjithçka tjetër.

Ligjvënësi nga Kalifornia Kevin McCarthy, siguroi votat e nevojshme në raundin e 15-të pak pas mesnatës duke marrë drejtimin e Dhomës së Përfaqësuesve pas disa ditë përpjekjesh kaotike.

“Im atë gjithmonë më thoshte, nuk ka rëndësi si nis, por si përfundon”, tha zoti McCarthy në fjalimin e tij menjëherë pas fitores.

Zoti McCarthy parashtroi objektivat e mazhorancës republikane në drejtimin e Dhomës së Përfaqësuesve, ai foli për një valë hetimesh dhe seancash dëgjimore.

“Sistemi ynë është i ndërtuar mbi parimin e kontrollit dhe balancës. Është koha që ne të kontrollojmë dhe ofrojmë baraspeshë ndaj politikave të presidentit”, tha zoti McCarthy.

Presidenti Biden e përshëndeti zgjedhjen e zotit McCarthy si dhe ripërsëriti nëpërmjet një deklarate premtimin e bërë gjatë fushatës presidenciale, për të bashkëpunuar me republikanët.

Menjëherë pas marrjes së detyrës nga zoti McCarthy, ligjvënësit e rinj të dalë nga zgjedhjet e nëntorit bënë betimin çka shënoi fillimin zyrtarisht të legjislaturës së 118 të Kongresit amerikan.

Kthesa befasuese erdhi pasi zoti McCarthy pranoi shumë nga kërkesat e një grupi prej 20 ligjvënësish republikanë konservatorë, mes tyre rivendosjen e një rregulli të kahershëm, që i jep mundësinë qoftë dhe një ligjvënësi të vetëm të kërkojë një votim për shkarkimin nga detyra të kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve.

Gjatë fjalimit të tij udhëheqësi i ri republikan u premtoi demokratëve se debati në Dhomën e Përfaqësuesve nuk do të kishte prirje personale.

“Do të ketë raste kur biem dakord dhe kur nuk pajtohemi. Premtoj se debatet tona do të jenë plot pasion, por kurrë nuk do të jenë personale. Ky është angazhimi im ndaj jush”.

Zoti McCarthy mori mbështetjen e 216 ligjvënëse ndërsa kundërshtari demokrat Hakeem Jeffries 212 vota. Disa nga 20 republikanët që ishin kundër zgjedhjes së zotit McCarthy ndryshuan qëndrimin pas negociatave me dyer të mbyllura.

Ndërkohë në një zhvillim historik, Hakeem Jeffries u bë ligjvënësi i parë afrikano-amerikan që udhëheq një parti në Kongresin amerikan, atë demokrate.

Analistët thonë se pavarësisht fitores, zoti McCarthy mund të ketë një pozitë të dobët mes kërcënimeve të vazhdueshme nga kundërshtarët e tij. Kjo është hera e parë në 100 vjet që kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve zgjidhet në më shumë se një raund votimi.VOA

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments