Gjendja e jashtëzakonshme është shpallur në Londër pasi një sërë zjarresh shpërthyen në lëndina dhe bimësi në ditën më të nxehtë të regjistruar ndonjëherë në Britaninë e Madhe.
Kryebashkiaku Sadiq Khan tha se Brigada e Zjarrfikësve të Londrës (LFB) ishte nën presion të madh dhe u bëri thirrje qytetarëve që të jenë të vetëdijshëm për sigurinë e tyre, duke shtuar se situata ishte “kritike”.
Dhjetëra vetura të zjarrfikësve dhe qindra zjarrfikës morën pjesë në shuarjen e të paktën 10 zjarreve sot.
Gjendje alarmi ka shpallur edhe shërbimi i zjarrfikësve dhe shpëtimit të Leicestershire, një qark në Angli, për shkak të numrit të lartë të thirrjeve
Kujtojmë, sot për herë të parë në histori në Britaninë e Madhe, temperaturat kanë arritur deri 40 gradë Celsius, me saktësi 40,2 °C. Kjo temperaturë është matur në aeroportin Heathrow të Londrës në orën 12:50.
Met Office ka lëshuar një paralajmërim të kuq për shumicën e Anglisë, nga Londra në York dhe Manchester. Për shkak të temperaturave rekord, trenat ndaluan në Britani, disa shkolla u mbyllën dhe kopshtet zoologjike u ofruan banorëve të tyre ëmbëlsira gjigante akulli.
Britania, e cila normalisht lufton për të ruajtur shërbimet e transportit në kushtet e nxehtësisë ekstreme, të ftohtit ekstrem dhe borës, shpalli një alarm kombëtar pasi merkuri në termometra tejkaloi rekordin e mëparshëm prej 38.7 gradë në vitin 2019. /Telegrafi/