7.9 C
Tetovo
E shtunë, 27 Prill, 2024
BallinaOpinionZgjedhjet e hershme iu konvenojnë ASH-së e Besës, por jo edhe BDI-së...

Zgjedhjet e hershme iu konvenojnë ASH-së e Besës, por jo edhe BDI-së e PDSH-së, thonë analistët

Shkup, 30 Prill, Zhurnal.mk – Zgjedhjet e hershme parlamentare në Maqedoninë e Veriut aktualisht iu konvenojnë partive opozitare shqiptare, por jo edhe atyre në pushtet, konsiderojnë analistët vendorë.

Sipas analistit Xhelal Nezirit garimi sipas mënyrës së deritashme pa ndonjë koalicion para-zgjedhor nuk do t’iu konvenonte BDI-së dhe PDSH-së. 

Neziri konsideron se momentalisht mënyra më e mirë e garimit tash në zgjedhjet eventuale të hershme për këto dy parti do të ishte formimi i një koalicioni parazgjedhor, por jo edhe sipas traditës, pra të ndara.

“Zgjedhjet e hershme, në një farë forme, do t’i konvenonin edhe BDI-së nëse në të njëjtat do të garonte në koalicion me partitë tjera shqiptare, me të cilat ndanë pushtetin. Një koalicion i mundshëm BDI-PDSH do të mund të fitonte më shumë deputetë sesa kanë aktualisht bashkë. Në të kundërtën, BDI dhe PDSH si të vetme në zgjedhje, mund të shënojnë rënie në numrin e deputetëve”, thotë Neziri për Zhurnal.mk.

Ai njëjtë thotë edhe për dy partitë shqiptare në opozitë, ASH-në dhe Lëvizjen Besa, por me një koalicion para-zgjedhor.

“Nëse do të arrijnë të mbajnë gjallë këtë koalicion të zgjedhjeve presidenciale, ku përveç ASH dhe BESËS do të  bënte pjesë edhe lëvizja e Blerim Rekës, atëherë do të ishin të dëshiruara zgjedhjet për ato pasi si koalicion mund të kenë më shumë deputetë sesa që kanë tani,” tha më tutje Neziri. 

“Por, nëse sërish shkojnë veç e veç”, thotë Neziri “atëherë ASH do të fitonte deri më tre deputetë, kurse  BESA në variantin më të mirë do të kishte vetëm një”.

Më i drejtpërderjtë në parashikimet e tija është analisti Abdulla Mehmeti.

Sipas tij në rrethanat aktuale ASH-së dhe Lëvizjes Besa “u konvenojnë zgjedhjet e parakohshme parlamentare, sepse ato nuk kanë çfarë të humbin, vetëm mund t’i rritin gjasat për pushtet.” 

Mirëpo, sipas Mehmetit, që të dy këto parti nuk do të duhej llogaritur në rritje të përkrahjes në zgjedhjet eventuale të hershme parlamentare.

“Në demokracitë parlamentare, qytetarët kanë prirje për anim dhe përkrahje të forcave politike të reja, për aq më tepër kur ato nuk kanë qenë më parë në pushtet. Kjo ka ndodhur edhe me shqiptarët e Maqedonisë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 11 dhjetorit 2016. Megjithatë, këto parti të reja nuk ditën ta materializojnë votëbesimin e qytetarëve që i mbështetën në ato zgjedhje. Çështja e numrave pas këtyre zgjedhjeve i dëmtoi parimet demokratike, me grupimin e partive politike në Parlamant dhe Qeveri. Kjo situatë e re, votuesit dhe mbështetësit e këtyre dy partive i rebeloi në një formë, që rezultoi me përçarjen në Lëvizjen Besa, e cila tani nuk mund të mbijetojë si parti e vetme, por vetëm në koalicion me Aleancën për Shqiptarët. Megjithatë, në zgjedhjet e parakohshme parlamentare që mund të mbahen nuk pritet ndonjë rezultat spektakular nga këto parti, për shkak se ato udhëhiqen dhe funksionojnë me ide të vjetruara, me të cilat janë brumosur liderët e tyre në partitë e mëhershme ku janë kalitur si politikanë,” tha për Zhurnal.mk, analisti Abdulla Mehmeti.

Mehmeti, ndërkohë thotë se BDI-së “nuk i konvenojnë” zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Ai numëron një seri arsyesh pse partia ende më e madhe shqiptare nuk është e interesuar për zgjedhje të hershme. Sipas Mehmetit, BDI për shkak, siç thotë ai, të mos përmbushjes së një varg premtimeve për shqiptarët e vendit edhe mund të dërgohet në opozitë.

“Moszbatimi në kohë dhe në masë të duhur i Marrëveshjes kornizë të Ohrit; moszgjidhja e statusit të ish-ushtarëve dhe familjeve të dëmtuara në konfliktin e vitit 2001; paaftësia për parandalimin e konflikteve ndëretnike me përmasa tragjike, si rasti i Kumanovës; qeverisja gjatë tri mandateve me partinë OBRM-PDUKM, e cila u dëshmua si parti e paaftë për ta qeverisur vendin, pushteti i së cilës bashkë me BDI ka qenë thellë i përfshirë në afera korrupsioni dhe krimi të organizuar; bashkëqeverisja e BDI-së me një parti me orientim tepër shoviniste ndaj shqiptarëve; si dhe çështje të tjera, janë shkaqet kryesore që do ta çojnë BDI-në në opozitë. Këto fakte i ka të qarta kreu i kësaj partie, prandaj do të bëjnë çmos që të mos vijë deri në zgjedhje të parakohshme parlamentare. Kjo në një formë u dëshmua edhe në zgjdhjet presidenciale, në të cilat BDI dhe disa parti të tjera më tepër kanë aktruar se sa kanë bërë politikë. Rezultati i këtij aktrimi do të dëshmohet në rrethin e dytë të zgjedhjeve presidenciale, të cilat do të jenë shkas për zgjedhje parlamentare të parakohshme,” tha Mehmeti për Zhurnal.mk.  

Zgjedhjet e rregullta parlamentare në Maqedoni të Veriut do të duhej që të mbahen në Dhjetor të 2020-ës. 

Kryeministri Zoran Zaev, ka paralajmëruar se zgjedhjet e hershme do të mbaheshin në rast se kandidati i përzgjedhur nga partnerët qeverisës për kryetar të vendit, Stevo Pendarovski do të humbiste garën me Gordana Siljanovskën e përzgjedhur nga VMRO-DPMNE dhe nëse pragu zgjedhor 40 për qind i pjesëmarrjes së votuesve në rrethin e dytë me 5 maj do të dështonte.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments