ZAEVI BËN FAJTORE EVROPËN PËR NGECJEN E INTEGRIMIT

38

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev edhe një herë ka drejtuar gishtin drejt BE-së si fajtore për ngecjen e procesit të integrimit.

Ai tha se Shkupi po pret me dekada që Brukseli të mbajë premtimet e saj, ndërkohë që Maqedonia e Veriut ka përmbushur të gjitha detyrat sipas tij. Nga ana tjetër, Zaev u shpreh optimist se mund të arrihet marrëveshje në kontestin bilateral me Bullgarinë.

“Evropa është fajtore, na ka shumë borxh. Në vitin 2001 nënshkruam marrëveshje para Kroacisë, ndërsa Kroacia tani feston përvjetorin nga integrimi në BE. Nuk ka dilema. Gjithmonë e dërgoj këtë mesazh. Do shohim se çfarë do të dakordohen presidentët Radev dhe Pendarovski në Vatikan. Unë besoj në një epilog pozitiv”, deklaroi z. Zaev.

Nga ana tjetër, Ministri i Jashtëm i RMV, Bujar Osmani u shpreh se dy qeveritë po punojnë intensivisht në bazë të propozimit të presidencës portugeze dhe se qëllimi kryesor është kthimi i besimit të ndërsjellë, transmeton euronews.albania. 

“Po punojmë edhe me miqtë tanë për propozimin e presidencës portugeze dhe kemi konstatuar se është një bazë e mirë pasi merr parasysh gjithë pikat e ndjeshme të palëve. Zgjidhja portugeze në asnjë moment nuk i ka tejkaluar linjat e kuqe të asnjërit. Po punojmë edhe me Portugalinë edhe me Bullgarinë por edhe me shtetet e tjera anëtare në bazë të këtij propozimi. Qershori për neve është mundësia dhe synimi kryesor për zgjidhjen e këtij problemi”, deklaroi z. Osmani.

Më herët, dy presidentët e Bullgarisë dhe të Maqedonisë së Veriut, Rumen Radev dhe Stevo Pendarovski kanë dërguar mesazhe shpresëdhënëse për zgjidhjen e përplasjes mes dy shteteve fqinje, dhe kanë siguruar se dy shtetet kanë kapacitet për ta zgjidhur problemin vetëm, pa ndërmjetësim nga faktori ndërkombëtar.

Nga pala bullgare ende ka rezerva lidhur me propozimin e presidencës portugeze për tejkalimin e problemit, ndërsa Maqedonia e Veriut e sheh propozimin si bazë e mirë për një kompromis para Samitit të BE që pritet të mbahet në qershor