8.8 C
Tetovo
E enjte, 25 Prill, 2024
BallinaLajmeBotaVOA / Ekspertët: Zbulimi amerikan mbetet pas në shfrytëzimin e informacionit publik

VOA / Ekspertët: Zbulimi amerikan mbetet pas në shfrytëzimin e informacionit publik

Shumë zyrtarë të tanishëm dhe të mëparshëm të inteligjencës amerikane po paralajmërojnë gjithnjë e më shumë se rrjeti i spiunazhit me një buxhet prej 90 miliardë dollarësh po mbetet prapa sepse nuk ka përqafuar sa duhet grumbullimin e të dhënave nga burime që janë në dispozicion të publikut të gjerë të quajtura ndryshe burime të hapura.

Zyrtarët dhe ekspertët shqetësohen se SHBA-ja nuk ka investuar sa duhet fonde dhe njerëz për të analizuar të dhënat e disponueshme publikisht, ose për të përfituar nga teknologjitë e avancuara që mund të sigurojnë të dhëna kritike. Kundërshtarët, duke përfshirë Kinën, po shtojnë përpjekjet për të vjedhur dhe përvetësuar të dhënat amerikane, që mund të merren përmes inteligjencës artificiale dhe kompjuterave për të zbuluar sekretet që SHBA dëshiron t’i mbajë private.

Ndërsa alarmi për një virus të ri që po përhapej në Kinë, filloi të binte në mbarë botën, zyrtarët në Uashington iu drejtuan agjencive të inteligjencës për njohuri rreth kërcënimit që përbënte virusi për Amerikën.

Por, sipas një analize të fundit nga Kongresi të raporteve të klasifikuara, nga dhjetori i vitit 2019 dhe janari i vitit 2020, paralajmërimet e hershme më të dobishme, nuk erdhën nga spiunët apo përgjimet.

Në vend të kësaj, zyrtarët ishin mbështetur më së shumti në raportimet publike, kabllogramet diplomatike dhe analizat nga ekspertët mjekësorë – disa shembuj të së ashtuquajturës inteligjencë nga burimet e hapura apo të disponueshme për publikun e gjerë (OSINT).

Raporti i Kongresit zbulon se parashikimi i një pandemie, apo rënia e një qeverie në të ardhmen, do të kërkojnë përdorim më të mirë të të dhënave nga burime që janë në dispozicion të publikut të gjerë.

“Ka pak prova se aftësitë e veçanta të Komunitetit të Inteligjencës për grumbullimin e informacionit kanë siguruar të dhëna të vlefshme për politikëbërësit,” shkruajnë autorët e raportit, të hartuar nga demokratët në Komisionin e Zbulimit të Dhomës së Përfaqësuesve.

Kjo i bën jehonë asaj që shumë zyrtarë aktualë dhe të mëparshëm të inteligjencës po paralajmërojnë gjithnjë e më shumë: rrjeti amerikan i spiunazhit me një buxhet prej prej 90 miliardë dollarësh po mbetet pas, sepse nuk ka përqafuar mbledhjen e inteligjencës nga burimet e hapura, ndërsa kundërshtarët, përfshirë Kinën, i kanë shtojnë përpjekjet e tyre në këtë drejtim.

Kjo nuk e zvogëlon rëndësinë e inteligjencës tradicionale. Agjencitë e spiunazhit kanë fuqi unike për të depërtuar në komunikimet globale dhe për të rekrutuar agjentë. Kjo u pa qartë kur administrata Biden bëri publike përfundimin e saktë të inteligjencës se presidenti rus Vladimir Putin synonte të pushtonte Ukrainën.

Por zyrtarët dhe ekspertët shqetësohen se SHBA-ja nuk ka investuar sa duhet fonde, apo njerëz për të analizuar të dhënat e disponueshme publikisht, ose për të përfituar nga teknologjitë e avancuara, që mund të japin njohuri kritike. Imazhet nga satelitët, mediat sociale dhe të dhëna të tjera në internet, u kanë dhënë kompanive private dhe analistëve të pavarur aftësi të reja për të zbuluar sekretet zyrtare. Kina dihet se ka vjedhur ose ka fituar kontroll mbi një sasi të madhe të dhënash për amerikanët, me shqetësimet në rritje në Uashington për ndikimin e Pekinit mbi aplikacionet e përdorura gjerësisht si TikToku.

“Përdorimi i informacionit nga burime të hapura është tregues i aftësive të komunitetit të inteligjencës për të mbrojtur vendin”, thotë Kristin Wood, një ish-zyrtar i lartë në CIA, i cili tani është shef ekzekutiv në kompaninë Grist Mill Exchange, një platformë komerciale të dhënash. “Ne kolektivisht si komb nuk po përgatisim një mbrojtje për armët që kundërshtarët tanë po grumbullojnë.”

Agjencitë e inteligjencës përballen me disa pengesa për përdorimin e informacionit nga “burimet e hapura”. Disa janë teknologjike. Oficerët që punojnë në rrjete sekrete shpesh nuk janë në gjendje të hyjnë lehtësisht në internetin normal, ose tek burimet e hapura të të dhënave, për shembull. Ekzistojnë gjithashtu shqetësime për liritë civile dhe mbrojtjen e të drejtave sipas Amendamentit të Parë.

Por disa ekspertë gjithashtu shtrojnë pyetjen nëse agjencitë pengohen nga mentaliteti se informacionet tepër-sekrete janë më të vlefshme.

Ligjvënësi Jim Himes, demokrat nga shteti i Kënektikatit dhe anëtar për vite të tëra i Komisionit të Inteligjencës në Kongres, tha se duhet të bëhen “disa ndryshime në kulturën e punës së institucioneve si CIA, ku njerëzit janë të kënaqur të vjedhin sekrete kritike dhe jo të vëzhgojnë faqet e mediave sociale”.

Në një test të zhvilluar nga Agjencia Kombëtare e Inteligjencës Gjeohapësinore në vitin 2017, një ekip specialistësh konkurroi kundër një kompjuteri të programuar me algoritme për të identifikuar vendet kineze të raketave tokë-ajër duke përdorur imazhe komerciale.

Si njerëzit, ashtu edhe kompjuteri, identifikuan 90% të vendeve, sipas profesores së Universitetit të Stanfordit, Amy Zegart në librin “Spiunë, gënjeshtra dhe algoritme”, por kompjuterit iu deshën vetëm 42 minuta, ndërsa ekipit njerëzor iu desh një kohë 80 herë më e gjatë.

Raportet e krijuara duke përdorur satelitë komercialë, postimet në internet dhe burime të tjera të hapura – si analizat e përditshme mbi taktikat ushtarake ruse dhe ukrainase të publikuara nga Instituti për Studimin e Luftës – lexohen gjerësisht nga ligjvënësit dhe zyrtarët e inteligjencës.

“Ka shumë mundësi nga shfrytëzimi i informacioneve nga burime të hapura mbi të cilat komuniteti i inteligjencës amerikane mund të mbështetet për të qenë i pranishëm,” tha Frederick Kagan, një bashkëpunëtor i lartë në Institutin “American Entreprise” që mbikëqyr krijimin e raporteve të tilla. “Ajo që duhet të bëjë, është të kuptojë se si ta shfrytëzojë këtë ekosistem në vend që të përpiqet ta blejë atë”.

Shumica e 18 agjencive amerikane të spiunazhit kanë programe që përdorin të ashtuquajturin burim i hapur. Por zyrtarët e lartë e pranojnë se analizimi i të informacioneve nga këto programe nuk është në nivelin e duhur, ose nuk ndahet siç duhet.

“Ne nuk po i kushtojmë vëmendje të mjaftueshme njëri-tjetrit dhe nuk po mësojmë nga përvoja në pjesë të ndryshme të komunitetit të inteligjencës dhe nuk po zgjerojmë njohuritë”, tha Avril Haines, drejtoreshë e zbulimit kombëtar. “Dhe ne nuk po përfitojmë nga ekspertiza dhe informacioni i jashtëm dhe puna që mund të përfitohet”.

Agjencia “Open Source Enterprise” me seli pranë CIA-s është pasardhëse e Shërbimit të Informacionit të Transmetimeve të Huaja, ku për breza me radhë punonjësit monitoronin transmetimet e vendeve të tjera për përkthyer ato për analistët amerikanë.

Pjesa më e madhe e asaj pune u transformua gjatë dekadës së fundit. Aty ku njerëzit dikur duhej të udhëtonin në distanca të largëta për të marrë kasetat e transmetimeve në radio në vende ku amerikanët nuk ishin të mirëpritur, sensorët transmetojnë tani automatikisht sinjalet. Dhe përkthimi përmes aplikacioneve ka zënë tani kryesisht vendin e njerëzve që duhej të dëgjonin kasetat dhe t’i transkriptonin ato.

Por zyrtarët e pranojnë se duhet të bëjnë më shumë.

Zonja Haines ka filluar të bëjë analiza të shumta të informacionit nga burimet e hapura, që kur u bë drejtoreshë e inteligjencës kombëtare dhe pritet të finalizojë rekomandimet e saj këtë vit.

Nuk ka konsensus nëse SHBA duhet të krijojnë një agjenci, apo qendër të re për informacionet me burim të hapur. Mbështetësit thonë se një organizatë e re mund të përqendrohet në adoptimin e teknologjive të avancuara dhe krijimin e produkteve më të dobishme, ndërsa kundërshtarët shtrojnë pyetjen nëse një gjë e tillë do të ishte fryrje e panevojshme duke thithur burime nga agjencitë e tjera.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments