Sindikata e Pavarur e Gazetarëve dhe Punonjësve Mediatikë (SPGM) dhe Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) shprehin shqetësim lidhur me deklaratën e kryeministrit Hristijan Mickoski për porositjen e teksteve në media, të dhënë në një intervistë televizive para dy ditësh.
Në deklaratën që kishte të bënte me shkrimin e gazetës “Financial Times” (FT) për operacionet afariste të Alta Bankës së Serbisë në Austri, kryeministri la të kuptohet se artikulli konkret në këtë medium ishte ose mund të ishte porositur.
Vënia në dyshim e reputacionit të një mediumi prestigjioz botëror dhe të cilitdo mediumi profesional nuk përcjell mesazh të mirë. Edhe më serioz është qëndrimi i kryeministrit se subjektet politike ‘mund të porosisin tekste në çfarëdo portali’ dhe se ‘mund të shkruhet gjithçka’, si dhe deklarata e tij se ‘nuk e kupton se çfarë ka të keqe këtu’. Në pyetjet shtesë të gazetares, kryeministri mohoi se ai ose partia në pushtet porosisin tekste për të denigruar dikë.
SPGM dhe SHGM e marrin parasysh këtë, por konsiderojnë se deklarata të tilla, pavarësisht qëllimit, e minojnë rolin e mediave të lira në shoqëritë e qëndrueshme demokratike: të jenë kontrolluese të pushtetit dhe të kontribuojnë në informimin e publikut mbi bazën e fakteve të konfirmuara nga burime relevante”, thuhet në komunikatën e përbashkët.SPGM dhe SHGM rikujtojnë se tekstet e porositura në media mund të publikohen vetëm si reklama për qëllime marketingu, të cilat mediumi duhet t’i shënojë qartë.
“Jemi të vetëdijshëm se në disa media mund të ekzistojnë edhe porosi joformale për publikimin e teksteve, por kjo praktikë është plotësisht në kundërshtim me standardet profesionale dhe etike të gazetarisë dhe dëmton interesin publik. Prandaj, deklarata të tilla e cenojnë edhe më tej besimin tashmë të brishtë në media dhe te gazetarët”, vlerësojnë nga SPGM dhe SHGM.
