www.telegrami.mk
lajmi interaktiv
VLEN flet për 306 projekte dhe për një “model të ri qeverisjeje”, por qytetarët kanë të drejtë të pyesin: ku janë investimet kapitale që ndryshojnë realisht jetën e tyre?
Si banor i Tetovës, nuk shoh projekte madhore që do ta transformonin qytetin. Nuk shoh zgjidhje për kaosin urban, mungesën e parkingjeve publike, ndotjen, transportin modern, rrjetin e kanalizimit, infrastrukturën e lagjeve apo ndërtimin e objekteve të reja me interes publik. Përkundrazi, debati publik është përqendruar gjithnjë e më shumë te dhënia në shfrytëzim e parcelave dhe pronës komunale për investitorë privatë, gjë që ka ngritur pikëpyetje në opinion për mënyrën se si menaxhohet pasuria publike.
Promovimi i një rruge të asfaltuar nuk mund të paraqitet si sukses historik, sepse mirëmbajtja dhe ndërtimi i rrugëve janë detyrim i çdo pushteti lokal. Investimet kapitale nënkuptojnë projekte që krijojnë zhvillim afatgjatë: zona industriale funksionale, shkolla moderne, çerdhe, parkingje shumëkatëshe, impiante ekologjike, transport publik cilësor dhe projekte që krijojnë vende të reja pune.
Nëse VLEN pretendon se ka ndryshuar mënyrën e investimit në komunat shqiptare, atëherë duhet të publikojë në mënyrë transparente listën e plotë të 306 projekteve, vlerën financiare të secilit projekt, burimin e financimit, fazën e realizimit dhe afatet e përfundimit. Vetëm kështu qytetarët mund të gjykojnë nëse bëhet fjalë për investime reale apo për premtime dhe promovime politike.
Tetova nuk ka nevojë për propagandë me numra, por për rezultate që shihen çdo ditë nga qytetarët. Në fund, suksesi i një pushteti nuk matet me numrin e konferencave për shtyp apo komunikatave partiake, por me cilësinë e jetës që u ofron qytetarëve. Dhe derisa qytetari i Tetovës nuk e ndien këtë ndryshim në përditshmërinë e tij, është krejt legjitime të shtrojë pyetjen: ku janë investimet kapitale që premtohen?…www.telegrami.mk
===========================================================
Mesut Shabani

