Guvernatori Trajko Sllaveski deklaroi dje se nuk e dinte se kush është pronari i „Alta Bankës” në Beograd, se nuk e dinte se çfarë përqindje të pronësisë kishte dhe se kjo çështje nuk e kishte interesuar.
Atëherë, si i dha leje kësaj banke të hyjë në tregun bankar të Maqedonisë? Me urdhër të Mickoskit? Për shkak të interesave të biznesit dhe pastrimit të parave me Vuçiqin? – pyeti sot në një konferencë për media Aleksandar Sasha Dimitrijeviq, sekretar i përgjithshëm i LSDM-së.
Sipas tij, ky është po ai Sllaveski që vetëm para disa ditësh deklaroi se gjithçka është në rregull me „Alta Bankën” në Maqedoni, ndërkohë që qytetarët nuk mund të tërheqin paratë e tyre.
Degët e bankës nuk punojnë, në bankomate pritet me orë të tëra, ndërsa kompanitë, nga ana tjetër, transferojnë lirisht paratë.
Kjo deklaratë e Sllaveskit vjen pikërisht në të njëjtën ditë kur në Serbi u publikua lajmi për arrestimin e pronarit të bankës, Davor Macura, si dhe informacioni se ai kishte nxjerrë nga kasaforta e bankës 400 milionë euro në para të gatshme.
Për shumëkënd, sot kjo mund të duket e paimagjinueshme, por së shpejti do të tronditen nga detajet që lidhen me VMRO-në, Mickoskin dhe marrëdhëniet kriminale me partinë e tyre simotër SNS-në dhe Vuçiqin.
Pse guvernatori po fsheh se sa para ka transferuar Vuçiqi në Maqedoni? A kanë mbetur ato këtu apo kanë vazhduar më tej drejt Moskës? Tani, kur kontrollin e ka marrë Banka Popullore, nuk mund të thonë se nuk dinë asgjë”, shtoi ai.
Dimitrijeviq pyeti gjithashtu se përse po fshihen të dhënat dhe nëse Mickoski dhe anëtarët e tjerë të mafies kanë llogaritë e tyre bankare në „Alta Bankë”.
Ndërkohë, siç u shpreh ai, populli në Maqedoni nuk mund t’i tërheqë paratë e veta.
„Masat e vendosura nga Sllaveski janë ndërmarrë me qëllim që kjo grup kriminal t’i përfundojë pa pengesa transferimet e saj të parave, ndërsa qytetarët nuk mund të kenë qasje në paratë e tyre.
Para për jetesë, për nevoja elementare, për ushqim dhe ilaçe.
Ky është mbrojtje e kapitalit të kriminelëve në kurriz të kursimtarëve, depozitat dhe llogaritë e të cilëve janë bllokuar.
Nëse vërtet do të dëshironin t’i mbronin qytetarët, do t’u lejonin atyre t’i tërhiqnin paratë e veta pa pengesa dhe pa kufizime.
Por kjo nuk u bë.”
Sipas Dimitrijeviqit, në vend të kësaj, po mbrohen paratë e mafies.
„Udhëtimi i Mickoskit në Gjermani në këtë moment nuk është gjë tjetër veçse një ikje nga përgjigjet që e presin.
Prokuroria duhet të reagojë dhe të hapë hetim. Ju keni dhënë betimin se jeni në shërbim të qytetarëve, e jo të kësaj mafieje në pushtet.
Edhe ju do të mbani përgjegjësi nëse vazhdoni ta mbroni këtë bandë.”
