BallinaLajmeValbon Limani deri tash nuk prononcohej hapur tash kur ...?: Nuk jam...

Valbon Limani deri tash nuk prononcohej hapur tash kur …?: Nuk jam politikan “tregtar”, mbetem në ASH, çdo veprim i imi është transparent

Kryetari i Komunës së Gostivarit, Valbon Limani, ka komentuar pjesëmarrjen e tij në aktivitetin e organizuar nga Ambasada e Republikës së Kosovës në Maqedoninë e Veriut, me rastin e vizitës së kryeparlamentares së Kosovës, Albulena Haxhiu, duke hedhur poshtë interpretimet politike që janë bërë lidhur me praninë e tij në këtë ngjarje.

Në një intervistë për emisionin „Dialog te Lajmi“, Limani tha se në aktivitet kishte marrë pjesë me ftesë të ambasadorit të Kosovës, z. Qehaja, dhe se nuk sheh asgjë të jashtëzakonshme që si kryetar i një komune me shumicë shqiptare të marrë pjesë në një aktivitet të organizuar nga Ambasada e Kosovës.

Ai theksoi se përfaqëson të gjithë qytetarët e Gostivarit dhe se respekti i tij ndaj institucioneve të Kosovës është i njëjtë me atë ndaj institucioneve të Shqipërisë.

„Nuk shoh asgjë tragjike që si kryetar komune me shumicë shqiptare të marr pjesë në një aktivitet të cilin e organizon Ambasada e Republikës së Kosovës. Interpretimet gjithmonë mund të jenë të ndryshme, por unë përfaqësoj Komunën e Gostivarit dhe të gjithë banorët e saj. Ambasada e Kosovës e ka respektin e njëjtë sikurse edhe Ambasada e Republikës së Shqipërisë. Ne jemi të lidhur shpirtërisht dhe në forma të ndryshme si me Republikën e Shqipërisë, ashtu edhe me Republikën e Kosovës“, deklaroi Limani.

Ai bëri të ditur se, sipas informacioneve që ka, ftesa për këtë aktivitet u ishte dërguar të gjithë kryetarëve shqiptarë të komunave, duke theksuar se duhet të krijohet një standard i ri politik, ku raportet me Kosovën dhe Shqipërinë trajtohen në mënyrë të barabartë dhe vëllazërore.

Ndërkaq, duke komentuar interpretimet dhe spekulimet për pozicionimin e tij politik dhe mundësinë e kalimit në VLEN, Limani ishte i drejtpërdrejtë, duke theksuar se mbetet në Aleancën për Shqiptarët (ASH).

„E kam thënë dhe përsëri do ta them: unë nuk jam politikan tregtar dhe secilin veprim timin e bëj me vetëdije të plotë, në mënyrë transparente dhe publike. Ata që interpretojnë se diçka po ndodh, le të mos kenë dert, sepse nëse ndonjëherë ndodh diçka, gjithçka do të jetë publike dhe të gjithë do ta dinë“, u shpreh Limani.

Me këtë deklaratë, Limani u dërgoi mesazh atyre që spekulojnë për të ardhmen e tij politike, duke lënë të kuptohet se nuk ka ndryshim të pozicionimit të tij dhe se vazhdon të jetë pjesë e Aleancës për Shqiptarët, e jo e VLEN-it.

Limani: Synojmë bashkimin e strukturave dhe rikthimin e të gjithë atyre që janë larguar nga ASH

Aleanca për Shqiptarët paralelisht me mbajtjen e Kongresit ka nisë një proces të gjerë të bashkimit dhe konsolidimit të strukturave partiake, me qëllim rikthimin e të gjithë anëtarëve dhe aktivistëve që në periudha të ndryshme janë distancuar ose larguar nga partia. Kështu ka deklaruar Valbon Limani, kryetar i Komunës së Gostivarit dhe kryetar i Këshillit Organizativ për organizimin e Kongresit të Aleancës për Shqiptarët.

Në një intervistë për emisionin „Dialog te Lajmi“, Limani bëri të ditur se procesi i përgatitjeve për Kongresin po zhvillohet sipas dinamikës së paraparë, ndërsa tashmë është përmbyllur formimi i pothuajse të gjitha degëve të partisë. Sipas tij, Kongresi pritet të mbahet në fillim të muajit dhjetor, ndërsa data e saktë do të caktohet në ditët në vijim.

Duke folur për prioritetet e partisë paralelisht me Kongresin, Limani theksoi se bashkimi i strukturave dhe rikthimi i njerëzve që kanë qenë pjesë e Aleancës duhet të jenë objektivi kryesor politik dhe organizativ.

„Qëndrimi ynë aktual si ASH është që me Kongresin të kemi si qëllim bashkimin e strukturave. Të bisedojmë me të gjithë njerëzit të cilët në periudha të ndryshme kohore janë distancuar apo janë larguar për arsye të ndryshme dhe t’i rikthejmë. Mendoj se ASH-ja ka një potencial të jashtëzakonshëm njerëzor dhe duhet të mundohemi që secilin që gjatë rrugëtimit tonë ka qenë pjesë e Aleancës, ta rikthejmë aty ku e ka vendin“, deklaroi Limani.

Ai vlerësoi se vetëm përmes bashkimit dhe konsolidimit të brendshëm, Aleanca për Shqiptarët mund të forcohet si subjekt serioz politik, i aftë për të përfaqësuar interesat e shqiptarëve si në pushtetin lokal, ashtu edhe në atë qendror.

Sa i përket çështjes së lidershipit dhe kandidaturave të mundshme për kryetar të partisë, Limani tha se ende është herët për të folur, duke theksuar se vendimi për kandidimin i takon kryetarit aktual, Arben Taravari. Ai u shpreh se Taravari ka pasur një mandat të suksesshëm dhe se një mandat i dytë do të ishte i arsyeshëm, ndërsa theksoi se në rast të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare do të ishte në interes të partisë që ai ta vazhdonte drejtimin e saj, për të garantuar vazhdimësi dhe stabilitet në një periudhë të ndjeshme politike.

Limani, i cili drejton Këshillin Organizativ të Kongresit, theksoi se për momentin është i përqendruar në përgatitjen dhe mbarëvajtjen e këtij procesi, duke hedhur poshtë spekulimet për ambicie personale për pozita partiake.

Mesazhi kryesor i Limanit është se Kongresi nuk duhet të shihet vetëm si proces zgjedhor për lidershipin e ri, por si një mundësi për një kapitull të ri në Aleancën për Shqiptarët, me fokus te bashkimi, rikthimi i strukturave dhe forcimi i subjektit politik.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments