https://koha.mk/uji-ne-tetove-i-sigurt-per-pije
Për shkak të gjendjes së krijuar me ujin e pijshëm në Gostivar, drejtori i Ndërmarrjes Publike “Sharri” në Tetovë, Valon Zeqiri njofton qytetarët se sipas analizave të fundit, Tetova aktualisht ka ujë të pijshëm të pastër dhe të sigurt për përdorim
Urim HASIPI
Tetovë, 22 korrik – Gjatë muajit gusht nëse sigurohen mjete do të fillojë të realizohet projekti për futjen nëntokë të rreth 500 metrave tubacion të rrjetit të ujësjellësit nëpër të cilin kalon uji i pijshëm për Tetovën nga sistemi i ri i furnizimit me ujë nga Leshnica. Prej vitit 2017 e këndej ky tubacion qëndron mbi tokë në Malin Sharr dhe është rrezik që të dëmtohet.
Nga Ndërmarrja Publike “Sharri”, thonë se kanë projekt dhe pritet sigurimi i mjeteve për të filluar të realizohet. Kjo do të thotë ujë shtesë për qytetin e Tetovën nga burimet e Leshnicës. Ky sistem i ri u lëshua në përdorim në shtator të vitit 2017, dhe shumë herë deri më tani, si pasojë e rrëshqitjeve të dheut, tubacioni është dëmtuar duke rrezikuar kështu furnizimin me ujë. Për shkak të ekspozimit edhe ndaj llojeve të tjera të ndikimeve të jashtme, ky tubacion ndodhet vazhdimisht në rrezik nga dëmtimet si dhe nga vështirësimi i furnizimit me ujë. Sistemi i cili sjell ujë nga lumenjtë malorë në zonën e Leshnicës që ka edhe një stacion filtrimi pranë fshatit Lisec, u lëshua në përdorim në shtator të vitit 2017. Situata mbetet e pandryshuar, përkatësisht gypat janë mbi tokë edhe sot e kësaj dite.
Nga Ndërmarrja Publike “Sharri” në Tetovë thonë se bëhet fjalë për rreth 500 metra tubacion që duhet të rregullohet dhe të futet nëntokë. Ata thonë se bëhet fjalë për një problem të trashëguar. “Situata e tillë është si ka qenë që kur është ndërtuar. Këtë gjendje e kam gjetur kur u emërova drejtor dy vite më parë. Ky është një gyp që ndodhet mbi tokë dhe duhet të futet nëntokë. Në kohën kur është realizuar ky projekt, ka pasur devijim nga traseja dhe prandaj tubacioni ka mbetur mbi tokë. Tani kemi një projekt të ri, besoj se këtë verë ai projekt do të realizohet”, deklaroi Valon Zeqiri, drejtor i Ndërmarrjes Publike “Sharri” në Tetovë. Sipas tij, gjatë kësaj periudhe rrjeti i ujësjellësit as që ka nevojë për këto sasi shtesë të ujit për shkak të kapacitetit të mjaftueshëm të sistemit të vjetër. Zeqiri shton më tej se problem më i madh është harxhimi i papërgjegjshëm i ujit dhe apelojnë që kjo dukuri të ndërpritet.
“Momentalisht kemi nga 460 deri në 500 litra ujë në sekondë në rrjetin shpërndarës të qytetit. Dhe kjo është shumë, të themi, për Tetovën. Qyteti mjafton të furnizohet me një prurje prej 350 litra ujë në sekondë në rrjet. Për shkak se nuk kemi ujëmatës, uji harxhohet në mënyrë të papërgjegjshme dhe për këtë u bëj apel qytetarëve që uji të përdoret vetëm për pije”, thotë drejtori Zeqiri.
Ndryshe, për shkak të gjendjes së krijuar me ujin e pijshëm në Gostivar, drejtori i Ndërmarrjes Publike “Sharri” në Tetovë Valon Zeqiri njofton qytetarët se sipas analizave të fundit, Tetova aktualisht ka ujë të pijshëm të pastër dhe të sigurt për përdorim. “Megjithatë, për të rritur edhe më tej nivelin e sigurisë dhe besimin e qytetarëve, në cilësinë e drejtorit dhe përgjegjësit që kam ndaj këtij qyteti, gjatë takimit të realizuar me drejtorin e Qendrës për Shëndet Publik Shaqir Zulbehari, nënshkruam një marrëveshje të re që analizat e ujit të kryhen çdo ditë. Kjo bëhet me qëllim që të rrisim qetësinë dhe sigurinë e qytetarëve të Tetovës. Njëkohësisht, vlen të theksohet se do të zhvillohen aksione të vazhdueshme dhe do të ketë ndëshkime të rrepta ndaj atyre qytetarëve që rrezikojnë rrjetin e ujësjellësit përmes lidhjeve apo kyçjeve ilegale. Prandaj, ju bëj apel të gjithëve që sa më shpejt të ndërhyjnë dhe t’i largojnë lidhjet ilegale që posedojnë, sepse në të kundërtën do të përballen me masat e parashikuara me ligj”, njofton drejtori Zeqiri. (koha.mk)
