Tetovë, “top-sekret” kompania që po realizoin shtigjet e biçikletave, eksperët: Ka dyshime në çmimin dhe realizimin e punëve

236

Përpos asaj që opinioni vazhdon të tallë mënyrën e realizimit të shtigjeve të biçikletave në Tetovë, problemi qëndron në faktin se ata do të vështirësojnë ende më shumë funksionimin normal të transportit publik. Sipas ekspertit të komunikacionit, Blerim Neimi, shtigjet kanë dhe një sërë problemesh tjera profesionale. Nga SPB-ja thanë se pasi të përfundojë projekti, nuk do të lejohet bllokimi i shtigjeve nga veturat. Arsyetohen edhe nga Komuna e Tetovës por mbajnë “top-sekret” kompaninë që i ka punuar këto shtigje të cilët nuk i ngjajnë aspak vendeve evropiane, shkruan Portalb.mk.

Ditëve të fundit në rrjetet sociale kanë qarkulluar fotografi të ndryshme, me anë të së cilave është ironizuar me shtigjet e reja të biçikletave në Tetovë dhe mënyrën se si janë realizuar ata. Fotografitë u publikuan edhe në disa media të Shqipërisë dhe në disa faqe ndërkombëtare.

Shtigjet e biçikletave në Tetovë, foto: Fejsbuk.
Shtigjet e biçikletave në Tetovë, foto: Fejsbuk.
Shtigjet e biçikletave në Tetovë, foto: Fejsbuk.
Shtigjet e biçikletave në Tetovë, foto: Fejsbuk.

Për Portalb.mk, profesori i komunikacionit rrugor në shkollën e mesme “Mosha Pijade” në Tetovë, Blerim Neimi, ka bë një analizë për shtigjet e reja të biçikletave. Ai potencoi se shtegu i biçikletave nuk është bë në përputhje me standardet e infrastrukturës rrugore.

“Shtegu i biçikletave në radhë të parë nuk është në  standardet e infrastrukturës rrugore, dhe nuk është i realizuar në bazë të planifikimit hapësinor që ka rruga. Fatkeqësisht është shumë qesharak dhe shumë punë amatore” tha Blerim Neimi, profesor i komunikacionit rrugor.

Blerim Neimi, ekspert i komunikacionit.
Blerim Neimi, ekspert i komunikacionit.

Sipas tij, përkundër dhjetëra vështirësive tjera me të cilat do të përballet funksionimi normal i transportit publik në Tetovë, shtigjet e biçikletave do të vështirësojnë ende më shumë atë.

“Shtigjet e biçikletave tani ende më shumë do ta vështirësojnë transportin publik urban, zvogëlimin e numrit te parkingjeve dhe kjo do ta vështirësojë edhe më keq kaosin e trafikut në këtë qytet” shtoi Neimi.

Vetura të parkuara nga shtigjet e biçikletave, Tetovë.
Vetura të parkuara nga shtigjet e biçikletave, Tetovë.

Ai mes të tjerash potencoi se me këto shtigje të biçikletave, është e dukshme se “vetëqeverisja lokale po bën plane të cilat bien ndesh me njëra-tjetrën”. Kështu, duke aluduar se nuk mund të ketë funksionim të rregullt të transportit publik, duke u ngushtuar ende më shumë rrugët.

Sipas tij, zgjidhja e vetme e shtigjeve për biçikleta në Komunën e Tetovës, duke marrë parasysh infrastrukturën rrugore dhe gjithçka tjetër, do të ishte “konsumi-gjelbërimi ndarës i rrugës”.

Përveç pjesës infrastrukturore të lartpërmendur, gazetari i Portalb.mk sot fotografoi një sërë pengesash pikërisht në shtigjet e biçikletave, për këtë arsyetohen nga Sektori për Punë të Brendshme dhe Komuna e Tetovës

Për veturat të cilat parkohen në vendet tashmë të rezervuara për biçikleta, Rexhepi nga Sektori për Punë të Brendshme në Tetovë potencoi se kjo do të parandalohet me vendosjen e bllokadave për parandalim të parkimit të veturave, ai gjithashtu paralajmëroi gjoba për shoferët e pakujdesshëm.

“Planifikohet që te shtigjet e biçikletave të vendosen bllokada të cilat do të parandalojnë parkimin e veturave, do vendosen shenja komunikacioni se ka shtigje për biçikleta, pasi të kompletohet krejt kjo dhe de jure të vendosen në funksion shtigjet e biçikletave, ne si Sektor për Punë të Brendshme në Tetovë do të ndërmarrim masa në mënyrë që veturat të mos e bllokojnë pjesën e rezervuar për biçikleta” tha Fatmir Rexhepi, zëdhënës i Sektorit për Punë të Brendshme (SPB) në Tetovë.

 Ligjin për Siguri në Komunikacion, në nenin 66, thotë se shoferët të cilët do të parkohen në shtigjet për biçikleta, do të dënohen me një gjobë prej 180 eurove.

Përveç veturave të parkuara, në shtigjet për biçikleta kishte edhe kontejner të cilat bllokonin lëvizjen e lirë të çiklistëve, për këtë, Elmir Mustafai nga Komuna e Tetovës potencoi se do të gjendet vend tjetër për kontejnerat.

“Presim që të ju gjendet vend, diku ka vend për kontejnerët ndërsa diku nuk ka. Do të duhet të vendosen të ashtuquajtura xhepa në trotuare, që të mënjanohen nga shtegu i biçikletave” tha Elmir Mustafai nga Komuna e Tetoves

Dyshime ka pasur edhe në lidhje me çmimin real të këtij shtegu

Bëhet fjalë për gjithsej 5.5 kilometër shteg për biçikleta në rrugën e “Ilindenit”, i njëjti është i gjërë 1 metër kurse ka kushtuar 3 milion denarë apo rreth 50.000 euro.

Arkitekti dhe aktivisti Hamdi Sulemani ka realizuar një analizë për atë se sa është sipas matematikave të tij, çmimi real për 5.5 kilometër shteg të biçikletave, në formën në të cilën është realizuar i njëjti.

Sipas përllogaritjeve të tij, të cilën mund ta shihni të plotë duke klikuar KËTU. Çmimi real i shtigjeve për biçikleta në Tetovë ka kushtuar 18.396 euro.

“Ngjyra e kuqe -10,060 euro. Ngjyra e bardhe – 853 euro. Puna e dorës – 6,943 euro . Totali – 18,396 euro. 1 m2= (18396eu : 6100 m2)=3.015 euro/m2” shkruan Sulemani, analizën e plotë mund ta shihni duke klikuar këtu.

Nga Komuna e Tetovës e mbajnë “top sekret” firmën e cila ka fituar tenderin dhe po punon aktualisht në realizimin e shtigjeve për biçikleta në Tetovë, nuk dëshirojnë të komentojnë as çmimin që sipas aktivistëve është i lartë.

Ndryshe, ky projekt ende nuk ka përfunduar, ditëve në vijim pritet të vendoset bllokada për parandalimin e parkimit të veturave, të realizohen të ashtuquajturat xhepa në rrugë, ku do të vendosen kontejnerët si dhe të vendosen shenjat e nevojshme.