Për 3 muaj Tetova paguan 15000 mijë euro avokatin shkupjan! ASH: A s’ka avokat tetovar? Komuna: S’bëhet fjalë për pagesa fikse

63

Aleanca për Shqiptarët ka reaguar ndaj komunës së Tetovës për angazhimin е një avokati nga Shkupi, i cili për tre  muaj është paguar rreth 15 mijë euro.  Muzafer Etemi kërkon përgjigje nga komuna se sipas cilave kritere  është zgjedhur ky avokat dhe se nuk është angazhuar ndonjë avokat nga Tetova, por është zgjedhur pikërisht avokati Nikolla Trajçev.

 “Komuna jonë e dashur paguan avokatin 15 mijë euro, për tre muaj edhe nuk paguan kontributet  e dhjetëra  punëtorëve të Ndërmarrjes Publike të qytetit dhe shpesh herë  duke u vonuar edhe pagat mujore. Kërkojmë nga komuna e Tetovës dhe kryetarja Teuta Arifi që sa më parë të deklarohet. Të bëj publike edhe kontratën me avokatin Trajçev,  të jap sqarim nëse ka pas tender me çmim më të kapshëm  dhe të jap përgjigje se cilat kanë qenë përzgjedhjet e avokatit Trajçev dhe të tregojë arsyet pse është përcaktuar për avokatin Trajçev, duke anashkaluar qindra avokat të Tetovës”, tha Muzafer Etemi nga ASH.

Nga komuna e Tetovës thonë se me ndryshimet e Ligjit për furnizime publike, prej vitit 2019 shërbimet juridike të institucioneve kryhen pa kontratë  dhe vetëm përmes faturimit në bazë të tarifës që e cakton nga Oda e avokatëve.

 “Avokatet nuk paguhen me kontrata mujore, por faturojnë në baze të ligjit sipas proceseve në të cilat angazhohen. Gjithashtu nuk bëhet fjalë për pagesa fikse dhe të rregullta mujore, por ato realizohen në bazë të nevojës sipas shërbimeve të realizuara dhe faturuara paraprakisht”, thonë nga Komuna e Tetovës.

Ndryshe edhe më herët ka pasur reagime gjatë përzgjedhjes se avokatëve nga ana e Komunës së Tetovës.  Vite më parë kjo komunë përmes një konkursi kërkonte avokat me 32 vjet përvojë pune, pas çka ishin ngritur shumë dyshime se shpallja ka qenë e kurdisur.