Tetovë, qershi mbi tortë, e konsideron Arifi bulevardin “Bllagoja Toska”, edhe pse projekti tërësisht është financuar nga Qeveria

89

https://portalb.mk/748191-tetove-qershi-mbi-torte-e-konsideron-arifi-bulevardin-bllagoja-toska-edhe-pse-projekti-teresisht-eshte-financuar-nga-qeveria/

35 milion eurot të cilat fillimisht ishin planifikuar për ndërtimin e aeroportit kargo të Shtipit e që më pas u riorientuan për projekte të cilat do t’i shfrytëzojnë 75 komuna, nga sot zyrtarisht kanë filluar të shpërndahen. Komuna e Tetovës ka përfituar gjithsej 42.6 milion denarë ndërkaq do të shfrytëzohen për hapjen e bulevardit “Bllagoja Toska”. Me këtë, ky projekt tërësisht do të financohet nga ana e Qeverisë së RMV-së, shkruan Portalb.mk.

Sot kryeministri Zoran Zaev në një cerenomi solemne me kryetarët e komunave të cilat janë përfituese të mjeteve financiare të orientuara për projekte të qeverisjes lokale, ndau lajmin se këto mjete financiare do të fillojnë të shpërndahen

Komuna e Tetovës ka përfituar gjithsej 42.6 milion denarë të cilat do të shfrytëzohen për punët ndërtimore për hapjen e bulevardit “Bllagoja Toska”, këtë e konfirmoi zëdhënësi i komunës për Portalb.mk.

“Kemi përfituar 42 milion denarë ndërkaq do të shfrytëzohen për punët ndërtimore për hapjen e bulevardit Bllagoja Toska. Kjo sepse procedura e shpronësimit tashmë është kryer” tha Armend Fazliu nga Komuna e Tetovës.

Teuta Arifi: Kemi kryer regjistrimin e pronave dhe shpronësimin e tyre, shumë shpejt fillon prishja e objekteve

Teuta Arifi

Kryetarja Arifi disa herë është shprehur se “shumë shpejt” do të fillojnë punët ndërtimore për bulevardin “Bllagoja Toska”. Megjithatë, në terren ende nuk ka asgjë konkrete, e njëjta sot gjithashtu deklaroi se ky projekt do të jetë si qershi mbi tortë, duke aluduar në fundin e mandatit të dytë.

“Vlen të rikujtojmë se komuna e Tetovës pasi bëri regjistrimin e pronave përgjatë trasës së bulevardit, gjithashtu ka kryer edhe shpronësimin e tyre. Me nënshkrimin e kontratës për realizimin e punëve ndërtimore shumë shpejt do të fillojë prishja e objekteve dhe ndërtimi i bulevardit Bllagoja Toska” shkruan Arifi në “Fejsbuk”.

Bulevardi “Bllagoja Toska” tërësisht është financuar nga Qeveria e RMV-së

Rikujtojmë se rreth 30 milion denarë për shpronësimin e pronarëve, shtëpitë e të cilëve do të rrënohen për ndërtimin e këtij bulevardi, u ndanë për komunën e Tetovës nga Qeveria e RMV-së në nëntor të vitit 2020.

“Me rebalancin e buxhetit Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka ndarë gjithsej 29 milion e gjysmë denarë për këtë, këto mjete do të shfrytëzohen për shpronësimin e objekteve” thane nga Komuna e Tetovës në nëntor, 2020.

Me këtë, Qeveria e Maqedonisë së Veriut është përkujdesur edhe për shpronësimin e pronarëve të shtëpive edhe për punët ndërtimore të këtij bulevardi, duke e bë atë projekt tërësisht të financuar nga qeverisja nacionale.

Maratonë premtimesh nga Teuta Arifi për bulevardin “Bllagoja Toska”

  • Viti 2014

Në mandatin e parë të kryetares Arifi, hapja e këtij bulevardi u pa si një ndër prioritetet e programit të saj.

Madje, nga Këshilli i Komunës së Tetovës ishin aq të sigurt se ky projekt do të përfundojë në dy-vjeçarin e parë të qeverisjes së Arifit, saqë të njëjtin e buxhetuan për vitin 2014 dhe punët i ndanë në dy faza, ku në vitin 2015 pritej që të përfundoje tërësisht hapja e bulevardit.

“Komuna e Tetovës për vitin 2014 e ka prioritet hapjen e bulevardit “Bllagoja Toska” dhe kjo do të bëhet në dy faza pra në vitin 2014 dhe në vitin 2015, mendoj se do të fillojmë afër urës së spitalit për të hapur atë pjesë që ka ngelur” tha Teuta Arifi për Portalb.mk vitin 2014.

  • Viti 2015

Viti 2014 kaloi ndërsa punimet për hapjen e këtij bulevardi ende nuk kishin filluar, në fund të vitit 2015 nga Komuna e Tetovës thanë se punojnë intensivisht që ta zgjidhin këtë problem.

“Hapja e një bulevardi dhe depërtimi në zonat e banuara, është një punë me rëndësi dhe veprim i ndjeshëm, prandaj ne jemi duke punuar intensivisht dhe me kujdes të madh që ta zgjidhim këtë problem dhe sa më shpejtë të nisim me punët”  thanë nga Komuna e Tetovës.

Ndërkaq, në bazë të projektit për hapjen e këtij bulevardi, për të cilin edhe u nda buxhet në vitin 2014, ishte paraparë që hapja e këtij të fundit të bëhet në vitin 2015, kjo nuk ndodhi.

  • Viti 2016

Meqenëse edhe viti 2015 kaloi kurse as një gur nuk u lëviz për hapjen e këtij bulevardi, nga Komuna e Tetovës ishin të sigurt që në vitin 2016 do të gjindet zgjidhje për realizimin e këtij projekti.

“Në programin e vitit 2016 e kemi realizimin e bulevardit “Bllagoja Toska” edhe atë në një shumë prej 30 milion e 500 mijë denarësh. Shpresojmë që këtë vit do të gjinden një zgjidhje më e mirë që të nisim me realizimin e këtij projekti” thanë nga Sektori për tokë ndërtimore në Komunën e Tetovës, në fund të vitit 2015.

Në ndërkohë, as në vitin 2016 nuk u bë kjo punë kurse nga Komuna e Tetovës, nga ky vit e deri sot arsyetimi për mos nisjen e punimeve në këtë bulevard ka qenë i njëjtë.

“Kemi pasur probleme gjatë eksproprijimit dhe pagesës së pronave të cilat duhet të rrënohen, një pjesë e punëve do të nisin shpejt” thanë nga Komuna e Tetovës në vitin 2016.

  • Viti 2017

Gjatë  këtij viti, arsyetimi për mos hapjen e këtij bulevardi ishte i njëjtë me atë të vitit paraprak, respektivisht se kjo e fundit ka probleme për shkak të procedurës së eksproprijimit dhe legalizimin e pronave.

“Ngecjet që u bënë në këtë drejtim ishin për shkak të eksproprijimit të pronave të cilët ishin në këtë bulevard. Bazuar në Ligjin për legalizim, pronat që nu ishin të legalizuara, nuk kanë mundur të jenë lëndë për eksproprijim dhe ne e kemi pasur vështirë se çka do të bëjmë me këta prona që të hapet ky bulevard” kishte deklaruar për gazetën Koha, kryetari i atëhershëm i Këshillit të Komunës së Tetovës, Hisen Xhemaili.

  • Viti 2018

Në vitin 2018, udhëheqësi i Sektorit për Rrugë dhe Tokë Ndërtimore i Komunës së Tetovës tha se punojnë intensivisht në hapjen e këtij bulevardi, për shkak se siç potencoi ai, kjo “është bë temë e madhe”.

“Meqenëse është bë shumë temë e madhe kjo puna e bulevardit Bllagoja Toska, ne punojmë intensivisht dhe presim në të ardhmen e shpejtë të arrimë të kompletojmë dokumentacionin dhe të fillojmë me punë” tha Arsim Nuredini nga Komuna e Tetovës.

Kurse për Portalb.mk po të njëjtin viti nga kjo komunë na siguruan që ky projekt është i tenderuar, dhe se krejt problemi qëndron te eksproprijimi.

  • Viti 2019-2020

Pasi hapat e para për hapjen e këtij bulevardi u bënë në vitin 2018, gjegjësisht u rrënuan disa baraka dhe nga Komuna e Tetovës na thanë se hapja e bulevardit do të bëhej në qershor të atij viti, asgjë nuk u ndërmor që atëherë.

Ndryshe, gjendja në këtë bulevard aktualisht është e mjerueshme, aty mund të shihet gjithçka, vetura, baltë, papastërti, përdorues të drogës… por jo edhe automjete për ndërtim. Hapja e tij do është një ndër mënyrat më efikase për lehtësimin e komunikacionit të ngarkuar në Tetovë.