Tetova pa plan urbanistik!

29

Nga Komuna e Tetovës sërish kanë dhënë premtim se gjatë këtij viti do të miratohet plani gjeneral urbanistik. Sipas informacioneve, pritet që objektet të cilët do të legalizohen, të jenë pjesë e Planit të ri të përgjithshëm urbanistik të Tetovës

Urim HASIPI

Tetovë, 12 korrik – Komuna e Tetovës vazhdon të funksionojë me Plan të vjetër urbanistik. Plani i përgjithshëm urbanistik ishte miratuar në vitin 2003 dhe prej atëherë – i gjithë zhvillimi i qytetit është bërë në bazë të atij plani. Por, nevoja për një Plan të ri urbanistik është shtruar që moti dhe Komuna e Tetovës ka përpiluar një plan të tillë duke konsultuar dhe kyçur në këtë proces edhe ekspertë të huaj. I njëjti duhej që vitin e kaluar të ishte miratuar, por për shkak të pandemisë – edhe ky segment u shoqërua me probleme dhe stagnim. Nga Komuna e Tetovës sërish kanë dhënë premtim se gjatë këtij viti do të miratohet plani gjeneral urbanistik

“Plani Gjeneral Urbanistik është e vërtetë që një kohë të gjatë nuk është sjellë. Periudhën e fundit është punuar intenzvisht dhe për momentin, Plani Gjeneral Urbanistik është në Agjencinë për planifikime në Shkup dhe presim përgjigje prej atje. Dihet që pandemia ka patur ndikimin e vet dhe shumë procese janë ngadalësuar dhe që tani kanë filluar me punë, shpresoj se deri në fund të këtij mandatit edhe kjo punë do të kryhet”, thekson Bekim Memeti, kryetar i Këshillit të Komunës së Tetovës. Në ndërkohë, i tërë ky proces është i ndërlidhur edhe me legalizimin e objekteve pa leje ndërtimi. Sipas informacioneve, pritet që objektet të cilët do të legalizohen, të jenë pjesë e Planit të ri të përgjithshëm urbanistik të Tetovës.

“Dihet që Ligji për legalizim do të sillet dhe mendoj se edhe ato legalizime që janë bërë deri më tani, do të jenë pjesë e Planit të ri gjeneral urbanistik dhe Tetova njëherë e përgjithmonë të ketë Plan urbanistik zhvillimor, një plan ku qytetari do të dijë se në cilin drejtim do të zhvillohet qyteti, sidomos sektori i biznesit dhe palët tjera të interesuara”, nënvizon Memeti. Në fillim të viteve 2000, Komuna e Tetovës ishte bërë me Plan të ri të përgjithshëm urbanistik. Që atëherë e këndej, tërë zhvillimi i qytetit të Tetovës është bërë në bazë të atij plani. Por, prej atëherë e këndej ka ndryshuar dukshëm struktura e qytetit, sidomos në aspektin e rritjes së numrit të banorëve, por edhe aspektin e ndërtimeve të mëdha të cilët dukshëm kanë ngulfatur qytetin e Tetovës. Pushteti lokal në Tetovë ka lënë shumë punë për këtë vit dhe vështirë se tërë projektet që janë paralajmëruar – do të mund të realizohen tërësisht, kur dihet se këtë vit do të mbahen edhe zgjedhjet lokale, respektivisht në muajin tetor, kohë kur kryetarëve aktual dhe këshillave komunale u skadon mandati katër vjeçar.

“Plani i përgjithshëm urbanistik për Tetovën është shumë i rëndësishëm për zhvillimin e qytetit në aspektin ekonomik, infrastrukturor si dhe për vet banorët e qytetit. Janë të kyçur më shumë ekspertë nga jashtë, kemi ndihmesë edhe nga UNDP-ja, dhe organe tjera. Qëllimi është që të sillet një Plan i përgjithshëm urbanistik që do të plotësojë nevojat e qytetit”, deklaroi kryetari i Këshillit të Komunës së Tetovës, Bekim Memeti. Për momentin, Tetova planifikon ndërtim të objekteve kolektive të banimit në disa zona të qytetit, ku dendësia do të rritet edhe më shumë, kurse infrastruktura ekzistuese as për së afërmi nuk mundet ta përcjellë këtë rritje enorme të ndërtimit. Njohësit e këtyre rrethanave theksojnë se Plani i ri është tashmë shumë i vonuar dhe është dashur që të miratohet shumë më herët që të mos pritet kaq shumë, sepse me këtë plan duhej që të parashihej zhvillimi i qytetit për 20 vitet e ardhshme. (koha.mk)