www.telegrami.mk
Më 18 tetor 2026, Bërvenica nuk do të zgjedhë vetëm një kryetar komune. Në këtë garë të jashtëzakonshme, pas vdekjes së kryetarit Jovica Ilievski, do të matet edhe pesha politike e dy partnerëve qeveritarë,në njërën anë VMRO-DPMNE dhe VLEN….dhe opozitës në anën tjetër …Zgjedhjet janë zyrtarisht të caktuara nga KSHZ-ja për 18 tetor.
Por Bërvenica ka një veçori që e bën garën edhe më të ndjeshme: rezultati i vitit 2025 ishte jashtëzakonisht i ngushtë. Kandidati i VMRO-DPMNE-së, Jovica Ilievski, fitoi me 4.369 vota, ndërsa kandidati i VLEN-it, Haqim Ramadani, mori 4.224 – vetëm 145 vota diferencë.
Këtu nis edhe ironia.
Në një komunë ku politika prej vitesh është e mbushur me llogari etnike, partiake dhe koalicioniste, një grusht votash mund të bëhet më i rëndësishëm se një fushatë e tërë.
Sipas KSHZ-së, janë dorëzuar gjithsej gjashtë lista kandidatësh, prej të cilave katër janë nga koalicione dhe dy nga grupe zgjedhësish.
- Për zgjedhjet e parakohshme për kryetar të Komunës së Bërvenicës, janë dorëzuar gjithsej 6 lista kandidatësh. Prej tyre, katër lista janë dorëzuar nga koalicione, ndërsa dy nga grupe zgjedhësish:
Jovica Radeski është kandidat për kryetar komune i Koalicionit për zgjedhjet e parakohshme për kryetar të Komunës së Bërvenicës 2026, të udhëhequr nga Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë – LSDM, së bashku me Partinë e Re Socialdemokrate – NSDP, Partinë e Aksionit Demokratik të Maqedonisë dhe Partinë për Prosperitet Demokratik të Romëve – PDPR, si dhe Desnica.
Jakup Useini është kandidat i Koalicionit VLEN.
Stojanço Radeski është kandidat i Koalicionit „Maqedonia Jote“.
Arkin Jahiji është kandidat i Aleancës Kombëtare për Integrim – AKI (NAI).
Arife Idrizi është kandidate e Grupit të Zgjedhësve – Arife Idrizi.
Dushan Bogdanovski është kandidat i Grupit të Zgjedhësve – Dushan Bogdanovski, njoftojnë nga KSHZ-ja.
Një saktësim faktografik është i domosdoshëm: sipas Censusit 2021, në Bërvenicë jetojnë 13.645 banorë, prej të cilëve 7.377 janë shqiptarë, ose 54,06% e popullsisë rezidente, ndërsa 5.715 janë maqedonas, ose 41,88%. Kur llogariten edhe shtetasit jorezidentë të përfshirë në regjistrim, pjesa shqiptare arrin në 64,48%.
Dhe pikërisht këtu qëndron paradoksi: një shumicë demografike nuk garanton automatikisht fitore zgjedhore. Viti 2025 e tregoi këtë me diferencën prej vetëm 145 votash.
Kush e kontrollon ditën e zgjedhjeve? Pyetja është e ligjshme
Nëse në terren ekziston frika se administrata shtetërore mund të përdoret për presion ndaj qytetarëve, kjo nuk duhet të mbetet thjesht muhabet kafeneje. Duhet të kontrollohet, dokumentohet dhe raportohet te institucionet kompetente.
Kjo është veçanërisht e rëndësishme sepse raporti i ODIHR për zgjedhjet lokale të vitit 2025 regjistroi shqetësime për keqpërdorim të burimeve administrative, presion ndaj punonjësve publikë dhe votuesve, si dhe raste të gjurmimit të votuesve. ODIHR gjithashtu theksoi se rekomandimet për forcimin e rregullave kundër keqpërdorimit të burimeve administrative ende nuk ishin zbatuar plotësisht.
Prandaj pyetja për 18 tetorin është krejt legjitime: a do të jetë shteti vetëm shtet, apo do të shihet nga qytetarët si pjesë e garës politike?
Por një gjë duhet thënë qartë: deri tani nuk ka burim të verifikueshëm që tregon se ASN/ANB do të përfshihet në manipulimin e zgjedhjeve në Bërvenicë. Përkundrazi, vetë ASN deklaron se vepron në mënyrë të pavarur dhe pa ndikim nga partitë politike.
Prandaj, pretendimi nga opozita dhe qarqe të tyre “ASN-ja do të hyjë në zgjedhje” duhet të trajtohet si shqetësim ose pretendim që kërkon prova, jo si fakt i kryer.
Dhe këtu VLEN-i ka një problem shumë më praktik: transparencën
Nëse është e saktë që VLEN nuk ka bërë publike ekipet e veta të autorizuara për mbikëqyrjen e procesit, kjo meriton përgjigje publike nga vetë subjekti.
Jo sepse kutitë e votimit duhet të ruhen nga partitë, por sepse në një garë që vitin e kaluar u vendos me 145 vota, çdo subjekt politik ka interes të ketë përfaqësues të autorizuar dhe vëzhgues aty ku ligji i lejon. KSHZ-ja parashikon procedura për organet zgjedhore, për përfaqësuesit e subjekteve dhe për vëzhgimin e procesit; për zgjedhjet e 18 tetorit 2026 është publikuar edhe rregullorja për vëzhguesit.
Në fund të fundit, pyetja e Bërvenicës është më e thjeshtë se gjithë matematika partiake:
Kushdo që fiton, a do të fitojë me votë të numëruar, me proces të kontrollueshëm dhe me kuti të paprekura?
Sepse nëse përgjigjja është “po”, atëherë 18 tetori është zgjedhje.
Nëse përgjigjja fillon të tingëllojë si: “prit se po telefonojmë dikë nga pushteti”, atëherë nuk kemi më vetëm garë për kryetar komune.
Kemi problem me besimin te zgjedhjet.
Dhe Bërvenica, me vetëm 145 vota diferencë nga hera e kaluar, është ndoshta vendi i fundit ku politika mund të përballojë luksin e mungesës së transparencës…www.telegrami.mk
===================================================================
P.S.Nuk pi ujë më sllogani etikë por tash do të ketë ETNI …sepse nuk tregoi ETIKË dhe shtetësi europiane vetë VMRO-DPMNE që hoqi shumë të drejta elementare të shqiptarëve si nga përdorimi i gjuhës,punsimet-investimet kapitale-regjistrimi i policëve… Nëse VMRO-DPMNE humb Bërvenicën më 18.10.2026 ka lajtur ”Jambolia”me politikën ndikuese në Maqedoninë Perendimore …një nga një bastionet Kërçova,Struga(po çka se kryetari është shqipfolës….atë e udhëheq Këshilli komunal i Vmro-Dpmne) pra edhe Tetova është në lojë sepse ky rezultat nëse humbin kandidatët shqiptarë do ti atribuohet mu Bilall Kasamit… për zgjedhjet qoftë të rregullta qoftë parakohe bien….nga ky kënd LSDM-së nuk i besohet sepse pa mar parasysh konfrontimet në publik me VMRO, kur është çështja politike-etnike me shqiptarët …heshtin …
Mesut Shabani

