18.4 C
Tetovo
E diel, 19 Maj, 2024
BallinaLajmeTakimi Pendarovski-Eskobar: Mbështetje e fortë dhe e vazhdueshme nga Shtetet e Bashkuara...

Takimi Pendarovski-Eskobar: Mbështetje e fortë dhe e vazhdueshme nga Shtetet e Bashkuara në arritjen e synimeve strategjike të vendit tonë

Presidenti Stevo Pendarovski sot priti Gabriel Escobar, zëvendësndihmës Sekretarin e Shtetit për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike.

Në takim u shkëmbyen mendime për marrëdhëniet e përgjithshme bilaterale ndërmjet Republikës së Maqedonisë dhe SHBA-së, si dhe për gjendjen në rajon.

Presidenti Pendarovski vlerësoi se të dy vendet në vazhdimësi ushqejnë një dialog politik produktiv dhe shprehu besimin se marrëdhëniet bilaterale do të vazhdojnë të zhvillohen me dinamikë edhe më të fortë.

Presidenti Pendarovski theksoi rëndësinë e mbështetjes së fuqishme dhe të vazhdueshme nga Shtetet e Bashkuara në arritjen e qëllimeve strategjike të vendit tonë që nga shpallja e pavarësisë e deri më sot.

Lidhur me aspiratat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, presidenti Pendarovski rikonfirmoi pritjet për fillimin e shpejtë të negociatave për anëtarësim, duke theksuar se zhbllokimi i procesit integrues do të ndikojë pozitivisht në stabilitetin dhe zhvillimin e përgjithshëm të rajonit. Në këtë kontekst, presidenti Pendarovski falënderoi administratën amerikane dhe personalisht zëvendësndihmës Sekretarin e Shtetit, Escobar, për mbështetjen e tyre në adresimin e nevojës për përparim rajonal drejt BE-së.

Në takim, presidenti Pendarovski theksoi përkushtimin e Republikës së Maqedonisë, si anëtare më e re e NATO-s, që të kontribuojë në sigurinë kolektive dhe mbrojtjen e vlerave të bashkësisë euroatlantike.

Presidenti Pendarovski falënderoi për ftesën për të marrë pjesë në Samitin virtual për Demokraci të organizuar nga presidenti amerikan Joe Biden, i cili do të mbahet më 9 dhe 10 dhjetor 2021.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments