19.4 C
Tetovo
E premte, 29 Mars, 2024
BallinaOpinionSTEPHEN M. WALT / Amerika do të tronditet nga e ardhmja...

STEPHEN M. WALT / Amerika do të tronditet nga e ardhmja e saj

E vetmja gjë e qartë për rendin e botës në ndryshim është që amerikanët mund ta formësojnë rolin e tyre në të – dhe që me gjasë, do ta humbin atë shans

Si specie, ne duket se jemi në një periudhë të një pasigurie të konsiderueshme, ku shumë trajta të njohura të peizazhit politik po zhduken, dhe nuk është e qartë se çka do t’i zëvendësojë ato. A do të jenë NATO dhe Bashkimi Evropian këndej pas pesë apo dhjetë vitesh? A do të luftojnë ShBA-të me kundërshtarë të errët në vende të largëta? A do ta dominojë Kina Azinë, apo ndoshta krejt botën? A do t’i marrë inteligjenca artificiale punët, sektor pas sektori të ekonomisë? Sa pjesë të planetit do të jenë nën ujë apo të pabanueshme shkaku i ndryshimeve klimatike, dhe sa miliona njerëz do të ikin si refugjatë nga lufta, shtypjet, korrupsioni apo degradimi ambiental? A mos po rrëshqasim drejt diktaturës?

Mund të vazhdoja me pyetje, por besoj se e kuptoni idenë time tashmë. Parashikimi është gjithnjë i zorshëm, natyrisht, veçanërisht për të ardhmen, por një herë e një kohë njerëzit e dinin mirë se nga po shkonin. Në fillim të viteve ’90, shumë komentues amerikanë, profesorë, e politikanë ishin të bindur se çka përmbante e ardhmja, dhe shumica ishin optimistë për të. Njerëz si Samuel Huntington dhe Robert Kaplan shihnin ditë të zeza përpara, por studiues si Francis Fukuyama dhe gazetarë si Thomas Friedman, dhe politikanë si Bill Clinton besonin në një botë të re të globalizuar që do të shkëlqente në kapitalizmin demokratik liberal, dhe i cili do t’i hiqte tej pushtetet e stilit të vjetër politik.

Në momente si ky, mund të na dalë në ndihmë thjesht kujtesa për ndryshimin drastik të botës. Nëse shkoni pas 500 vjet në histori, që vlen veç sa një grimë në historinë njerëzore, idea e një sistemi global e të unifikuar ishte efektivisht e panjohur. Evropianët po e merrnin vesh se Amerika Jugore dhe Veriore po ekzistonin, dhe shumica ende s’e dinin që Homo sapiensi jetonte në mbarë dynjanë. Të gjitha politikat e atëhershme ishin lokale. Rritja ekonomike botërore ka qenë tepër e vogël me shekuj, dhe veç 500 milionë njerëz e popullonin mbarë planetin [krahasuar me gati 8 miliardë sot].

Afërsisht dyqind vjet më parë, Kina kishte një të tretën e ekonomisë botërore. E gjithë Evropa e bërë bashkë kishte 25 për qind, ndërsa ShBA-të ishin thjesht të parëndësishëm: veç 2 për qind. Më pas, Evropa i mori dizgjinët në duar – shkaku i Revolucionit Industrial – dhe deri më 1900, kishte 40 për qindëshin e ekonomisë botërore dhe ishte shtëpia e fuqive më të forta ushtarake të botës. Fuqia ekonomike e Kinës kishte rënë në 10 për qind, dhe ajo e Shteteve të Bashkuara po zgjerohej me vrull përgjatë Amerikës Veriore dhe po rritej në mënyrë rapide, aq sa u bë ekonomia më e madhe botërore [dhe një superfuqi legjitime] për vetëm një shekull. Edhe Japonia po ecte përpara.

Më pas, çka ndodhi?

Fuqitë e mëdha të Evropës bënë dy luftëra të tmerrshme botërore. Shtetet e Bashkuara hyri në të dyjat shumë vonë, u dëmtua fare pak, dhe doli si vendi më i fuqishëm i botës me një dallim të konsiderueshëm. Bashkimi Sovjetik u bë një fuqi ushtarake dhe industriale, po ashtu – megjithëse ekonomia e saj ishte shumë prapa asaj të Amerikës – dhe nga 1945-a deri më 1989-dy superfuqitë kontinentale zhvilluan një Luftë të Ftohtë të pamëshirshme që kushtoi triliona dollarë dhe që vrau miliona njerëz nëpër luftëra. Shtetet e Bashkuara dhe sateliti i saj i aleancave doli të ishte më i fortë dhe më i qëndrueshëm se sa Pakti i Varshavës [Warsaw], sidoqoftë, dhe Bashkimi Sovjetik do të koplasonte në fund të vitit 1991. Liderët e ShBA-ve e panë veten “në majë të pushtetit” me “mundësi të rralla për ta formësuar botën… për të mirën, jo vetëm të ShBA-ve por edhe të të gjitha kombeve,” siç shkroi ish Këshilltari i Sigurisë Kombëtare Brend Scowcroft. Dhe këtë kanë provuar ta bëjnë që prej atëherë, ani që jo aq saktësisht.

Dy zhvillimet e tjera ia vlejnë të përmenden. I pari: Pas vdekjes së Mao Zedongut më 1976, pasardhësi i tij braktisi shumicën e parimeve dhe përqafoi tregun e lirë, dhe kështu Kina nisi të zhvillohej. Tashmë është ekonomia e dytë më e fortë në botë, pas ShBA-ve.

E dyta: Doli që ne njerëzit kishim një impakt enorm për ambientin global, përfshirë rritjen shkatërruese të temperaturës globale. Sipas WWF-së, popullsia globale e gjitarëve, zogjve, peshqve, reptilëve dhe amfibeve kishte rënë për 60 për qindtë nga viti 1970.

Ideja është që 500 vitet e kaluara kanë parë kthime enorme në balancin e pasurisë dhe pushtetit anë e mbanë dynjasë, bashkë me ndryshimet domethënëse në qëndrimet politike dhe në ambientin në të cilin jetojmë. Dhe disa nga këto ndryshime ishin krejtësisht të papritura.

Bota e 1978-s ishte krejtësisht e ndryshme nga bota në të cilin jetojmë sot. Kishim dy Gjermani, Pakti i Varshavës dukej i paprekur, dhe ishte Bashkimi Sovjetik – jo ShBA-të – që po hynte në kënetën e Afganistanit. Korea e Veriut dhe Pakistani nuk kishin armë bërthamore, por Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Sovjetik së bashki i kishin më shumë se 50 mijë. Mbretëria e Bashkuar i ishte bashkuar Bashkimit Evropian gjashtë vjet më herët, dhe çdo vend evropian kishte valutën e tij dhe kontroll në kufijtë e tij. Seksi mes gejëve ishte ilegal në shumë vende, dhe njerëzit gej nuk mund të martoheshin askund. Ekonomia japoneze po rritej në mënyrë të jashtëzakonshme, ndërsa profesorë të Harvardit po shkruanin libra me tituj si “Japonia si Numri 1 në botë” Shtetet e Bashkuara i kishin mbi 200 mijë trupa në Evropë dhe gati asnjë në Lindje të Mesme. Afrika e Jugut kishte një regjim aparteidi, dhe askush s’ia kishte idenë që ngrohja globale po ndodhte, dhe s’kishte as kompjuterë personalë, telefona, internet, Spotify, Facebook, email, apo cd-ja. Kushtonte tepër shumë të bëje një thirrje në distancë të largët në Shtetet e Bashkuara, aq sa dikush priste deri pas orës 11 të natës që të përfitonte nga çmimi më i lirë i thirrjeve. Nëse udhëtonit nëpër botë, nuk rrinit me shokët në Facebook apo Facetime, apo Skype, por duke shkruar letra. Në letër . Mund të pinit duhan në aeroplane, në restorane, dhe brenda shumicës së ndërtesave publike, por të merrje bari çdokund në ShBA futeshe në  burg. Ekzaminimi i sigurisë në aeroporte ishte minimal. Kishte vetëm tri rrjete  televizive në Shtetet e Bashkuara [plus televizioni publik]. Ishin 18 gra në Shtëpinë e Përfaqësuesve [me 435 anëtarë], dhe veç tri në Senat, dy prej të cilave kishin mbetur të veja duke e marrë mandatin e burrave të tyre.

Janë dy mësime nga këto reflektime. I pari, shumëçka mund të ndryshojë duke nxituar. Mund të ketë shumë sjellje që po ndodhin në politikën botërore – kombet linden dhe vdesin, luftërat luftohen e fitohen, etj. – por të kuptosh politikën globale sot konsiston më së shumti në të mësuarin se si të kombinohen elementet e njohura dhe ato të reja.

E dyta, çuditem nga shkalla në të cilën ndryshimi, veçanërisht ngritja dhe rënia e kombeve të ndryshme, formësohet nga forca sociale anonime por nga akte specifike dhe nga zgjedhjet politike. Karakteristika të mëdha strukturore të tilla si popullimi dhe gjeografia vlejnë shumë, natyrisht, por fati i kombeve shpesh është determinuar po aq apo edhe më shumë nga zgjedhjet që ata bëjnë. Fuqitë e mëdha evropiane e nxitën fundin e tyre duke bërë luftëra vetë-shkatërruese, dhe Invazioni Sovjetik i Afganistanit, apo zgjedhja e presidentit të Venezuelës Hugo Chavez, invazioni i 2003-s në Irak, dhe vota për Brexit e MB-së ishin plagë vetëshkatërruese që ishin të shmangshme. Kjo na tregon se sa keq mund të shkojnë gjërat, madje edhe për vende që janë në pozitë të mirë.

Për amerikanët, lajmi i mirë është se vendi i tyre është ende i fuqishëm, i pasur dhe me shumë siguri. Lajmi i keq është se shoqëria amerikane është gjithnjë e më e polarizuar, institucionet politike nuk po funksionojnë mirë, dhe pabarazia ekonomike është në shifra rekorde. Kur magazina proamerikane Economist në indeksin e përvitshëm të demokracisë e ulë shkallën e demokracisë së ShBA-ve nga ‘e plotë’ në ‘defektive’, atëherë është koha për t’u brengosur.

Pse kjo është problematike? Sepse numri i problemeve që na duhet t’i adresojmë po rritet në një shkallë rapide. Edhe me qëllimet më të mira dhe me punë shumë të madhe, çështje të tilla si ndryshimet klimatike, refugjatët, ndryshimi i tregjeve të punës, ekstremizmi i dhunshëm, privatësia, prishja e balanceve të pushtetit, etj, mund të rrënojnë kapacitetin tonë për të bërë zgjidhje të mira. Veç këqyreni se sa telashe ka presidenti amerikan Donald Trump me politikat e tij ndaj emigracionit. Kjo është edhe shkaku që Trumpi është menaxher i tmerrshëm dhe ndihmësit e tij duket të jenë tepër jokompetentë, por nuk është as se paraardhësit e Trumpit ishin shumë më të mirë në këtë çështje.

Paradokalisht, adresimi i problemeve të tilla kërkon që t’i kushtohet më pak vëmendjeve kushteve jashtë dhe më shumë vëmendje institucioneve të brendshme. Në vend se t’i kushtojmë shumë kohë e miliarda dollarë duke provuar të vendosim për politikat lokale në vende të largëta që ShBA-ja nuk i kupton – edhe pas dy dekadash përpjekje – amerikanët duhet të fokusohen më shumë energji politike që t’i bëjnë institucionet e tyre politike më përfaqësimore, më pak të anshme për interesat e të pasurve, dhe më të afta për veprime decizive. Po ashtu nënkupton që të njohim se qeveria ka një rol të rëndësishëm, dhe që duhet të rekrutojë më shumë njerëz të talentuar në shërbimin qeveritar.

Në fillim të shekullit 20, amerikanët po ashtu u sfiduan nga pabarazia e madhe, nga rendi politik tepër i korruptuar, nga miliona emigrantë të rinj që kërkonin jetë të re në Shtetet e Bashkuara, dhe nga mosmarrëveshjet domethënëse për rolin që duhej të luante vendi në skenën botërore. Epoka progresive ishte po ashtu një moment i energjive të mëdha politike, kur reformatorët gradualisht fituan pushtet politik dhe krijuan shumicën e institucioneve që e përcollën vendin përgjatë shekullit 20.

Marrë dhe përkthyer e përshtatur nga Foreign Policy.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments