Brenda një viti janë paraqitur 10.143 kërkesa për leje pune për shtetas të huaj. Ndërsa më shumë se 60% e punëdhënësve në vend kanë deklaruar se kanë nevojë për punësime të reja, në Agjencinë e Punësimit në qershor është regjistruar rritje mujore e numrit të të papunëve. Në tregun e punës, sipas të dhënave zyrtare, numri i vendeve të lira të punës ka tejkaluar 10.000, shkruan analiza ekonomike javore e Portalb.mk.

Sipas nivelit të arsimit, më shumë se gjysma e të papunëve, përkatësisht 51.390 persona, që përbëjnë 58,0%, janë pa arsim ose me arsim fillor, ndërsa 22.195 persona, ose 25% e numrit të përgjithshëm të punëkërkuesve aktivë, janë persona me arsim të mesëm. Kjo do të thotë se, 83% e numrit të përgjithshëm të të papunëve janë pa arsim, me arsim fillor ose të mesëm.
Lejet e punës për të huajt dhe vendet e lira të punës
Sipas hulumtimit anketues me punëdhënësit, të realizuar nga APRMV-ja, këtë vit në sektorin privat pritet të ketë 14.498 punësime të reja në industri të ndryshme dhe për nivele të ndryshme të arsimit. Sipas punëdhënësve, pjesa më e madhe e punësimeve pritet të realizohet në industrinë përpunuese, e cila renditet lart për sa i përket mungesës së fuqisë punëtore.
“Numri më i madh i punësimeve pritet të jetë në industrinë përpunuese, 5.328 ose 36,8%, në tregtinë me shumicë dhe pakicë, ku priten 2.342 punësime ose 16,2% e punësimeve të planifikuara, në ndërtimtari, me 1.437 punësime ose 9,9%, si dhe në veprimtarinë e akomodimit dhe shërbimit të ushqimit, ku priten 958 punësime ose 6,6% e punësimeve të planifikuara”, thuhet në Raportin e ri vjetor të APRMV-së.
Ndërsa nga njëra anë evidenca regjistron më shumë se 88.500 të papunë që kërkojnë aktivisht punë, sektori privat vazhdon të alarmojë se mungesa e fuqisë punëtore po bëhet problem gjithnjë e më i madh.
“Sa i përket nevojës për fuqi punëtore, pothuajse 62% e punëdhënësve të anketuar janë shprehur se kanë nevojë të punësojnë persona të rinj në profesione të ndryshme”, thuhet në raport.
Vetëm vitin e kaluar, sipas të dhënave zyrtare, janë përpunuar gjithsej 10.143 kërkesa për lëshimin e lejeve të punës për shtetas të huaj, prej të cilave 836 kërkesa për lëshimin e lejeve të punës dhe 9.307 kërkesa nga MPB-ja për dhënien e mendimit lidhur me shfrytëzimin e kuotës dhe nevojat aktuale të tregut të punës.
Numri i vendeve të lira të punës në nivel shtetëror ndryshon dhe ka tejkaluar 10.100, ndërsa numri më i madh i vendeve të lira, ose më shumë se 1.670, është në industrinë përpunuese. Pas saj vjen sektori i hotelerisë dhe gastronomisë me 1.644 vende të lira pune, ndërsa në vend të tretë është tregtia me 1.483 vende të lira. Ndërkaq, sektori i veprimtarive administrative dhe ndihmëse ka nevojë për 1.411 punonjës. Edhe sektorët e ndërtimtarisë dhe transportit janë në “kërkim” të punonjësve: në ndërtimtari ka 910, ndërsa në transport 740 vende të lira pune.

Infografik: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Burimi: Agjencia e Punësimit e Republikës së Maqedonisë së Veriut
Në veprimtaritë e tjera, numri i vendeve të lira të punës është më i vogël se 400. Me kërkesë të punëdhënësve dhe me qëllim të përmbushjes së nevojave për fuqi punëtore në tregun e brendshëm të punës, në fillim të këtij viti Qeveria mori vendim për rritjen e kuotave në 10.000 leje pune për shtetas të huaj.
Mickoski nuk jep të dhëna në cilat qytete për dy vite janë krijuar 17.000 vende të reja pune
/ https://tetovasot.com/2026/08/mickoski-per-dy-vite-kemi-krijuar-17-mije-vende-te-reja-pune/
