Mungesa e personelit mjekësor, pritjet e gjata për kontrolle specialistike, ndërprerjet e terapisë dhe kujdesi i dobët shëndetësor parandalues janë disa nga problemet kryesore në institucionet ndëshkuese-korrektuese në vend.Këto janë gjetjet e hulumtimit të Avokatit të Popullit, të realizuar në 11 institucione.
Zëvendës Avokatja e Popullit, Sonja Trifunovska, theksoi se, megjithëse sistemi shëndetësor në burgje është formalisht i lidhur me sistemin publik shëndetësor, qasja në shërbime nuk është e njëjtë në të gjitha institucionet.
SONJA TRIFUNOVSKA – Zv/Avokate e Popullit
„Vetëm prania e një mjeku ose e një ambulance nuk garanton qasje në shërbime. Në disa prej institucioneve, personeli vjen vetëm herë pas here, ndërsa ka edhe vende të lira pune që nuk janë plotësuar. Në Idrizovë, sipas raportit, një mjek kujdeset për rreth 691 persona, ndërsa një infermier ose teknik mjekësor për gati 461 persona. Sipas standardeve, një mjek duhet të kujdeset për rreth 300 persona”
Në debatin tematik të organizuar nga Zyra e Avokatit të Popullit, me mbështetjen e Misionit të OSBE-së në Shkup, Trifunovska prezantoi rezultatet e hulumtimit.
Sipas gjetjeve, mbipopullimi është konstatuar në shtatë nga 11 institucionet, ndërsa në po aq prej tyre ka personel të përhershëm shëndetësor.
Në katër institucionet e tjera, kujdesi shëndetësor ofrohet periodikisht ose me thirrje.
Asnjëri prej institucioneve të vizituara nuk ka personel shëndetësor të pranishëm 24 orë në ditë.
Si një nga problemet më serioze u theksua mungesa e personelit mjekësor.
Në burgun e Idrizovës, sipas raportit, një mjek kujdeset për rreth 691 persona, ndërsa një infermier ose teknik mjekësor u shërben rreth 461 personave.
Sipas standardeve të përmendura, një mjek duhet të kujdeset për rreth 300 persona.
Vështirësi shtesë krijojnë mungesa e automjeteve dhe e personelit për transportin e të burgosurve drejt institucioneve shëndetësore, vonesat në marrjen e rezultateve diagnostikuese dhe problemet me shpërndarjen e barnave.
