www.telegrami.mk
Blendi Hodai e tha troç në “IMPAKT”: Po, do të kandidoj. Sepse kritika pa guxim për të marrë përgjegjësi është vetëm zhurmë
Mjaft më me politikanë që flasin nga Muri i Kinës.
Mjaft më me ata që për 20 vjet BDI dhe 3 vite Vlen na shesin të njëjtat premtime, të njëjtat fytyra të lodhura, të njëjtat lista ku rinia futet vetëm për fotografi, për të mbushur sallën dhe për të marrë dy vota në lagje.
Ata po vijnë. Gjenerata e re. Studentët. Ata që nuk kanë dosje korrupsioni, nuk kanë hise në tenderë, nuk kanë frikë t’ua thonë të vërtetën në sy.
Dhe njëri prej tyre e tha dje pa e rrotulluar fare, në emisionin “IMPAKT” në TV SHENJA.
Blendi Hodai, Kryetari i Forumit për Ndryshime në Arsim, nuk bëri si politikanët e vjetër që përgjigjen me “do ta shohim”, “partia vendos”, “koha do ta tregojë”. Ai tha:
“Besoj se po. Po e them këtë direkt sepse nuk dua të tingëlloj si politikan që përgjigjet nga Muri i Kinës për të mos u përgjigjur.”
Kjo fjali e vetme është goditje më e rëndë se 100 emisione politike. Sepse në Maqedoninë e Veriut jemi mësuar me politikanë që kur i pyet për të ardhmen, të përgjigjen si të jenë në Pekin.
Hodai e tha edhe arsyen pse do të hyjë në garë:
“Në qoftë se kritikon tërë kohën, është e rrugës që në një të ardhme të tregosh se realisht atë që ke kritikuar mund ta realizosh dhe ta implementosh.”
E saktë. Sepse është lehtë të kritikosh nga Facebook-u. Është lehtë të bësh status. Vështirë është të hysh brenda, të marrësh përgjegjësi dhe të mos bëhesh si ata.
Dhe pikërisht këtu është dallimi. Kjo gjeneratë nuk po kërkon karrige për vete. Po kërkon ta kthejë besimin e qytetarit që është nënvlerësuar dhe keqpërfaqësuar për vite me radhë. Ashtu siç e tha vetë Hodai:
“Shpresoj që një ditë të kem besimin e qytetarëve, që të mund ta përfaqësoj zërin e qytetarëve ashtu siç duhet dhe jo siç janë nënvlerësuar dhe keqpërfaqësuar deri më tash.”
Le ta themi hapur: politika shqiptare në RMV ka dështuar ta përfaqësojë rininë. Ka dështuar ta përfaqësojë studentin që ikën në Gjermani sepse këtu diploma vlen më pak se lidhja partiake. Ka dështuar ta përfaqësojë mësuesin, nxënësin, prindin.
Prandaj sot nuk po flasim për një kandidaturë. Po flasim për një ndërrim brezash që po troket.
Ata që janë mësuar të qeverisin me frikë, me punësime, me lista të mbyllura, le ta kuptojnë: koha e tyre po mbaron.
Ata po vijnë. Të rinjtë. Studentët. Të papërkulurit.
Dhe këtë herë nuk po lëshojnë pe….www.telegrami.mk
Mesut Shabani

