SHBA-JA NË ANËN E DEMONSTRUESVE NË KUBË

31

Presidenti i SHBA-së Joe Biden deklaroi, se qeveria e tij është në anën e kubanezëve, që kërkojnë lirinë dhe fundin e „shtypjes prej dekadash e të mjerimit ekonomik”. Përgjegjës për këtë gjendje është regjimi „autoritar” i Kubës. “SHBA i bëjnë thirrje qeverisë së Kubës, në këtë moment vendimtar të dëgjojë popullin dhe t`i përgjigjet nevojave të tij, në vend që të pasurohet për vete”, shtoi Biden.

Për herë të parë prej dekadash në Kubë sërish një numër i madh njerëzish kanë dalë në protesta kundër qeverisë socialiste. Protestuesit janë kundër ekonomisë me mungesa dhe shtypjes. Në kryeqytetin Havana si dhe në qytete të tjera demonstruesit thërrisnin „Liri, liri” dhe „Ne nuk kemi frikë”, sikurse shihet nga videot, që janë publikuar në rrjetet sociale. Përdoruesit e twitter-it në Kubë njoftojnë për shpërndarjen me dhunë të protestave (12.07) në mbrëmje.

Provokatorë dhe sanksione

Qeveria kubaneze bën përgjegjës për protestat provokatorët e drejtuar nga SHBA-ja. Presidenti Miguel Díaz-Canel në televizionin shtetëror bëri fjalë për një ditë historike për mbrojtjen e revolucionit kubanez 1959. Ai bëri përgjegjëse bllokadën e SHBA-së për mungesat në shtetin e Karaibeve. Sipas tij, në rrjetet sociale janë bërë përpjekje përmes manipulimit të emocioneve për të krijuar pakënaqësi dhe për t’i përçarë kubanezët.

Kuba kërkon, që të respektohet sovraniteti i saj, tha Díaz-Canel. Ai i konsideron në anën e tij Rusinë dhe Meksikën. Të dyja këto shtete paralajmërojnë prej „ndërhyrjeve” nga jashtë. Duke iu referuar afërsisë me SHBA-në zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme në Moskë Maria Saharova tha: “Ne jemi të bindur, që autoritetet kubaneze do të ndërmarrin të gjitha hapat, për të rivendosur në kuadër të kushtetutës rendin civil në interes të qytetarëve të vendit.”

Vuajtje prej ekonomisë së planifikuar kubaneze

Në Kubë zhvillohen shumë rrallë demonstrata, të vetmet grumbullime të lejuara janë zakonisht aktivitetet e partisë komuniste. Gjatë protestave demonstruesit kanë shprehur indinjatën e tyre përkrizën ekonomike, që ka bërë të ketë mungesa në ushqime dhe energji elektrike. Shumica e kubanezëve vuajnë në jetën e përditshme nga pasojat e embargos ekonomike të SHBA-së.  

Ish-presidenti i SHBA-së Barack Obama donte t’i zgjidhte tensionet me Kubën që vazhdojnë prej disa dhjetëvjeçarësh dhe në kohën e tij ai i zbuti sanksionet ekonomike. Pasuesi i tij Donald Trump e ndërpreu kursin e afrimit me Kubën. Qeveria aktuale po i përmbahet linjës së konfrontimit e kësisoj Joe Biden, që ka qenë nënpresident nën Barack Obaman po ndjek një tjetër kurs./DW