6.1 C
Tetovo
E enjte, 25 Prill, 2024
BallinaLajmeBotaREL / EKSPERTËT AMERIKANË REKOMANDOJNË VAKSINËN PFIZER-BIONTECH

REL / EKSPERTËT AMERIKANË REKOMANDOJNË VAKSINËN PFIZER-BIONTECH

Një panel i këshilltarëve të pavarur të Qeverisë amerikane e mbështeti vaksinën e koronavirusit, të zhvilluar nga kompanitë Pfizer dhe BioNTech, duke i hapur rrugë autorizimit për përdorim emergjent.

Administrata e Ushqimit dhe Barnave (FDA) pritet të vendosë tani mbi rekomandimin e panelit.

Paneli votoi me 17 vota për dhe katër kundër vaksinës; një prej anëtarëve abstenoi.

Sapo Administrata e Ushqimit dhe Barnave ta miratojë, vaksina mund të nisë të jepet – ndoshta edhe këtë fundjavë.

Operacioni Warp Speed, një program i qeverisë federale për shpërndarje të vaksinës, tha se dorëzimi i saj do të nisë brenda 24 orëve, pas miratimit.

Dozat e para do t’iu jepen punonjësve shëndetësorë dhe banorëve të shtëpive të pleqve. Deri në pranverë, ato pritet të jenë më gjerësisht të disponueshme për popullatën.

Britania filloi vaksinimin këtë javë, ndërsa të mërkurën, Kanadaja u bë vendi i dytë perëndimor që miratoi përdorimin e vaksinës Pfizer-BioNTech. Bahrejni dhe Arabia Saudite e miratuan po ashtu.

Paneli i ekspertëve diskutoi shqetësimet e ngritura nga dy raporte për reaksione serioze alergjike midis marrësve të vaksinës në Britani.

Rregullatori shëndetësor i Britanisë këshilloi disa njerëz me histori të anafilaksisë – një reagim i tepërt i sistemit imunitar të trupit nga ilaçet ose ushqimet – që të shmangin marrjen e vaksinës.

Dokumentet e përgatitura nga Administrata e Ushqimit dhe Barnave, përpara takimit të ekspertëve, nuk theksuan ndonjë çështje të re të sigurisë ose efikasitetit të vaksinës.

Pfizer dhe BioNTech kanë thënë se vaksina e tyre është 95 për qind efektive dhe se duhet të jepet në dy doza, me një diferencë kohore prej tri javësh.

Komisionari i Administratës së Ushqimit dhe Barnave, Steven Hahn, tha përpara takimit të së enjtes, se rregullatori po rishikon me kujdes të gjitha të dhënat për vaksinën, përfshirë reagimet potenciale alergjike, pas paralajmërimeve të Britanisë.

Efektet e tjera anësore të vaksinës përfshijnë ethe, lodhje dhe dhimbje koke.

Pfizer planifikon t’i ketë 6.4 milionë doza të gatshme të vaksinës në SHBA deri në fund të dhjetorit. Ato do të jenë të mjaftueshme për tre milionë njerëz nga popullsia totale amerikane prej 330 milionësh.

Këtë muaj, Administrata e Ushqimit dhe Barnave pritet të vendosë edhe për një vaksinë tjetër, të zhvilluar nga kompania Moderna dhe Institutet Kombëtare të Shëndetit, e cila është thënë se është po aq efektive sa edhe vaksina Pfizer-BioNTech. Vaksina nga Johnson&Johnson dhe AstraZeneca është po ashtu në proces.

Rekomandimi për vaksinën Pfizer-BioNTech erdhi një ditë pasi Shtetet e Bashkuara regjistruan mbi 3,000 viktima nga koronavirusi, në një periudhë prej 24 orësh. Ka qenë kjo shifra më e lartë në një ditë të vetme, e regjistruar kudo në botë.

Numri i të infektuarve me koronavirus në të gjithë globin është afro 70 milionë. Prej tyre, mbi 1.5 milion pacientë kanë vdekur dhe afro 45 milionë janë shëruar.

SHBA-ja është vendi më i prekur në botë, me mbi 15 milionë të infektuar dhe mbi 292,000 viktima.

Në Evropë, Franca prin me numër të të infektuarve, ndërsa Mbretëria e Bashkuar me numër të viktimave./REL

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments