RAPORTUESJA E PE-SË: LIBERALIZIMI I VIZAVE PËR KOSOVËN MUND TË NDODHË NË KORRIK

205

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon po thotë se çështja e liberalizimit të vizave për kosovarët tashmë është vonuar. Eurodeputetja gjermane ka dhënë sinjale se një gjë e tillë mund të ndodhë në muajin korrik kur Gjermania merr presidencën e BE-së.

Ajo ka shkruar në “Twitter” se mbetet në dorë të Këshillit Evropian që të japë dritën e gjelbër për Qeverinë e Kosovës lidhur me këtë temë. Sipas saj, një gjë e tillë duhet që të ndodhë sa më shpejt.

“Njerëzit në Kosovë e meritojnë këtë”, ka shkruar eurodeputetja gjermane.

Vendimi i fundit i Qeverisë në detyrë të Kosovës për të hequr plotësisht tarifën ndaj mallrave nga Serbia dhe Bosnja është mirëpritur nga anëtarët e parlamentit evropian.

Pas vendimit të qeverisë së Kosovës për të hequr tërësisht taksën ndaj mallrave të importuara nga Serbia dhe nga Bosnja e Hercegovina nga 1 prilli, raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola Von Cramon-Taubadel dhe Kryesuesi i Delegacionit për marrëdhëniet Bosnje-Kosovë, Romeo Franz, thanë se shpresojnë që me këtë hap do të rinis dialogu mes Kosovës dhe Serbisë.

Po ashtu, ata shpresojnë që me këtë vendim të Qeverisë së Kosovës, edhe BE-ja do ta mbajë premtimin e dhënë për heqje të vizave për qytetarët e Kosovës. “Jemi shumë të lumtur me vendimin e marrë nga Qeveria në detyrë e Kosovës për të hequr tarifat 100 për qind. Është një sinjal shumë i rëndësishëm i bashkëpunimit politik në rajon dhe hap vendimtar, i cili shpresojmë se do të çojë në vazhdimin e dialogut të lehtësuar nga BE-ja, në mënyrë që marrëdhëniet mes Beogradit dhe Prishtinës të normalizohen”, tha Viola Von Cramon-Taubadel.

Ndërkaq Romeo Franz tha se presin nga shtetet anëtare të BE-së “ta realizojnë premtimin e tyre për t’iu dhënë qytetarëve të Kosovës liberalizimin e vizave sa më shpejt që të jetë e mundur, pavarësisht krizës aktuale politike”