Ambasadori i Shqipërisë në Shkup Denion Meidani ka reaguar pas protestës së studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, ku u arrestuan tre të rinj.Në një postim në rrjetet sociale, Meidani e cilëson ndalimin dhe pengimin e studentëve si një çështje që tejkalon procedurat administrative dhe prek, sipas tij, parimet demokratike dhe vlerat europiane.Ai thekson se studentët shqiptarë që udhëtuan nga Tirana drejt Maqedonisë së Veriut nuk kërkuan përplasje, por shprehje solidariteti qytetar dhe mbështetje për të drejtën e testimit dhe ushtrimit të profesionit në gjuhën amtare.Sipas ambasadorit, këta të rinj kërkojnë dinjitet, barazi dhe respekt për të drejtat themelore, jo privilegje.
“Kur studentë ndalohen, vonohen dhe intimidohen teksa udhëtojnë për të shprehur paqësisht solidaritet për një të drejtë gjuhësore, çështja pushon së qeni vetëm procedurale. Ajo prek vetë mirëkuptimin demokratik dhe frymën europiane që synojmë të ndërtojmë si rajon.
Studentët shqiptarë nga Tirana udhëtuan drejt Republikës së Maqedonisë së Veriut jo për përplasje, por për solidaritet qytetar dhe për të mbështetur një kërkesë elementare: të drejtën për t’u testuar dhe për të ushtruar profesionin në gjuhën amtare.
Këta të rinj nuk kërkojnë privilegje. Kërkojnë dinjitet, barazi dhe respekt për të drejtat themelore.
Dhe një kërkesë për dinjitet nuk duhet të perceptohet kurrë si kërcënim, sidomos në vende që synojnë t’i bashkohen familjes europiane dhe të ndërtojnë të ardhmen mbi vlerat e demokracisë, barazisë dhe të drejtave themelore”, shkruan ambasadori.
