Prindërit, kundër digjitalizimit të librave dhe njësive të reja mësimore

66

Viti i ri shkollor në Maqedoninë e Veriut është paraparë të nisë më 1 shtator me prani fizike të nxënësve në shkolla, por një grup i prindërve të nxënësve, që vepron në rrjetet sociale, ka kërcënuar me protesta dhe bojkot të procesit mësimor.

Ata kundërshtojnë reformat lidhur me digjitalizimin e teksteve shkollore dhe përmbajtjen e tyre për klasat e para dhe të katërta në arsimin fillor.

Nga nisma qytetare “Mësim dhe libra patjetër të ketë”, thonë se librat e shtypur nuk mund të zëvendësohen me tekste digjitale duke marrë parasysh pasojat që kanë nxënësit nga mësimi online. Por, pakënaqësia e tyre më e madhe ka të bëjë me përmbajtjen e teksteve.

“Ne si prindër, në shenjë pakënaqësie nuk do t’i lëshojmë fëmijët në shkolla pavarësisht nëse mësimi do të mbahet me prani fizike apo nga distanca. Fëmijët tani nuk do të mësojmë ato përmbajtje për të cilat ne si prindër nuk jemi të njoftuar…fëmijët që në moshën gjashtëvjeçare do të mësojmë leksione me përmbajte të ndjeshme gjinore. Fëmijët e arsimit fillor do të mësojnë për orientimin seksual. Unë si prindër vlerësoj se kjo nuk është aspak në rregull dhe nuk do të lejoj fëmijën tim që të ndjekë mësime me përmbajtje të tillë”, ka deklaruar Gordana Spasovska nga nisma qytetare “Mësim dhe libra patjetër të ketë”.

Nga kjo nismë qytetare thonë se pakënaqësitë do të shprehin edhe pranë Gjykatës Kushtetuese dhe nëse edhe kjo instancë nuk merr parasysh vërejtjet e tyre, atëherë drejtësinë do ta kërkojmë në Gjykatën Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut në Strasburg.

Sutki Ismaili, mësues, që ka bërë trajnimin për tekstet e reja digjitale dhe përmbajtjen e tyre, thotë se ndryshimet që janë bërë përjashtojnë të gjitha llojet e diskriminimit.

“Ka ndryshime, në disa lëndë mësimore ka ndryshime edhe në strukturën e librave, do të thotë është punuar shumë edhe në çështjen e eliminimit të diskriminimeve të ndryshme, qoftë ato gjinore, etnike, kulturore e kështu me radhë. Ka ndryshime që duhet të përshëndeten e që përfshijnë qasjen e procesit të mësimit, ka ndryshime në programet mësimore. Aktivitetet që do të realizohen do të bëhem më ndryshe, do t’i jepet më shumë rëndësi të menduarit kritik në zgjidhjen e problemeve. Nxënësit do të kenë më shumë mundësi që të tregojnë se çfarë mund të bëjnë”, thotë Ismaili.

Por, ai si problem e sheh zbatimin në praktikë të kësaj reforme, veçanërisht pjesën që ka të bëjë me digjitalizimin e teksteve shkollore.

“Vështirësi do të ketë, sidomos për mësimdhënësit, pajisjen e klasave me infrastrukturën e nevojshme, me tabletë, kompjuterë. Pra, fillimi do të jetë i vështirë, do të ketë sfida. Unë jam një mbështetës i digjitalizimit të shkollave, por duhet të jemi të kujdesshëm. Libri i shtypur ka vlerën e tij pasi nxënësi dhe arsimtari kanë qasje në të për 24 orë. Mbetet që koha të tregojë se ku do të jenë vështirësitë. Gjithmonë duhet të jemi syçelë që të reagohet me kohë në lëshimet që mund të paraqiten pasi nuk mund të eksperimentohet me fëmijët”, thotë mësuesi Sutki Ismaili.

Pavarësisht kritikave, Ministria e Arsimit e Maqedonisë së Veriut mbetet në qëndrimin për zbatimin e reformave sikur edhe fillimin e vitit të ri shkollor me prani fizike. Nxënësit e arsimit fillor dhe të mesëm që nga fillimi i pandemisë në mars të vitit 2020 ndërprenë mësimin në shkolla për të vazhduar tani një vit e gjysmë me mësim online, që është kritikuar në vazhdimësi për shkak të problemeve të shumta teknike, por edhe pasojave te nxënësit.

https://www.evropaelire.org/a/digjitalizimi-i-librave-reforma-ne-arsim-/31433573.html